Femra e kësaj vjeshte, kthim në vitet ’30-‘40

Nov 6, 2011 | 14:16

Prerjet dhe nuancat e reja që duhet të përqafojmë në sezonin vjeshtë-dimër 2011-2012, vijnë nga pasarelat botërore, të përkthyera dhe materializuara nxitimthi prej stilistëve të njohur shqiptarë. Mirela Nurçe, Rezarta Skifteri dhe Ardi Asllani shpalosin katalogët me tendencat më të fundit të modës për sezonin me temperatura të ulëta, që prej disa javësh ka “trokitur” në gardërobën personale të gjithsecilit prej nesh.

Gjatë një ecjeje të përditshme rrugëve të kryeqytetit, një syri të stërvitur nuk mund t’i shpëtojnë lehtë prurjet apo stilet e reja të veshjeve, që me uljen e temperaturave janë ngjeshur fort pas trupit të shumëkujt. Fundet e shkurtra, mëngët zhapone apo fustanet floreale pendë të lehta, ua kanë lënë vendin xhaketave, pardesyve deri tek kupa e gjurit, dhe diku më rrallë palltove të trasha prej materiali të leshtë. Është normale që me spostimin e stinëve, nxjerrja e veshjeve me mëngë të gjata dhe atyre më të ngrohta është e nevojshme për gjithkënd që del nga shtëpia për të nisur aktivitetin e një dite normale qoftë në shkollë, punë apo gjetkë. Por, ngjan se e gjithë nevoja për t’u dukur bukur, ka një emërues të përbashkët: përqafimin e tendencave të reja, si nevojë e ethshme për të mos u dukur thjesht demode. Dhe, përtej maniakëve të modës e individëve që më parë shohin etiketën e markës poshtë veshjes, përpara se ta përvetësojnë atë, ka ekzistuar kaherë një botë e tërë me mundësi zgjedhjesh, që herë vijnë drejtpërdrejt nga butikët e Tiranës, dhe herë të tjera nga atelietë e modës së stilistëve të njohur në vend.
Për sezonin e ri vjeshtë dimër 2011-2012, stilistët janë treguar të kursyer sa u takon tonaliteteve. Ngjyrat e ftohta të tokës duhet të mbizotërojnë në veshjet tuaja për të qenë “in” me tendencat e fundit. Nuancat neutrale si e zeza, kafja dhe grija janë ngjyrat e momentit në pardesytë apo xhaketat e femrave, ndërsa prerjet e veshjeve do ju rikthejnë pas në vitet ‘40, ‘50 dhe ‘80. Veshjet tipike të stilit retro, që respektojnë linjat trupore, por dukshëm me bel të ngushtë dhe shpatulla të gjera, standard i njohur ky për stilin e viteve 80’, do të jenë kryefjala e modës për këtë sezon të ri. Fundet maksi apo mini do të prezantohen bashkë me dantellat e dukshme, apo edhe printime me prirje zoologjike në to. Ndërsa palltot, si një tjetër element i rëndësishëm i dimrit, do të jenë prej materiali të ngrohtë leshi, në stilin luksoz posaçërisht për evente, apo edhe ato casual me kopsa të mëdha dhe dizenjo të stampuara në to. Përpos këtyre detajeve, nuk duhet të mungojë vëmendja ndaj aksesorëve shoqërues për çdo veshje. Stilistja Rezarta Skifteri thekson se rikthimi i elementit të leopardit, pitonit apo peshkut elektrik të pranishëm në çanta, këpucë apo çizmet e gjata, do të jenë një kombinim i spikatur me veshjet tipike klasike. “Ndonëse në miniaturë, prania e kësi aksesorësh në veshje tjetërson pamjen dukshëm nga përditshmëria apo linjat klasike të zakonshme. Edhe aksesorët nuk do të mungojnë këtë sezon, por në dallim nga vitet e kaluara, ata do të jenë më të rafinuar në stil, por edhe në cilësinë e tyre. Ngjyrat e ftohta të veshjeve, shpeshherë të kombinuara me detajet e pitonit apo leopardit, apo edhe të nuancës njëngjyrëshe të fortë, nuk kanë nevojë për tepricë në aksesorë si varëse, vëth apo byzylyk. Gjithashtu, rripat e lëkurës, jakat e pelushit apo kapelat e mëdha në formë luleje nuk duhet t’i mungojnë stilit për këtë sezon vjeshtë-dimër 2011″, përfundon ajo. Në gamën e gjerë të stileve, ngjyrave të kursyera dhe aksesorëve shoqërues të rafinuar, ka vend edhe për fjalën e disa stilistëve shqiptarë, që shpalosin versionet e tyre të modës për sezonin vjeshtë-dimër 2011-2012.

