Euroja dhe kriza e borxheve sovrane ishin në qendër të zhvillimeve politike dhe veçanërisht ekonomike e financiare të BE-së në përgjithësi dhe të eurozonës në veçanti, gjatë gjithë vitit 2011 që sapo lamë pas. Ato ishin edhe kryefjala e këtij fillimviti dhe duket se do të mbetet e tillë deri në fund të tij. Euroja mbushi 10 vjet jetë.
Duke lënë pas këta 10 vjet, në ndërrimin e viteve, Europa nuk u zgjua e qetë, pse jo, e tronditur. “Plagët e krizës” që përjetoi eurozona gjatë vitit që shkoi mbeten të “hapura”. Dhimbjet e tyre u rritën dhe u shpërndanë përtej vendeve të eurozonës. Një vit i vështirë ekonomik, financiar e social po fillon…
VITI 2012 – VIT I VËSHTIRË JO VETËM PËR EUROZONËN
Të pashtershme ishin përpjekjet e liderëve të vendeve më të zhvilluara (G-8, G-20), të SHBA, vendeve të BE-së dhe të eurozonës, të grupimeve më të fuqishme ekonomike globale dhe të institucioneve ekonomike e financiare ndërkombëtare gjatë vitit 2011. Një Aleancë Globale Antikrizë u ngrit dhe u zhvillua përmes një sërë takimesh dypalëshe e shumëpalëshe, forumesh e samitesh, me vendimmarrje për ndryshime dhe reforma gjithëpërfshirëse, politike, ekonomike e financiare (sidomos për vendet e BE-së dhe të eurozonës). Por, me gjithë progresin e arritur, kriza është ende prezente, ajo po vepron dhe ndikon në ekonomi dhe në financat publike, në jetën dhe lëvizjet sociale. Institucione, politika, instrumente, shkolla të mendimit politik dhe ekonomik po ndryshojnë, po evoluojnë. Megjithatë, jemi futur në fillimvitin 2012, në një vit të vështirë, ndoshta më i vështiri i këtyre 4-5 viteve krizë për ekonominë globale dhe veçanërisht për eurozonën. Një vit i vështirë ekonomik e financiar do të jetë viti 2012, deklaroi në ditët e fundvitit që lamë pas Kristin Lagard, drejtorja Ekzekutive e FMN-së për situatën e pritshme të zhvillimeve në ekonominë globale. Dy protagonistët kryesorë “të shpëtimit të euros dhe eurozonës” dhe të reformave për çuarjen përpara të bashkimit politik, ekonomik, fiskal e monetar të BE-së, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez Nikola Sarkozi, nuk munguan që në përshëndetjet drejtuar popujve të vendeve të tyre me rastin e Vitit të Ri 2012, të paralajmëronin vështirësitë dhe rreziqet e vitit 2012 dhe “frikën” e një recesioni tjetër ekonomik për vendet e eurozonës. Kështu, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Europa po përballet me testin më të vështirë në dekadat e fundit. Ndërsa për Presidentin francez, viti 2012 është i mbushur me rreziqe. Shumë analistë parashikojnë recesion në vitin 2012 – duke iu referuar shifrave të publikuara së fundi, që tregojnë se rritja ekonomike në kontinentin e vjetër, në periudhën korrik-shtator, ka qenë vetëm 0.2%. Me gjithë masat e marra në samitet e fundit të BE-së dhe të eurozonës, të cilat konsiderohen në “drejtimin dhe rrugën e duhur”, “të gjithë janë të trembur” se efektet do të vonojnë dhe pasiguria gjatë këtij viti do të rritet. Edhe pse ndryshimet në Traktatin e Lisbonës apo krijimi i një traktat i ri mund t’u japin shtysë zhvillimeve pozitive politike në BE, edhe pse ndryshimet pozitive në “Qeverisjen e përbashkët ekonomike”, në rritjen e rolit të BQE-së dhe krijimit të pritshëm i “Unionit Fiskal” dhe “miratimi e zbatimi i një strategjie të re punësimi në BE” konsiderohen instrumentet më efikase të përballjes së kësaj krize, ajo, kriza, këtë vit do t’i kalojë “kufijtë e eurozonës” dhe do të “godasë akoma më tepër” edhe vendet e tjera, përfshi edhe vendin tonë. Zhvillime të reja ekonomike e financiare, monetare e sociale priten që të na shoqërojnë këtë vit, dhe pa dyshim, euroja do të mbetet në qendër të vëmendjes bashkë me ekonomitë e vendeve të eurozonës dhe të vendeve të tjera të efektuara nga kjo krizë. Por çfarë do të ndodhë me to, me euron…? Por më parë le të shohim…
NJË VËSHTRIM HISTORIK NË 10-VJETORIN E EUROS
Dhjetë vite që kaluan mbetën për euron, pa dyshim, një histori e tërë suksesi dhe sfidash, me ulje dhe ngritje, me zhvillim dhe frenim, shkëlqim dhe tronditje, ëndërr dhe realitet…. Kjo sepse euroja është bashkudhëtarja më e rëndësishme e BE-së në 10 vjetët e fundit. Natyrisht, rruga që përshkoi krijimi dhe zhvillimi i BE-së nuk ishte e lehtë. Kësisoj edhe rruga e euros, ndonëse më e shkurtër në kohë, ka krijuar historinë e vet, e cila nuk mund të mos jetë e lidhur me historinë e BE-së, tashme e njohur, për më tepër pjesë e rrugëtimit të saj, është bërë dhe vendi ynë, Shqipëria.
