Fier, e majta merr Këshillin Bashkiak

May 12, 2011 | 9:55

Pas fitores së paralajmëruar gjatë të gjithë procesit të numërimit për shkak të avantazhit të përhershëm, Baftjar Zeqaj ndihet më i lumtur për suksesin në Këshillin Bashkiak.Koalicioni i majtë ka marrë shumicën në këtë këshill, çka pritet të zhbllokojë ngërçin e kaluar gjatë viteve të shkuara në Fier, kur e djathta kishte mazhorancën. “Do ta bëj Fierin një kryeqytet të jugut”, ka deklaruar Zeqaj pak pasi ka marrë konfirmimin edhe për Këshillin Bashkiak. Në daljen e parë publike pas fitores, Zeqaj është shprehur se tashmë nuk mund ta ndalë asgjë ritmin e zhvillimit të Fierit. Kujtojmë se dy vitet e fundit përplasjet me këshillin bashkiak, i cili kishte shumicë të djathtë, e lanë bashkinë Fier pa buxhet. Kjo solli kësisoj edhe bllokimin e investimeve në qytet, duke u mjaftuar me ato investime që bënin të huajt, të cilët kishin bashkëpunim me bashkinë, ashtu sikurse janë holandezët. Zeqaj ka arritur të marrë 15951 vota kundrejt 11953 votave të kandidatit rival, Ilir Bele, duke u shpallur fitues për mandatin e tretë në kreu të Fierit. Në Këshillin Bashkiak Aleanca për të Ardhmen ka siguruar 19 këshilltarë, ndërsa Aleanca për Qytetarin 16 këshilltarë.
Zoti Zeqaj, çfarë do të bëni ditën e parë pas fitores?
Nesër do të nis punën ku e kam çuar. Do të nis qysh nesër marshin e zhvillimeve të mëdha, në turizëm, kulturë, infrastrukturë, arsim, në shërbimin social, etj.
Do t’i referoheni pra programit premtues të zgjedhjeve?
Ato nuk ishin thjesht dhe vetëm premtime. Ne sot posedojmë shumë studime, projekte të cilat kanë mbetur në letër. Por deri sot se nesër gjërat ndryshojnë. Gjithçka është e bazuar në një kështjellë mendimi konkret që na bën të ecim. Tani s’na ndal askush ta bëjmë Fierin kryeqytet të jugut, një nga kryeqendrat përsa i përket zhvillimit në të gjitha këndvështrimet e me të gjithë dimensionin progresiv.
Në fakt duket se keni pritur më me entuziazëm numrat në Këshillin Bashkiak sesa emrin tuaj?
Po. Është e vërtetë. Pa një këshill dashamirës, je pa krahë. Unë ju them tani se pas këtyre zgjedhjeve, qytetarët fierakë do të mund ta shohin me ngjyra qytetin e tyre, se deri tani mazhoranca dominuese në këshill na bën që ta shihnim gri. Ja pse e kam pritur këtë ndryshim. Me besimin e fierakëve dhe dashurinë që na mban lidhur me qytetin tonë, do të arrijmë që në këto katër vite të bëjmë revolucionin e madh.

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura