Euralius: Korrupsioni të hetohet nga Krimet e Rënda

Jul 14, 2012 | 12:42
Eksperti i EURALIUS, Pietro Spera

Misioni i asistencës europiane për Drejtësinë shqiptare, EURALIUS propozon që vepra penale e korrupsionit të hetohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda në rastet kur favorizon pastrimin e parave. Propozimet për ndryshime në legjislacionin për Gjykatën për Krimet e Rënda dhe përfshirjen në kompetencat e saj të pastrimit të parave dhe korrupsionit u bënë dje nga Pietro Spera, ekspert i EURALIUS gjatë zhvillimit të konferencës “Praktikat e mira  të  drejtësisë penale”. Sipas ekspertit të EURALIUS, kjo do ta bënte më të frytshme luftën e Drejtësisë. “Do të doja të bëja një propozim të thjeshtë: nëse ju mund të futni në rastin e pastrimit të parave edhe korrupsionin në kompetencën e Krimeve të Rënda. Sepse, në mjaft raste rezulton se korrupsioni favorizon pastrimin e parave. Ne nuk mund të mendojmë një lufte efikase nëse në këtë fushë nuk bashkëngjitet edhe korrupsioni. Pra edhe njëherë, korrupsioni për veprën e pastrimit të parave së bashku me të duhet të përfshihet te Gjykata e Krimeve të Rënda. Në këtë pikë mbase do të ishte e mundur të përfshihen disa nene dhe nëse kjo ka lidhje me vullnetin politik, atëherë të shikohen format me të rënda të korrupsionit”, tha Spera. Sipas ekspertit të EURALIUS-t, pastrimi i parave mund të ndahet në dy kategori, ajo e pastrimit të parave në rrethana lehtësuese dhe rënduese dhe kjo nuk mund të hetohet nga një prokurori e zakonshme, por nga Krimet e Rënda. Duke i mëshuar nevojës së luftës kundër pastrimit të parave, Spera tha se pastrimi i parave rrit në mënyrë artificiale nivelin e çmimeve. “Nëse unë duhet të blej një objekt 100 mijë euro, do të përpiqem të negocioj për ta blerë 70 mijë. Kurse një person që kërkon të pastrojë para, do të ofrojë direkt 120 mijë euro. Në këtë formë rritet në mënyrë artificiale niveli i çmimeve”, tha Spera. Konferenca e djeshme u organizua nga Gjykata për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me projektin EURALIUS III “Konsolidimi i sistemit të drejtësisë shqiptare” dhe Komisionin Europian.
Kryegjyqtari Simoni
Sandër Simoni, kreu i Gjykatës për Krimet e Rënda, e cilësoi dje Gjykatën që ai drejton një histori suksesi, që ka ndikuar në forcimin e kapaciteteve të pushtetit Gjyqësor e në efikasitetin e sistemit të Drejtësisë penale. Në vijim, ai paraqiti një analizë të përgjithshme të rezultateve të Gjykatës për Krimet e Rënda, që prej formimit të saj në vitin 2004. “Numri më i madh i çështjeve gjyqësore ka të bëjë me veprat penale të ‘trafikimit të lëndëve narkotike’, rreth 40 për qind. Më pas vijnë ato të kryera në kuadër ‘të grupit të strukturuar kriminal e të organizatës kriminale’, ‘të trafikut të armëve e municioneve’, ‘të trafikut të femrave’ dhe më pas ato të ‘shtrëngimit me dhunë për dhënie pasurie’ etj”. Duke paraqitur statistika mbi moshën mesatare të të pandehurve, si edhe shpërndarjen gjeografike të veprave penale, kreu i Krimeve të Rënda tha se është rritur numri i femrave dhe i të miturve, autorë të veprave të krimit. “Janë sjellë para Gjykatës për Krime të Rënda rreth 2 800 të pandehur. Target-grupi më i madh i të pandehurve është ai i moshës 25–35 vjeç. Shpërndarja gjeografike është e ndryshme dhe veprat penale, kryesisht ato të trafiqeve, janë kryer brenda e jashtë vendit. Harta gjeografike e veprimtarisë kriminale tashmë është zgjeruar, përveç vendeve të rajonit e atyre evropiane, përfshin edhe vende të Amerikës Latine, atyre të Ulëta e Skandinave. Karakteristikë është rritja e numrit të femrave autore të veprave penale, të miturve, si ato të trafikimit të narkotikeve, si dhe rritja e nivelit arsimor të të pandehurve”, tha Simoni.

Çështjet
Sipas kreut të Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, që prej nisjes së punës së Gjykatës për Krimet e Rënda, në tërësi numri i çështjeve të shqyrtuara nga kjo Gjykatë është mbi 1100. Ndërsa totali i çështjeve, së bashku me kërkesat për sekuestrim, konfiskim e kërkesat e tjera në fazën e hetimeve paraprake, shkon më tepër se 7300.

20 milionë euro
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha dje në fjalën e tij në konferencë se vetëm vlera e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga Gjykata e Krimeve të Rënda është rreth 20 milionë euro. “Janë 20 milionë euro që i janë marrë krimit
që e dobësojnë ndjeshëm atë dhe i jepen fuqizimit të shtetit ligjor”, tha Halimi.

