Kryeministri Edi Rama, theksoi në “SY m’SY”, se beteja më madhore që ka kaluar Shqipëria, është beteja për drejtësi.
Ai shprehu se ky është një moment historik për vendin, ku barazia para ligjit po synohet përmes veprave dhe jo vetëm fjalëve.
“Sot, kemi një moment historik, ku barazia para ligjit synohet me vepra, jo me fjalë. Ky moment ka ardhur si rezultat i kësaj beteje”, tha ai.
Sipas tij, shpatën e ndëshkimit, që në një shtet normal duhet ta mbajë drejtësia, e kanë pasur të tjerë në duar për shumë vite, qoftë gjatë periudhës së monarkisë, komunizmit apo dhe demokracisë.
Ai tha se dhe në kohën e demokracisë, shpatën e ndëshkimit e ka pasur kryeministri i asaj kohe, që sipas tij, godiste liderin e opozitës, Fatos Nano.
“Ajo shpatë edhe në kohën e lirisë godiste nga këtu, nga maja e piramidës, kryetarin e opozitës, Fatos Nano, i cili është dhe i burgosuri i fundit politik në Shqipëri”, tha Rama.
Rama theksoi se ky proces është vlerësuar edhe nga Bashkimi Evropian, por integrimi në BE do të mbetet i mbyllur, nëse nuk arrihet barazia para ligjit.
Rama: Nëse ka një betejë madhore dhe më të vështirë nga të gjitha, e që askush nuk e ka bërë më parë, është beteja për drejtësi. Sot, kemi një moment historik, ku barazia para ligjit synohet me vepra, jo me fjalë. Ky moment ka ardhur si rezultat i kësaj beteje. Qysh prej vitit 1912, kur u shpall pavarësia dhe u krijua shteti ynë, me qeverinë e parë, deri kur u bë reforma në drejtësi, shpatën e ndëshkimit që në një vend normal e ka zonja drejtësi, këtu e kishin në këtë zyrë. E kishin trashëguar nga njëri pas tjetrit nga të parët e kësaj pune, qoftë në monarki, komunizëm, apo demokraci.
Ajo shpatë edhe në kohën e lirisë godiste nga këtu, nga maja e piramidës, kryetarin e opozitës, Fatos Nano, i cili është dhe i burgosuri i fundit politik në Shqipëri.
Nuk është një luftë e shkurtër, por e gjatë. Kthesa është e dukshme, konkrete, dhe është vlerësuar nga Bashkimi Evropian, familja e madhe që ne dëshirojmë t’i bashkohemi, dhe që nuk do të bashkohemi dot nëse nuk jemi të barabartë para ligjit. Kjo është beteja më e madhe dhe historike e Partisë Socialiste që prej vitit 2013, që udhëhiqet nga unë, me vendosmërinë më të madhe. Prandaj, unë këmbëngul që më 11 maj të votoni Partinë Socialiste.
© Panorama.al