Në fakt, zanafilla e kësaj historie (BE-së), është më shumë se 60 vjet më parë (në vitin 1948), në Kongresin e Europës, ku Çërçilli shpjegoi vizionin e tij për Europën dhe ëndrrën europiane, duke krijuar kështu të ardhmen e një kontinenti (të kapur prej shekujsh nga luftërat), kur tha se “ne shpresojmë të shohim një Europë ku njerëzit e çdo shteti do të mendojnë që janë europianë, ashtu siç i përkasin vendit të tyre të lindjes, dhe… kudo që ata të shkojnë në këtë zonë të gjerë, me të vërtetë do të ndiejnë se ‘këtu unë jam në shtëpinë time’”. (Shih: Jeremy Rifkin, The European Dream, faqe 200).
Por, më konkretisht ideja e një bashkimi jo vetëm ekonomik, por edhe monetar (UEM), është e lidhur me Traktatin e Romës (mars 1957). Që atëherë u perceptua nevoja e një monedhe unike, si një komponente logjike dhe e domosdoshme e një tregu të gjerë të brendshëm pa kufij, të karakterizuar nga qarkullimi i lirë i njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, i kapitaleve dhe në radhë të parë, i ideve. Por, hapat e parë për konkretizimin e euros janë të lidhur me Traktatin e Mastrihtit (1992), ku krahas shumë akteve e vendimeve të rëndësishme, u përcaktua gjithashtu edhe axhenda e vendosjes së monedhës së përbashkët europiane, euro, që duhet të ishte e pranuar që prej 1 janarit 1999. Traktati hyri në fuqi më 1993-shin, pas ratifikimit nga 12 vendet e BE-së.
Pra, euroja lindi si monedha e një hapësire të re e të gjerë ekonomike e financiare për disa shkaqe dhe arsye: për t’u bërë një valutë e re, me referim në nivel botëror, si një alternativë ndaj dollarit amerikan dhe jenit japonez. Kjo sepse euroja synonte të bëhej instrumenti më i rëndësishëm monetar për zhvillimin e harmonizuar dhe të qëndrueshëm ekonomik e financiar të vendeve anëtare të BE-së, për ruajtjen dhe mbajtjen më mirë në kontroll të inflacionit, për zbatimin e politikave efikase të interesit dhe lehtësimin e sistemit të pagesave, për zbatimin e politikave më të shëndosha buxhetore, fiskale e monetare dhe të subvencioneve (sidomos në bujqësi), tërheqjen e më shumë investimeve në vendet dhe ekonomitë e tyre, studimin dhe përdorimin më efikas të tregut europian të punës dhe mbështetjes së zhvillimit të sektorit energjetik, të teknologjive të reja dhe edukimit, probleme këto që kanë qenë në qendër të vëmendjes së qeverive të vendeve të BE-së. Pra, siç shihet, adoptimi i euros nuk u ndërmor si një proces i thjeshtë teknik, një ndërrim tabele apo emri i kartëmonedhave të vendeve anëtare të BE-së, as thjesht një çështje e teknikës bankare. Përkundrazi, një proces shumë i rëndësishëm… politik, ekonomik, financiar e monetar. Ekzistenca e monedhave të ndryshme përfaqësonte një pengesë për vendet e ndryshme europiane që synonin bashkimin politik, ekonomik, financiar e monetar. Dhe mënjanimi i kësaj pengese do të ndihmonte në një ekspansion të tregjeve. Kjo sepse ekzistenca e monedhave të ndryshme në këtë hapësirë, gjithashtu, lehtësonte luhatje në kurset e këmbimit, stimulonte një konkurrencë të ashpër, sillte një instabilitet të kurseve të këmbimit dhe nuk i shërbente krijimit të tregut unik në shkëmbimet tregtare midis vendeve të Bashkësisë. Ky sistem u themelua me rezolutën e Këshillit të Europës në Bruksel, në dhjetor 1978, ku u nënshkrua marrëveshja midis bankave qendrore, ndërsa funksionimi i tij filloi në mars 1979, ku u përcaktua edhe kursi mesatar i valutave të tyre (sipas një shporte monedhash, ku pjesëmarrja e çdo vendi anëtar përcaktohej në bazë të disa treguesve që lidheshin me vendin që zinin në tregtinë e jashtme të BEE-së në EKU-ja (Europian Currency Unit) që shërbente si njësi monetare llogaritëse e Bashkësisë Ekonomike Europiane.