Rikthim i femrës militariste!

MIRELA NURÇE

Stilistja e njohur e shumë personaliteteve në vend, nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli tek sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho, thekson se çdo sezon i ri stinor evokon një stil të ri tendencash. Por, ajo çka duhet të mbizotërojë në pamjen e gjithkujt sipas Mirela Nurçes, është nevoja për një veshje që respekton linjat trupore dhe mbi të gjitha të bën të ndihesh mirë. “Çdo prirje për të kapërcyer këtë pakt me veten, por për të kapur fort modën e fundit, nuk duhet të kthehet në qëllim në vetvete për secilin prej nesh”, pohon ajo. Për stilisten, ngjyrat e ftohta nuk duhet t’i mungojnë gardërobës së veshjeve për sezonin që sapo ka trokitur, por pa harruar që stilistët këtë herë kanë guxuar në prirjen e tyre për të rikthyer në vëmendje femrën ushtarake. Ngjyrat ushtarake, të shfaqura në formë njollash, në nuancën e gjelbër apo atë të baltës, janë elemente që do të dominojnë sipas Mirelës në pantallonat, xhaketat apo çizmet e këtij sezoni.

Rezarta Skifteri: Rikthehen detajet e leopardit, pitonit apo peshkut elektrik!
Për të thyer dozat e errëta në veshjet e këtij sezoni, Rezarta Skifteri nuk e sheh aspak si të pamundur dëshirën për të kombinuar ngjyrat e ftohta me ato të feksura. Tonalitetet e të zezës të kombinuar bukur me ngjyrën e lëkurës së portokallit, okrën, blunë elektrike, smeraldin, nuk do ju përjashtojnë nga kategoria e fashionistave. “Por, rikthimi i detajit të gjarprit piton, leopardit apo peshkut elektrik të pranishëm në aksesorët shoqërues të veshjeve, e bëjnë edhe më interesante gjetjen tuaj. Duke mos lakmuar tek veshja e ngarkuar, pak nga këto elemente vetëm e pasurojnë pamjen tuaj. Nuk duhet të mungojnë gjatë sezonit të vjeshtës apo dimrit edhe pelushët në jakën e palltos apo xhaketës, apo në zonën përreth duarve. Pantallonat me qemer të lartë, rripat prej lëkure dhe të punuar me gurë, syzet në formë maceje, stil i ngjashëm me vitet 40’ dhe kapelat e mëdha duhet të kthehen në një domosdoshmëri të stilit për sezonin vjeshtë-dimër 2011-2012″.

Stilisti Ardi Asllani: Kriza ekonomike ka reduktuar edhe prurjet e reja të modës!
“Tendencat e sivjetme në ngjyra janë ato të cilat në përmbajtjen ose përbërjen e tyre kanë një përzierje të nuancave të dheut, pra çdo ngjyrë që nuk përcjell bazën e fortë dhe origjinale. Prerjet që mbizotërojnë këtë sezon, janë kryesisht një amalgamë e viteve 20’-30’-50’ dhe një stil që përqafon elementin retro. Nuk ka një kanalizim të fortë të modës apo një definicion të qartë të saj, ngase kjo shpjegohet edhe me krizën ekonomike, të cilën po e kalon çdo sektor i industrisë, pashmangshmërisht dhe industria tekstile. Thënë ndryshe, klienti duhet të gjejë atë që kërkon apo që i përshtatet për të mos dalë kësisoj duarbosh nga atelieja apo butiku”.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura