
Familjarët e deputetit Fatmir Xhindi reagojnë të tensionuar në 2-vjetorin e vrasjes së tij në portën e shtëpisë, në Roskovec.Mbrëmjen e 2 majit 2009 ai u qëllua me breshëri automatiku dhe prej atij momenti vetëm mister ka rreth kësaj ngjarjeje të rëndë. Ata janë shprehur të pakënaqur nga ecuria e hetimeve të deritanishme. Vëllezërit, të afërmit, miqtë dhe bashkëqytetarët e Fatmir Xhindit janë mbledhur dje në banesën e deputetit të vrarë për të kryer ritet e përvjetorit të ngjarjes së rëndë, ndërsa sot pritet të organizohet ceremonia tradicionale e përvjetorit të vdekjes. Të afërmit kanë folur me tone të ashpra dhe janë shprehur mosbesues ndaj drejtësisë shqiptare, ndërkohë që deklarojnë se janë drejt një vendimi për vetëgjyqësi. Ata edhe këtë herë kanë përsëritur apelin ndaj autoriteteve më të larta të drejtësisë në vend për zbardhjen e vrasjes dhe autorit të saj. Në emër të familjarëve, vëllai i deputetit të ekzekutuar, Ilir Xhindi, deklaron se ky rast është neglizhuar dhe se drejtësia duhet të gjejë autorin. “Nëse do të kishin pasur vullnetin, çështja e vëllait tonë të dashur nuk do të mbetej kështu, në copa letre të hedhura cepave të organeve më të larta të drejtësisë. Politika dhe qeveria shqiptare duhet të bënin të pamundurën për këtë ngjarje. Se nuk u vra një njeri nga ne apo një individ i thjeshtë, por u vra një deputet. Nëse ata nuk e zgjidhin, ne do të marrim vendim për vetëgjyqësi. Vetëm kjo mbetet kur nuk funksionon shteti ligjor”, reagon vëllai i deputetit të vrarë. Ai thekson faktin se të gjithë familjarët kanë humbur besimin. “Dhe kjo nuk është shenjë e mirë. Kërkojmë zbardhjen e vrasjes dhe autorët e saj, në të kundërt, kjo heshtje, ky dështim do të në japë të drejtën të vëmë gishtin e të themi se vrasësi mund të jetë vetë shteti”, ka deklaruar Ilir Xhindi. Pista të dyshimta, sipas familjarëve, që çuan në eliminimin fizik të Fatmir Xhindit, janë politike dhe, sipas tyre, aty duhet të këmbëngulet për të zbardhur vrasjen. Gjithmonë familjarët kanë pritur me sy nga drejtësia, por deri tani për ata nuk ka dalë në sfond asnjë emër apo pistë për ngjarjen. Pritet që sot, në Roskovec të mbërrijnë krerët më të lartë të PS-së, deputetë të zonës, përfaqësues të PS-së së rrethit etj.
ROSKOVEC/ MAJLINDA RAMA