Funksionimi i këtij sistemi kishte rëndësi të madhe sepse pa një monedhë të përbashkët do të ishte shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur, përshpejtimi i Bashkimit Ekonomik Europian. Dhe eku-ja ishte monedha e përbashkët që i përgjigjej TPE-së. Kalimi nga eku-ja në euro kaloj në tri faza:
Faza e parë (1998 – 1999 deri më 31 dhjetor 1999) që konsiderohet si përgatitore, ku vendet europiane konstituuan Bankën Qendrore (BQE-në), organizimin që do të qeveriste politikën monetare të euros. Në këtë fazë u përcaktuan vendet që mendoheshin se i përmbushnin kushtet dhe ishin të afta për të adaptuar euron; si dhe filluan përgatitjet me karakter teknik e ligjor për t’u bërë në gjendje të veprojnë me monedhën e re – monedhën unike. Faza e dytë (10 janar 1999 deri më 31 dhjetor 2001) përfaqëson etapën kur euroja, tanimë monedha e vetme europiane, akoma nuk ka marrë formën e banknotës. Dhe kjo përbën fazën më delikate, sepse adoptimi i euros nga operatorët ekonomik ishte një proces gradual me një kohëzgjatje 2–3-vjeçare. Tranzicioni në euro, në fakt, filloi më 10 janar 1999, datë në të cilën do të fiksoheshin në mënyrë të parevokueshme kurset e këmbimit midis valutave të vendeve pjesëmarrëse në vlerën e euros. Në këtë fazë fillon të përdoret euroja me prevalencë nga bankat dhe grupet e mëdha financiare e industriale. (Me lindjen e euros, eku-ja pushon së ekzistuari dhe në të gjitha funksionet zëvendësohet me monedhën e re, euron, në raportin 1 me 1. Faza e tretë (adoptimi definitiv i euros (1.1.2002) nga 10 janar 2002: duke filluar nga kjo datë euroja bëhet (qarkullon) si banknotë, si monedhë metalike dhe zëvendëson monedhat kombëtare të vendeve të Bashkësisë (liretën, fr. franceze, dm etj.). Domethënë, në këtë datë hyjnë në qarkullim banknotat e monedhat në euro. Pra, në këtë fazë, të gjitha veprimet bankare kryhen në euro:
Në përputhje me këtë “program-kalendar”, në vitin 1998, eurozona u krijua më 11 vende (Austria, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Portugalia dhe Spanja), të cilat përmbushën të ashtuquajturat kritere të konvergjencës. Greqia i përmbushi kriteret në vitin 2000 dhe u pranua një vit më vonë. Sllovenia në vitin 2006 dhe u pranua më 1 janar të 2007-s. Qipro dhe Malta i përmbushën kriteret një vit më vonë dhe u pranuan më 1 janar të 2008-s. Sllovakia një vit më vonë për të ardhur te Estonia, e cila iu bashkua eurozonës më 1 janar të vitit që shkoi. Vlen për t’u theksuar fakti se tri shtete të vogla të kontinentit europian (Vatikani, Monako dhe San Marino), megjithëse nuk janë anëtare të BE-së, kanë adoptuar euron për shkak të lidhjeve valutore me vendet anëtare. Tri shtete të tjera europiane, Andorra, Mali i Zi dhe Kosova (kjo e fundit me leje të OKB-së) përdorin euron, megjithëse edhe këto nuk janë anëtare. Por, megjithëse gjithë shtetet anëtare të BE-së kanë të drejtë të adoptojnë euron (me kusht përmbushjen e disa detyrimeve monetare), jo të gjithë anëtarët e BE-së kanë vendosur ta adoptojnë atë. Të gjitha vendet që i janë bashkuar BE-së që nga Traktati i Mastrihtit patën deklaruar se do ta adoptojnë euron në të ardhmen. Traktati themelues i BE-së i detyron anëtarët aktualë të adoptojnë euron; e megjithatë Britania e Madhe dhe Danimarka negociuan përjashtime nga ky detyrim. Suedia e refuzoi euron në një referendum më 2003-shin dhe e ka shmangur detyrimin për t’u bashkangjitur duke mos i plotësuar kushtet. E pra, kështu, rrugëtimi 10-vjeçar i euros u bë “lojtari” i dytë në tregjet financiare ndërkombëtare përballë dollarit amerikan, derisa kriza globale, në fillim dhe më pas ajo e eurozonës shpërtheu… Dhe tashmë, ajo, euroja, u vu në shënjestër.
