
Shumëkush do të donte t’i fshihte, të mos flitej për to, si për një “sëmundje të keqe”, por është e pamundur, mediat buçasin për ditë. Korrupsion, terrorizëm, trafik… Përballë këtyre problemeve, që shqetësojnë jo vetëm Shqipërinë, por gjithë botën, arti nuk mund të rrijë indiferent. Shumë regjisorë i kanë kushtuar filma artistikë e dokumentarë. Dhe janë 35 syresh, që do të shfaqen përgjatë 5 ditëve në edicionin e gjashtë të Festivalit të Filmit për të Drejtat e Njeriut, që trajtojnë pikërisht këto tema. Sipas drejtorit ekzekutiv të këtij festivali, Kujtim Çashku këto filma janë përzgjedhur mes 300 syresh nga e gjithë bota dhe trajtojnë “problematikat që lidhen me çështje të ngjashme me problematikat e vendit tonë. Temat qendrore të këtij edicioni lidhen me aspekte të krimit të organizuar, qofshin ato të korrupsionit, terrorizmit, fundamentalizmit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe drogës, shfrytëzimit të të miturve, skllavërisë moderne dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore. Përveç këtyre, një përzgjedhje e veçantë u është kushtuar filmave me karakter frymëzues e sfidues për njerëz me aftësi të kufizuara”. Sipas tij, gjatë pesë ditëve të festivalit do të zhvillohen forumet e paradites me pjesëmarrjen e gjimnazistëve dhe specialistëve të fushave të ndryshme me debate që lidhen me të drejtat e njeriut. Dokumentarët e filmat artistikë e përzgjedhur vijnë që nga vendi fqinj Italia, tek Franca, Gjermania, Holanda, Polonia, Tajlanda… Janë filma që, siç thotë Çashku, hedhin dritë mbi skuta të errëta në

shoqëritë e sotme totalitare e post-totalitare. Madje, mësohet se një sërë filmash të prodhuar rishtazi, që do të shfaqen për publikun, janë të ndaluar në vendet e tyre të origjinës. Një pjesë e tyre tregojnë me fakte konkrete lidhjen e krimit të organizuar me sektorin publik dhe kanë qenë vetë regjisorët, të cilët kanë marrë përsipër të bëjnë edhe investigatorin, duke hyrë me kamerën e tyre në vende të “ndaluara”. Filmat do të sjellin një material të bollshëm për të hapur debat. Gjatë ditëve të shfaqjeve, do të jenë të pranishëm edhe disa prej regjisorëve, të cilët mund të shpjegojnë arsyet dhe mënyrat e realizimit të filmave të tyre. Ndër ta mund të përmendim Theodore S.Orlin, Simon Stewenso, Tania Rakhmanova, Pieter Fleury, Carlo Prevosti, Rex Bloomstein, Andrea Segre, Villi Herman, Alexandru Solomon, Maria Jose, Stefania Casini, Almut Getto, Blerta Zeqiri dhe regjisori shqiptar Bujar Alimani, i cili do të shfaqë filmin e tij më të fundit, “Amnistia”, i cili thyen tabu shoqërore, por edhe artistike. Festivali zhvillohet në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”.
ALMA MILE











