Dënohet me 2 vite burg ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, favorizoi baxhanakun për një përfitim prej 700 mijë eurosh

Jun 15, 2026 | 14:18

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 2 vite burg ish ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala për konflikt interesi. Trupi gjykuese rrëzoi akuzën e shpërdorimit të detyrës por e shpalli fajtor për konflikt interesi.

endrit shala

Sipas mediave në Kosovë, Shala ka favorizuar baxhanakun e tij, duke i mundësuar një përfitim të paligjshëm në vlerën e mbi 700 mijë eurove.

Sipas gjykatës, Shala ka favorizuar baxhanakun e tij, Valdet Teneqjën, duke i dhënë kompanisë së tij të drejtën për të kryer inspektimin e cilësisë së derivateve të naftës në Kosovë.

Prokuroria pretendon se ky vendim i ka sjellë kompanisë përfitime financiare prej më shumë se 732 mijë eurosh. Për këtë arsye, gjykata e shpalli Shalën fajtor për konflikt interesi.

“…ka nënshkruar, përkatësisht miratuar vendimin për emërim 01.Ref.nr.36, datë 30.05.2019, me të cilin Operatori ekonomik (OE) me emrin tregtar: N.Sh. ‘Euro Inspekt’ dhe emrin e biznesit: Valdet S Teneqja B.I. me NUI: 810117194 dhe NUI inspektues: 001, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të personit Valdet Teneqja, me të cilin i pandehuri ka lidhje krushqie, pasi atë e ka baxhanak, me të cilin veprim i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të tij, realizim të interesit financiar, përkatësisht të dobisë pasurore si rrjedhojë e këtij vendimi të kundërligjshëm, në lartësi 732,642.283 euro”, thuhet në aktakuzë.

© Panorama.al

Te lidhura