Niko Peleshi, kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, fiton mandatin e dytë në krye të Bashkisë së Korçës.Ai u rikonfirmua dje në këtë detyrë pasi arriti të sigurojë 2193 vota më shumë se rivali i tij, kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Andrea Mano. Kandidati Peleshi arriti të siguronte 16 369 vota, ndërsa Andrea Mano, i cili hoqi dorë nga posti i prefektit të qarkut për të kandiduar për bashkinë, mori 14 176 vota. Për herë të parë, në ambientet e shkollës “Themistokli Gërmenji”, ku ishte vendosur edhe KZAZ-ja e bashkisë Korçë, Peleshi u shfaq vetëm paraditen e djeshme, atëherë kur ishte vendosur përfundimisht fitorja e tij me një diferencë me më shumë se 2 mijë vota dhe nuk kishte më asnjë gjasë përmbysje rezultati. I shoqëruar nga deputeti i Korçës, Ben Blushi dhe kreu lokal i PS-së, Muharrem Meko, Peleshi është përfshirë në entuziazmin e fitores së dytë. Bashkë me mbështetësit e tij, ai ka festuar fitoren në një lokal në qendër të Korçës. Shampanja, fishekzjarrët, lulet dhe urimet nuk kanë munguar për fitoren e Niko Peleshit, i cili, ndërkaq, nuk vonoi të japë edhe mesazhin e tij për qytetarët dhe zgjedhësit. Duke falënderuar për atë që ai e konsideroi pjesëmarrje masive dhe forcë të votës së lirë në zgjedhje të një qyteti të kulturës, Peleshi shprehu mirënjohjen për ata që besuan te projekti i tij. “Unë angazhohem se nuk do të zhgënjej asnjë qytetar të këtij qyteti, duke ftuar të majtë e të djathtë të punojnë për të mirën e Korçës. Angazhohem se ky qytet do të jetë për mua burimi i energjisë së pashtershme, derisa të jetë qyteti më i bukur në Shqipëri”, u shpreh kryebashkiaku Peleshi. Përveçse siguroi një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Korçës, PS-ja ka fituar edhe mbështetje të Këshillit Bashkiak në këto zgjedhje. Nga rezultati i numërimit të votave për subjektet politike rezultoi se koalicioni “Aleanca për të ardhmen” ka fituar 17 këshilltarë, nga të cilët 14 Partia Socialiste dhe nga një subjektet politike PSD, PDS e PDK. Nga ana tjetër, koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka fituar 16 këshilltarë, 10 prej të cilëve Partia Demokratike, 2 këshilltarë PR, 2 LSI, si dhe nga një këshilltar Partia e Ballit Kombëtar dhe BLD. Dy këshilltarë i ka fituar PBDNJ, çka do të ndikojë edhe në qëndrimin e kësaj partie për të vendosur balancën finale përsa u përket këshilltarëve bashkiakë. Kryebashkiaku Peleshi arriti të korrë fitore edhe në disa lagje të njohura si bastione të PD-së, si për shembull ajo “Radanec”, apo dhe zona të tjera ku pritshmëria ishte që Mano të siguronte një numër mjaft të lartë votash. PD dhe koalicioni i saj kanë humbur për herë të parë pas 20 vitesh edhe komunën e Voskopit, ku fitoi kandidati socialist. Nga ana tjetër, PS dhe koalicioni i saj kanë dalë humbës në disa komuna që tradicionalisht kanë votuar për kandidatët e majtë, si në komunat Moglicë dhe Lekas. Po kështu, PD fitoi në shumicën e komunave në rrethin e Kolonjës, që është njohur për mbështetje të së majtës. Edhe në rrethin e Devollit, fitorja i ka takuar në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore së djathtës, përfshirë bashkinë e Bilishtit, që e fiton për herë të tretë Valter Miza, si dhe komunat e këtij rrethi. Vetëm në Pogradec PS e ka fituar sërish Bashkinë e qytetit, si dhe dalin për herë të parë fitues në dy komuna që ishin qeverisur më parë nga demokratët, ato të Çërravës dhe Udnishtit. Mbetet për t’u parë se kush nga dy koalicionet do ta drejtojë Këshillin e Qarkut, pasi duhet të dalin dhe saktësohen këshilltarët që kanë fituar në komuna dhe bashki.
KOMUNAT
Nga rezultatet e dala për zgjedhjet e 8 majit, PS-ja dhe koalicioni i saj kanë dalë fitues në qendrat urbane të bashkive në qarkun e Korçës, ndërsa kanë humbur në pjesën më të madhe të komunave. Përsa u përket kandidatëve të komunave, Partia Demokratike ka arritur të sigurojë mjaft zona të konsideruara deri tani si bastione të së majtës. Vetëm pak komuna, bastione të PD-së, ka arritur të sigurojë PS-ja.
Korçe
. Bashkia Korçë
Niko Peleshi, PS, 16369 vota
Andrea Mano, PD, 14176 vota
. Bashkia Pogradec, fiton Artan Shkëmbi, PS
. Bashkia Bilisht, fiton Valter Miza, PD
. Bashkia Leskovik, fiton Fatmir Guda, PD
. Bashkia Maliq, fiton Gëzim Topçiu, PD
. Bashkia Ersekë, fiton Ali Laho, PS
. Komuna Voskop, fiton Ylli Cenkolli, PS
. Komunën e Pojanit, fiton PD
. Komunat Lekasit, fiton PD
. Komuna Moglicë, fiton PD
. Komuna Voskopojë, fiton PD
. Komuna Drenovë, fiton PD
. Komuna Liqenas, fiton PD
. Komuna Vreshtas, fiton PD
. Komuna Pirg, fiton PD
. Komuna Mollaj, fiton PD
. Komuna Bulgarec, fiton PD
KESHILLTARET
“Aleanca për të ardhmen”,
17 këshilltarë,
• 14 këshilltarë PS
• 1 këshilltar PSD
• 1 këshilltar PDS
• 1 këshilltar PDK.
“Aleanca për qytetarin”,
16 këshilltarë
• 10 këshilltare PD
• 2 këshilltarë PR
• 2 këshilltarë LSI
• 1 këshilltar PBK
• 1 këshilltar BLD
PBDNJ, fiton
2 këshilltarë
KORÇE/ GEZIM ASHIMI
© Panorama.al