KRIZA E BORXHEVE DHE SFIDA E EUROS. TRAKTATI I MASTRIHTIT – ËNDËRR APO REALITET?!
Duket se 5-6 vitet e para të 10-vjeçarit të ekzistencës së euros konsiderohen si vite të konsolidimit të saj, edhe pse jo të suksesshme. Pra euroja përjetoi periudhën e “lulëzimit” të saj dhe eurozona ndihej “komode” në këtë proces (vlerësimi i euros me USD arriti në 12-15 %). Kështu që konkluzioni në fund të vitit 2006, në fillim të vitit 2007, ishte se “…euroja e përballoi me sukses sfidën e vet dhe tashmë ajo po rriste gjithnjë e më shumë influencën e vet ndërkombëtare, krahas dollarit amerikan…”. Euroja u forcua dhe u mbivlerësua me shpejtësi ndaj dollarit amerikan (vlerësimi i euros me USD arriti në 12-15% dhe në fund të muajit korrik 2007, 1 euro në tregjet valutore ndërkombëtare u shkëmbye me 1.6 USD).
Por, pas 6-mujorit të dytë të vitit 2007, kur shpërtheu kriza globale dhe sidomos që nga fundi i vitit 2009 dhe fillimi i vitit 2010 e deri më sot, eurozona dhe vete monedha e përbashkët europiane vazhdojnë të ndodhen përballë sfidës më të madhe të historisë së saj gati dhjetëvjeçare, krizës së borxheve sovrane e deficiteve dhe tronditjes së vetë eurozonës. Recesioni preku eurozonën, Greqia u trondit nga kriza e borxheve dhe efekti domino preku Irlandën, Portugalinë, Spanjën, Italinë dhe rrezikon e kërcënon ende…. “Frika e falimentimit të shteteve” ekziston akoma. Tashmë që kriza po bën katër vite dhe pritet të ashpërsohet më shumë këtë vit, në eurozonë nuk ka më dilema për shkaqet, arsyet, pasojat dhe efektet e saj. Edhe lloji i masave që duhet të merren, sidomos në vendet e eurozonës dhe në BE, po qartësohen. Kështu, përfundimet e arritura për këtë çështje tregojnë se shkaqet e kësaj krize të rëndë në vendet e BE-së dhe në eurozonë sidomos, janë sa të vetë formës së procesit të integrimit, aq dhe të përmbajtjes, sa politike, aq dhe institucionale, sa të politikës ekonomike, aq edhe të asaj financiare e monetare, sa të akteve ligjore, rregullatore dhe mbikëqyrëse, aq edhe të zbatimit të atyre ekzistuese (kritereve të Mastrihtit), sa sociale dhe humane, aq dhe të vizionit dhe të së ardhmes së ekonomisë globale dhe të vetë procesit të globalizimit. Prandaj dhe fokusi i masave antikrizë është përqendruar në ndryshime politike (me sens forcimi të integrimit politik të BE-së) dhe institucionale (forcim dhe krijim të institucioneve ekzistuese dhe të reja politike dhe ekonomike-financiare) si rritja e rolit të Presidentit të BE-së, të qeverisë, ministrit të Financave (komisionerit), BQE-së, Qeverisjes së Përbashkët Ekonomike Europiane, Unionit Financiar Europian, krijimit të FSEF etj.
E pikërisht në vazhdim të marrjes së këtyre masave dhe zbatimit të tyre, të dielën e ardhshme, Merkel e Sarkozi do të takohen sërish. Ata po përgatisin Samitin e ardhshëm (të radhës?!). Vendimmarrje të reja priten. Çfarë do të ndodhë? PO…
E ARDHMJA E EUROS?
Dje, në tregjet financiare, 1 euro u shkëmbye me 1.29 USD (1 euro = 1.29 USD). Duket se shkallët që euroja i ngjiti në 5-6 vitet e para të saj (korrik 2007,1 euro=1.6 USD), po i zbret duke iu afruar vlerave që ajo pati në vitet e para të saj. Analistë, ekspertë, institute të specializuara monetare dhe banka të fuqishme nuk kanë ngurruar ta thonë se ky vit do të jetë viti i dollarit amerikan. Hamendësime dhe pikëpyetje të mëdha, supozime dhe ide të ndryshme janë hedhur e po qarkullojnë për fatin dhe të ardhmen e euros. Një ide (pesimiste-regresiste), e cila shkon në ekstrem, pretendon se euroja nuk do të ketë të ardhme dhe se vendet e eurozonës do t’u kthehen monedhave të tyre kombëtare të “epokës së para-euros”. Kjo ide bie ndesh me kahjen e zhvillimit të procesit integrues të BE-së, proces në të cilin monedha e përbashkët, euroja, ka rolin e saj të pazëvendësueshëm. “Rrota e historisë” së proceseve integruese të BE-së vështirë se mund të kthehet prapa. Ajo mund të hasë në pengesa, në ulje dhe rritje, zhvillim dhe frenim, por ajo do të ecë përpara, pavarësisht nga shpejtësia në periudha të ndryshme kohe. “Rruga për të kapërcyer këtë nuk do të jetë pa pengesa, por në fund të kësaj rruge Europa do të dalë më e fortë nga kriza se më parë”, tha Merkel në fjalimin e Vitit të Ri. Ajo tha se qeveria e saj do të bëjë “gjithçka” për ta nxjerrë euron nga rënia. Pra euroja do të mbetet. Ajo do të jetë, krahas dollarit amerikan, një monedhe e rëndësishme në tregjet financiare ndërkombëtare. Së paku me gjykimet e situatave aktuale dhe prognozimeve të deritanishme.
Një ide tjetër është ajo e rikthimit në monedhat e mëparshme kombëtare në disa shtete ku kriza i ka prekur më shumë (Greqia, Spanja etj). Është e mundshme, pse jo, por shumë e vështirë. (Megjithëse flitet për “një plan rezervë në këtë çështje”. Por më e mundshme, pas miratimit të Unionit Fiskal, i cili shton shanse për aplikimin e penaliteteve fiskale për vendet e eurozonës që “shkelin kriteret”, do të ishte “kalimi në karantinë i këtyre shteteve”, duke u mbikëqyrur me rigorozitet në zbatimin e masave, reformave dhe kritereve të Mastrihtit.
KONKLUZIONE-REKOMANDIME
1-Kriza e eurozonës do të vazhdojë më e rëndë dhe më e vështirë edhe gjatë vitit 2012. Ajo do të shtrihet dhe do të efektojë përtej vendeve të eurozonës, përfshi dhe ekonominë dhe financat publike të vendit tonë që këtë vit do të “goditen më fortë nga kjo krizë”.
2-Përballimi i krizës ekonomike, financiare e sociale në Shqipëri kërkon zbatimin e një programi kursimi për financat publike dhe menaxhim të kujdesshëm të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, ndryshime të shpejta dhe radikale strukturore në ekonomi dhe një strategji e politika të reja punësimi në vend, rritje të konsumit, por edhe menaxhim eficient të buxheteve familjare.
3-Banka e Shqipërisë të rritë kujdesin dhe mbikëqyrjen në tregun e brendshëm financiar duke rritur vigjilencën mbi “kreditë e këqija” dhe të reflektojë më me shpejtësi në politikën monetare dhe të interesave si dhe të jetë koherente me ndryshimet në tregjet financiare ndërkombëtare duke reflektuar në diversifikimin e rezervës sonë valutore kundrejt këtyre ndryshimeve dhe interesit të ekonomisë dhe financave tona.
4-Për këtë vit, biznesi shqiptar dhe konsumatorët të diversifikojnë portofolin (kursimet) dhe buxhetet e tyre familjare (paratë) me prioritet, monedhën kombëtare vendase (lekun shqiptar), dollarin amerikan dhe euron.
© Panorama.al












