“Fatkeqësi ajo që i ka bërë Rama Shqipërisë”- Aktivisti nga Britania: Kazani i PS po vlon, protesta jo politike! Në gusht më të fuqishëm! Dorëheqje, qeveri tranzitore, ndryshim Kodi dhe…

Jul 28, 2026 | 18:56

Protestat popullore nuk do ndalojnë edhe gjatë muajit gusht, deri në rrëzimin e qeverisë, pa pranuar asnjë kusht apo negocim me të.

bledar meti

Kështu u shpreh sot në një lidhje direkte nga Britania e Madhe, me studion e televizionit News24, Bledar Meti, një nga organizatorët dhe drejtuesit e diasporës atje.

Ai tha se qeveria e kryeministrit Edi Rama e ka humbur tashmë legjitimitetin dhe zgjatja e saj është vetëm çështje javësh para se të rrëzohet. Megjithë përpjekjet për ta përçarë këtë protestë qytetare, ta pavarur nga politika, Meti tha se Rama ka dështuar.

“Fatkeqësi të shohësh transformimin e kryeministrit Rama. Ramës i janë toleruar afera të mëdha korruptive dhe skandale. Rama ka qeverisur duke injoruar kërkesat e qytetarëve shqiptarë. Kryeministri po përpiqet me çdo mënyrë që ta përçajë protestën. Deputetët e PS kanë ngritur shqetësime për krizën e krijuar në Shqipëri”, u shpreh ai.

Dhe këtu shtoi se edhe brenda vetë PS-së “kazani po vlon”, pasi deputetë socialistë i kanë dalë kundër kryeministrit. Ai mori si referencë edhe ish-kryeministrin Keir Starmer në Angli, që u largua pasi deputetët brenda partisë i dolën kundër.

“Kazani brenda PS-së ka filluar të vlojë. T’i dalim së bashku kundër njeriut që ka drejtuar me grusht të hekurt Shqipërinë dhe PS-në. Shoqëria shqiptare dhe PS-ja kanë pësuar transformim të madh nën drejtimin e tij. Rama i ka zgjedhur këta deputetë si shërbëtorë dhe besnikë të partisë. Edhe Starmer në Britani u largua sepse presioni i erdhi nga vetë brenda partisë Laburiste, që nuk mund të krahasohet aspak me zhvillimet dhe pasojat e Shqipërisë dhe të ndodhte ajo që ndodhi këtu, të kishte një kryetar tjetër të Partisë Laburiste”, vijoi ai.

Meti renditi edhe kërkesat e rilistuara të diasporës, të cilat sjellin edhe ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri dhe largimin e forcave të vjetra.

Ai tha se në fillim është largimi i Ramës dhe qeverisë, qeveria tranzitore, ndryshimi i Kodit Zgjedhor, listat e hapura dhe auditimi i administratës.

“Ne në diasporë e kemi thënë edhe më herët, kemi rilistuar kërkesat ndaj qeverisë. Kemi kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe Ramës, kemi kërkuar qeveri tranzitore, Kod të ndryshuar Elektoral, me sistem proporcional kombëtar si dhe me listat e hapura të deputetëve, ku ata të zgjidhen nga populli, të jetë vullneti i qytetarëve. Më tej vijmë te numërimi elektronik, depolitizim i administratës dhe një auditim i kësaj administrate, sepse ajo ka qenë kryesorja në deformimin e votës, pasi në 100 mijë punonjës administratë dyshohet se 80 mijë prej tyre e marrin rrogën kot, pa shkuar në punë”, argumentoi ai.

Ai mohoi se protesta ishte politike, e kapur nga partitë, duke theksuar se i përket vetëm qytetarëve.

“Kjo është protesta më e bukur në 36 vite në Shqipëri, nuk është politike, por është e qytetarëve, është kundër estabilishmentit politik, është protestë e shoqërisë shqiptare. Ka nevojë për një qeveri teknike, që e çon vendin në zgjedhje të lira të parakohshme. PD dhe Berisha e kanë deklaruar se nuk mund t’i fitojnë zgjedhjet. Shqiptarët të ndërgjegjshëm, duhet të jemi të bashkuar. Fyerja e shqiptarëve me fjalën terrorist, kjo krijon zemërim, edhe vetë brenda PS-së, i ka indinjuar ata. Ai mund të rezistojë edhe disa javë, por vetë protesta po përshkallëzohet, po del jashtë kontureve me një protestë e marshim në darkë”, tha Meti.

Aktivisti deklaroi se Rama ka bërë disa përpjekje për ta goditur protestën, duke e provokuar atë, por pa sukses. Ai përmendi dy prej rasteve:

“Rama është përpjekur gjithmonë të provokojë protestuesit, siç ishte rasti me flamujt izraelitë që u vendosë ditët e protestës me qëllim që të dëmtoheshin dhe ai t’i përdorte si justifikim për antisemitizëm. Po kështu protesta te Parlamenti ku u gjuajt me vezë e miell nga protestuesit, por disa individë që nuk ishin pjesë e grupit, hodhën gurë, që mund të kenë qenë edhe patronazhistë për t’i përdorur qëllimisht”.

Kurse për strategjinë e mëtejshme të protestës, nëse do të vijonte apo do rikthehej në shtator, ai shpjegoi se është bërë plan paraprak dhe organizim për ta kthyer edhe më të fuqishme revoltën.

“Ne kemi planifikuar me anë të diasporës këtu dhe riorganizimit të fuqishëm që protestat të vijojnë edhe gjatë muajit gusht dhe i kemi quajtur festë dhe protestë. Pra emigrantët që vijnë me pushime të pushojnë paradite dhe në mbrëmje t’i bashkohen sheshit të protestës masivisht. Kemi llogaritur që protesta më e madhe, ajo që quhet edhe “qershia mbi tortë”, të jetë mes 12 dhe 19 gushtit, përgjatë një jave, me një organizim ndryshe nga më parë. Është zgjedhur kjo javë pikërisht se një pjesë i përfundojnë dy javët e para të pushimeve dhe një pjesë tjetër i nisin, pra vijnë”, përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura