Festë e protestë, sytë te Disiplina

May 2, 2011 | 12:14
Protesta e tifozëve të Flamurtarit

Vlora, Korça, por edhe Laçi sot më shumë se kurrë gjatë këtij sezoni do të jenë me sy e veshë nga Komisioni i Disiplinës.Ky i fundit pritet të japë vendimin për incidentin e ndodhur në javën e 30-të në Laçi-Flamurtari, ku u godit me kapsollë nga ana e tifozëve portieri i vlonjatëve, Shpëtim Moçka. Ndërkaq, çdo vendim që do të marrë Disiplina, do të provokojë nga njëra anë festë dhe nga ana tjetër protestë. Ndodhur dy javë nga fundi i kampionatit, me një Skënderbe katër pikë para Flamurtarit, një mosdhënie e fitores në tavolinë për vlonjatët do të thoshte se korçarët do të ishin praktikisht (jo matematikisht) kampionët e rinj. Dhe anasjelltas: një trepikësh për Flamurtarin do të rihapte përfundimisht kampionatin dhe nuk do të ishte çudi që titulli, në javën e fundit pas sfidës Flamurtari-Skënderbeu, të mbetej në Vlorë.
Skenarët – Në bazë të rregullores ekziston mundësia që Komisioni të dënojë vetëm Laçin për “mospërmbushje të detyrave organizative”, duke mos i dhënë pikët Flamurtarit. Madje, sipas të dhënave (jo zyrtare), ky është edhe varianti më i mundshëm. Në këtë rast Skënderbeu me 99.99 për qind do të ishte kampion i ri. Por mundet që Komisioni të dënojë Laçin dhe njëkohësisht të anulojë rezultatin e ndeshjes. Në kësi rastesh ndeshja do të luhet në ditët në vazhdim, por para mbylljes së kampionatit, çka nënkupton që FSHF-ja do ta shtynte javën e fundit ose të paktën ndeshjen Flamurtari-Skënderbeu. Variant i tretë është nëse Disiplina dënon Laçin, por i jep edhe tri pikët në tavolinë Flamurtarit. Në këtë rast, vlonjatët shkojnë minus 2 pikë në renditje me Skënderbeun dhe lufta për titull është totalisht e hapur. Të gjitha këto variante janë të parashikuara në nenin 66 të Kodit të Drejtësisë Sportive. Por ekziston edhe një variant tjetër më pak i besueshëm, ai i një bojkoti të kampionatit, kjo nisur nga deklarata e presidentit Shpëtim Gjika. Në këtë rast, Superiorja do të përfshihej nga një kaos i vërtetë.
Protesta – Ndërkaq, sot është parashikuar që të zhvillohet protesta e tifozërisë vlonjate përpara zyrave të Federatës. Një gjë e tillë qe programuar për ditën e premte të javës së shkuar, por u shty për sot, për shkak të ndarjes nga jeta në një aksident të një tifozi të Flamurtarit. Sipas të dhënave, disa autobusë të dhënë gratis nga ana e klubit do të nisen nga Vlora në mëngjesin e sotëm dhe rreth orësh 12:00 do të jenë të grumbulluar para FSHF-së. Ndonëse nga ana e organizatorëve të kësaj proteste është pohuar se do të marrin pjesë edhe tifozë nga ekipe të tjera, të paktën mbështetësit e KF Tirana e kanë mohuar një gjë të tillë.

Magani: Duam pikët

Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, pret që Disiplina sot t’u japë të drejtë vlonjatëve, kjo nisur edhe nga precedentët e mëparshëm. “Të gjithë na kanë dhënë të drejtë, specialistë, sportdashës e nuk e di sa shumë mendojnë dhe shprehen se tri pikët në Laç i takojnë Flamurtarit. Shikoni pak javë më parë se çfarë i ndodhi sulmuesit tonë Xhafa. Ai u dënua me dy javë pa bërë asgjë, pa asnjë fakt, mjaftuan pamjet televizive për t’i bërë presion Disiplinës. Atëherë, për ndeshjen në Laç pamjet nuk mjaftojnë? Prandaj këtë proteste do ta quaja plotësisht të drejtë”, ka pohuar Magani.

Ç’thotë rregullorja?

Neni 65 – Organizimi i ndeshjeve
Personat juridikë, shoqatat, klubet që organizojnë ndeshjet si pritëse, duhet të përmbushin kriteret: a) të vlerësojnë nivelin e rrezikut në çdo ndeshje të zhvilluar në fushën e administruar prej tyre…. b) të përmbushin dhe zbatojnë rregullat e sigurisë dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve… c) të mbajnë kontakt dhe të bashkëpunojë me autoritete vendore (Policinë e Rendit), në mënyrë efektive… d) të garantojnë zbatimin e ligjit dhe të mbajnë rregullin dhe qetësinë në stadium.
Neni 66 – Dështimi në përmbushjen e përgjegjësive
1. Personat juridikë, shoqatat ose klubet që dështojnë në përmbushjen e detyrimeve, në përputhje me nenin 65 dënohen me gjobë.
2. Në rastet e shkeljeve të rënda, mund të ndërmerren sanksione të tjera, si zhvillim i ndeshjeve pa spektatorë, zhvillimi i ndeshjeve në fushë asnjanëse, anulimin e rezultatit të ndeshjes, përjashtimin nga gara ose nga kampionati dhe humbjen e ndeshjes në tavolinë.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura