Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka thyer dje heshtjen mbi uljen e vlerësimit të kreditimit për Francën nga agjencia S&P, dy ditë pasi Franca humbi statusin maksimal me tri A, duke i kërkuar popullit francez të rezistojë dhe të luftojë përballë krizës. “Ky është një test dhe ne duhet ta përballojmë atë. Ne duhet të rezistojmë, të luftojmë, të tregojmë kurajë, të jemi gjakftohtë. Ne nuk i përgjigjemi krizës me tension dhe zemërim” tha ai. Ulja e vlerësimit për Francën është përdorur nga kandidati socialist për Presidencën, Fransua Holande, i cili tha se në fillim të mandatit të ri pesëvjeçar Franca ka nevojë për struktura themelore për të shpërndarë pasurinë. Ai akuzoi Sarkozinë se në mandatin e tij të ardhurat janë rritur vetëm për të pasurit. Ndërkohë, kancelarja Anxhela Merkel tha se ulja e vlerësimit për eurozonën nga “Standard & Poor’s” përforcon qëndrimin e Gjermanisë se liderët europianë duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të zgjidhur krizën e borxhit. Merkel dhe Sarkozi kërkojnë rregulla më të ashpra për buxhetin e vendeve europiane, që është futur në krizë që në vitin 2009, pas krizës së borxhit të Greqisë dhe tani rrezikohen Spanja dhe Italia. Dy liderët do të takohen me Mario Montin më 20 janar në Romë për të mbajtur një qëndrim për samitin e fund-janarit. Nga ana tjetër, bisedimet e qeverisë greke me investitorët privatë për “qethjen” e borxhit pritet të rinisin më 18 janar.











