
TIRANE – Deputeti socialist, Sajmir Tahiri, u paraqit dje në Gjykatën e Tiranës nën shoqërinë e dhjetëra personave që kanë mbushur sallën e gjyqit njësoj si në seancën e 6 qershorit. Deputetë të Partisë Socialiste dhe përfaqësues të tjerë nga shoqëria civile ishin të pranishëm në seancën e radhës të procesit, ku Tahiri është i paditur për “shpifje” nga fëmijët e Kryeministrit Sali Berisha. Përmes përfaqësuesit të tyre ligjor, paditësit i kërkuan Gjykatës së Tiranës pranimin e padisë së tyre kundër deputetit Tahiri. Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha kërkojë dëmshpërblim në një total prej 8 milionë lekësh prej deputetit. Shkak janë bërë disa deklarata publike të Tahirit në emër të tyre, të pretenduar si të pavërteta nga Malltesi e Berisha. Në ato deklarata Tahiri ka pohuar se fëmijët e Kryeministrit janë përfshirë në afera korruptive. Seanca e djeshme ishte e dymbëdhjeta në radhën e seancave të këtij procesi. Për të disatën herë brenda pak seancash, Tahiri kërkoi sërish dje riçeljen e procesit. Në mbështetje të kësaj kërkese, Tahiri pohoi se zotëronte disa prova për të provuar vërtetësinë e thënieve të tij. Provat e pretenduara prej tij, një letër-këmbëim i paditëses Malltezi me një biznesmen të huaj dhe disa shkrime në media, nuk e bindën gjyqtarin Ilir Çeliku për të riçelur shqyrtimin gjyqësor. Po ashtu nuk u pranua as kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit, që sipas deputetit, po tregohej i njëanshëm në gjykim. Në vijim, gjykata i ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Në fjalën e tij, përfaqësuesi ligjor i paditësve Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha tha se deklaratat e thëna nga ana e të paditurit Tahiri në programin “Zonë e Lirë” më 7 tetor 2011, janë të pavërteta dhe kanë cenuar nderin dhe personalitetin e paditësve Malltezi e Berisha. Në konkluzionet e tij, avokati i paditësve tha se i padituri Tahiri nuk paraqiti asnjë provë në proces për të provuar thëniet e tij. Po sipas tij, deputeti është bërë pengesë disa herë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor. Në përfundim gjykata ndërpreu seancën për t’i dhënë kohë deputetit Tahiri për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare. ar.ba











