
FIER – Gjykata e Fierit u ka komunikuar masën e sigurisë për tre të arrestuarit gjatë operacionit të koduar “Kompania Guaskë”, si të dyshuar për falsifikim të dokumenteve me pasojë shkaktimin e një evazioni në vlerë të konsiderueshme. Mbrojtësit e Ervis Sinanajt, 32 vjeç, Besnik Muratajt, 37 vjeç dhe Dyleman Qerimit, 58 vjeç janë njohur me materialet hetimore ndaj të pandehurve. Pas prezantimit të palëve Prokuroria e Fierit ka kërkuar që mbrojtja të njihet me materialin hetimor, ndërsa ka kërkuar sërish që ndaj të arrestuarve të lihet në fuqi masa e vendosur javën e kaluar, ajo e arrestit në burg pa afat. E ndërsa vetë të pandehurit nuk kanë folur, mbrojtja ka kërkuar një masë sigurie më të lehtë nga ajo e arrestit në burg pa afat për të prangosurit. Sipas avokatëve, të arrestuarit nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë dhe se ata mund të konsiderohen jo si të përfshirë në afera, por si mospagues të taksave dhe për këtë arsye nuk është e nevojshme që të qëndrojnë në burg. Ndërkaq, ata kanë pretenduar se nuk njiheshin me dokumentacionin hetimor të akuzës dhe se i kundërshtonin ato. Trupi gjykues pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë të arrestit në burg pa afat për të ndaluarit. Sipas Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, shtetasit Besnik Murataj, në bashkëpunim edhe me shtetasin Ervis Sinanaj dhe Dylejman Qerimi, kanë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit një firmë, e cila u tentua të mbyllej brenda një kohe të shkurtër, ndërkohë që nuk kishte shlyer asnjë detyrim karshi shtetit. m.r