“Masat e sigurisë në gjykata rrethi”
TIRANE – Kryetari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda u shpreh dje që të zgjerohej numri i veprave penale, duke futur krimet e rënda në kompetencën e Krimeve të Rënda. Gjatë fjalës së tij, kreu i Apelit shprehu shqetësimin e dhënies së verdikteve përfundimtare në Apelin e Krimeve nga gjyqtarë të deleguar. “Një pjesë e mirë e vendimeve përfundimtare jepen nga gjyqtarë të Apelit të Tiranës, ose të rretheve. Kjo pasi trupa e Apelit konsumohet shpejt, me shqyrtimin e masave të sigurisë, si edhe të kërkesave gjatë gjykimit në Shkallën e Parë”, tha Përnoca. Sipas kreut të Apelit, kjo bëhet shkak për vendime të cenueshme, pasi janë shpallur nga gjyqtarë të padekretuar për Krimet e Rënda. Në vijim, ai sugjeroi krijimin e kushteve ligjore që masat e sigurimit të gjykohen në apelet e rretheve. “Të paktën, trupa gjyqësore e Apelit për Krimet e Rënda të çlirohej nga masat e sigurimit”, u shpreh Përnoca. Tjetër sugjerim i tij ishte që numri i kolegjeve gjyqësore të Apelit të mos përbëhej nga pesë anëtarë, si aktualisht, por nga tre të tillë.

Hallunaj: Të ndryshojë ligji
TIRANE – Dritan Halluaj, gjyqtar i Krimeve të Rënda, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, shprehu dje nevojën e ndryshimeve dhe përmirësimeve në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krimet e rënda”. Hallunaj paraqiti 10 pika ku ligji duhet të ndryshonte. Sipas tij, mandati 9-vjeçar i gjyqtarëve të Krimeve, ndryshe nga sa ishte konceptuar në përpilimin e ligjit në vitin 2003, tashmë krijon pasiguri dhe mungesë garancie për palëvizshmërinë në detyrë të gjyqtarit. Një tjetër ndryshim i sugjeruar nga Hallunaj ishte ai e shtesës së mënyrës së gjykimin me një dhe tre gjyqtarë të kërkesave për sekuestrim dhe konfiskim, sipas ligjit antimafia. Hallunaj sugjeroi ndryshimin ligjor për detyrimin e KLD-së për t’i dhënë përparësi gjyqtarëve të Krimeve të Rënda për sigurinë në punë dhe në karrierën e tyre. Po ashtu, ai kërkoi përmirësim të pagesave të gjyqtarëve. “Paga e gjyqtarëve të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në raport me vështirësinë e punës që ata kryejnë, duhet të përmirësohet”, u shpreh Hallunaj.

“Dënimet sipas sasisë së drogës”
TIRANE – Luan Hasneziri, anëtar i trupës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, propozoi dje disa ndryshime në Kodin Penal në lidhje me veprën e “trafikut të narkotikeve”. Sipas gjyqtarit Hasneziri, në legjislacion duhen parashikuar dispozita më vete për trafikimin e lëndëve narkotike, në varësi të sasisë. “Duhet të jetë një dispozitë penale më vete për trafikimin e narkotikeve në sasi të vogla dhe një dispozitë penale më vetë për trafikimin e narkotikeve në sasi të mëdha”, u shpreh Hasneziri. Në vijim, gjyqtari theksoi se të ndryshme duhet të jenë edhe masat e dënimit të veprës penale në varësi të llojit të narkotikut, pak i rrezikshëm, apo shumë i rrezikshëm, si edhe sasisë së tij. Sipas gjyqtarit, kjo edhe për faktin e numrit të lartë të rasteve të trafikut të narkotikeve jo shumë të rrezikshme, si marijuana, apo kanabis sativa në vendin tonë. “Mendoj se për sasitë më pak se pesë kilogramë për lëndët narkotike jo të rrezikshme, apo më pak se 500 gramë për ato shumë të rrezikshme, të dënohen nga 4 deri në 7 vjet burg”, u shpreh Hasneziri.

Halimi: Dobësuam ekonominë e krimit
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha dje se Gjykata e Krimeve të Rënda ka qenë pararojë e luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri gjatë këtyre viteve, duke e portretizuar punën e këtij institucioni si histori suksesi. Halimi theksoi se Shqipëria nuk është më vendi ku strehohet krimi, pasi vetëm gjatë muajve të fundit janë arrestuar më se 40 persona të kërkuar në Itali. Ministri vuri në dukje edhe pasuritë që u janë bllokuar personazheve që kanë pasur të ardhura nga veprimtaria kriminale. “Janë mbi 40 personat e ekstraduar ne Itali vetëm muaj e fundit, duke sjelle një garanci për qytetarët dhe publikun: Krimi nuk ka më strehë në Shqipëri, dhe kjo u bë e mundur falë jush, falë kontributit tuaj dhe organeve të zbatimit të ligjit në Shqipëri”, tha Halimi. Sipas tij, vlera e pasurive  të sekuestruara e të konfiskuara nga Gjykata  e Krimeve të Rënda është rreth 20 milionë euro. “Janë 20 milionë euro që i janë marrë krimit dhe e dobësojnë ndjeshëm atë dhe i jepen fuqizimit të shtetit ligjor”, tha Halimi.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura