Eurobond i ri, qeveria, e pavendosur

Sep 21, 2011 | 10:00
Selia e FMN

Shqipëria mund të dalë për një eurobond të dytë në tregjet e kapitalit, por kjo varet nga nevoja që do të ketë qeveria për këto para.Kryeministri Sali Berisha, në një intervistë për “Bloomberg” gjatë qëndrimit të tij në SHBA, është shprehur se aktualisht klima nuk është shumë e favorshme për të marrë një tjetër eurobond, “por, nëse do të kemi nevojë, do të dalim në këto tregje”. Ndërkaq ai ka shtuar se pritet që këtë vit Shqipëria të ketë një rritje ekonomike 5 për qind dhe 5.5 për qind për vitin tjetër. Lidhur me eurobondin, pasiguria për të dalë në tregje vjen në një kohë kur Europa është e mbërthyer nga kriza e borxhit, një problem ky që ka mbledhur herë pas here krerët e BE-së për të diskutuar një zgjidhje dhe kur shqetësimi më i madh është për vendin fqinj tonin, Greqinë. Në këtë situatë, qeveria shqiptare ka pak gjasa që të dalë, sidomos edhe pas efektit që po jep politika e ndjekur nga Banka Qendrore Europiane. Pikërisht kësaj nisme i është referuar edhe Kryeministri Sali Berisha kur është shprehur se programi i Bankës Qendrore Europiane për të blerë eurobondet është një shqetësim për politikëbërësit shqiptarë, pasi po dobëson euron. “Blerja e borxheve të vendeve të ndryshme nga BQE në shqetëson mjaft. Po zhvlerëson euron dhe ne nuk jemi një vend “anëtar i euros”, por ama, jemi një ekonomi që ushqehemi me euron”, është shprehur për “Blloomberg” Kryeministri.
Vitin e kaluar, në tetor, Shqipëria emetoi eurobondin e parë me një vlerë prej 300 milionë eurosh dhe me një interes prej 7.5 përqindësh. Edhe pas gjithë këtyre, dhe ecurisë së ekonomisë në përgjithësi, Shqipëria është vlerësuar nga agjencitë ndërkombëtare të kreditit që vlerësojnë aftësinë që ka vendi për të paguar borxhet (siç janë Moody’s apo Standard and Poor’s), me të njëjtin nivel sikurse dhe më herët, B1. Nga ana e qeverisë është marrë përsipër që të fillojë ulja e borxhit publik, i cili ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i ngritur nga FMN-ja, Banka Botërore dhe së fundi edhe nga përfaqësuesi i BE-së në Shqipëri. Ulja e borxhit parashikohet që të fillojë në 2013-n, sipas deklaratave të bëra edhe nga kreu i qeverisë. Aktualisht niveli i borxhit publik vlerësohet të jetë 59.7 për qind e GDP-së, ndërkohë që FMN-ja ka kërkuar që për uljen nga ky nivel të përdoret një rregull i saktë matematik për disa vite.

FMN: Ekonomia e Shqipërisë do të rritet vetëm 2.5 për qind
Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk pret që Shqipëria të ketë rritje ekonomike më të lartë se sa 2.5 për qind përgjatë këtij viti. Kjo shifër, në fakt, është larg parashikimit të qeverisë, e cila pret që rritja të jetë 5 për qind. Në raportin e fundit të FMN-së, të publikuar dje lidhur me ecurinë e ekonomisë globale dhe parashikimeve për ekonomitë e shteteve, FMN-ja thekson se rritja ekonomike është ngadalësuar dhe ka hyrë në një fazë të rrezikshme. Sipas FMN-së, shtetet duhet të tregohen të kujdesshme me politikat e tyre fiskale dhe, nga ana tjetër, të jenë të kujdesshme me balancat në llogaritë korrente, me deficitin apo borxhin publik. Për Shqipërinë, raporti vëren se edhe në vitin pasardhës rritja ekonomike do të jetë 3.5 për qind, një parashikim sërish larg atyre që bën qeveria. Sakaq, lidhur me inflacionin, FMN-ja vëren se ai do të jetë mesatarisht brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, me 3.9 për qind, por sigurisht, kjo përqindje mbetet e lartë. Në fund të vitit inflacioni parashikohet të jetë 3.5 për qind. Një tjetër parashikim që bën FMN-ja lidhet me llogarinë korrente, një pikë kjo që gjatë vizitave të Misionit në Shqipëri është vënë theksi për përmirësim dhe balancim. Balanca në llogarinë korrente parashikohet të jetë deri në fund të 2011-s -10.9 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, një përmirësim i lehtë krahasuar me një vit më parë, kur kjo balancë ishte sa 11.8 për qind e GDP-së. Në një mënyrë periodike në vitet pasardhëse FMN-ja parashikon që balanca në llogarinë korrente të vijë duke u përmirësuar dhe deri në vitin 2016 të arrijë 6.9 për qind.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura