“Rreth 19% e fëmijëve në Europë janë të rrezikuar t’u shkelen të drejtat e tyre themelore, ndërsa në Shqipëri kjo shifër është shumë më e lartë”. Këtë deklaratë bëri dje gjatë konferencës së organizuar në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui. Ai shtoi se Shqipëria është një vend që do të jetë pjesë e Bashkimit Europian, çka do të thotë se duhet të plotësojë 11 prioritetet dhe atë të 11-tin, që lidhet me të drejtat e njeriut. Dhuna në familje dhe në shkolla, heqja nga shkolla për t’i punësuar apo lypur në rrugë, janë disa nga problemet më të mprehta me të cilat përballen fëmijët shqiptare. Në studimin e kryer së fundi nga UNICEF-i ka rezultuar se 45 për qind e fëmijëve kanë përjetuar dhunë fizike dhe verbale në familje dhe 42 për qind e fëmijëve janë dhunuar në shkollë. Rreth 65% e fëmijëve që nuk frekuentojnë rregullisht shkollën u përkasin familjeve më nivel mjaft të ulët të të ardhurave. Rreth 54,3% e fëmijëve të grupmoshave 6-18 vjeç që nuk e ndjekin shkollën, pranojnë se nuk përballojnë dot shpenzimet. Situata e frekuentimit të arsimit parashkollor paraqitet jashtëzakonisht kritike. Më herët në Qëndrën Rajonale për Autizimin në Farkë festuan 1 qershorin, rreth 200 fëmijë. Kjo festë, e cila erdhi ne mbyllje të muajit të Europës. “Kjo festë vjen pas aktiviteteve të shumta të organizuara në kuadër të muajit të Europës. Europa që ne aspirojme është vendi i zhvillimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut e veçanërisht të fëmijëve. Shoqëria shqiptare u fal shumë dashuri e përkujdesje fëmijeve të saj, por për të rritur fëmijë të shëndetshëm duhet të emancipohemi akoma më shumë për të drejtat e fëmijëve dhe respektimin e tyre”,tha Berisha.
Ambasadori I KE Ettore Sequi i pranishëm edhe në këtë aktivitet duke vleresuar këtë festë uroi fëmijët.
Topi: Vëmendje për jetimët
“Më tepër vëmendje për fëmijët jetimë. Mbështetja duhet të vijë së pari nga institucionet shtetërore dhe biznesi”. Kështu u shpreh dje kreu i shtetit, Bamir Topi. Presidenti u shpreh se i bashkëngjitet apelit të fëmijëve që i drejtohet Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke shpresuar që ndjeshmëria e tyre do të jetë afër këtyre fëmijëve.
Berisha: Do të ndërtojnë Shqipërinë e së ardhmes
Nën kujdesin e Drejtorisë Arsimore, nxënësit e shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit festuan dje në bulevardin kryesor. Kryeministri i vendit, Sali Berisha, zgjodhi këtë aktivitet për të uruar fëmijët e gjithë vendit. “Uroj prindërit që të lumturohen duke jetuar në Shqipërinë që do të ndërtojnë fëmijët e tyre. Vështroni në sytë e tyre. Aty lexohet një gëzim që gufon nga shpirti, lexohet një pastërti idilike, lexohet një dashuri e pastër, lexohet e ardhmja e tyre e ndritur që ata meritojnë”, vijoi Kryeministri.
Rama: Do të ulim numrin e fëmijëve të varfër
“Do të ulim numrin e fëmijëve të varfër. Dua t’u them të gjithë prindërve se jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka të mundur për ta arritur këtë”. Këtë deklaratë bëri dje nga Njësia Nr. 8 kreu socialist, Edi Rama, të cilën e kishte përzgjedhur për t’u uruar fëmijëve festën e tyre. “Do bëjmë gjithçka që të ketë gjithmonë e më pak fëmijë që mbeten analfabetë, të ketë gjithmonë e më pak fëmijë që të ardhmen e tyre nuk e kanë të sigurt në vendlindjen e tyre”, u shpreh Rama.











