Ndërkohë që loja brenda shtëpisë së “Big Brother” po bëhet gjithnjë e më e fortë, pasi dihet që jemi afër fundit, njëra nga konkurrentet që duket se e do shumë fitoren, është edhe Ermela Mezuraj. Pavarësisht se brenda asaj shtëpie ajo ka treguar shumë rreth vetes së saj, sidomos ka spikatur për autoironinë dhe batutat, natyrisht lidhja e saj me Ervinin është diçka që ka lënë gjurmë më së shumti. Duket se edhe pas daljes së Ervinit nga shtëpia, dy të rinjtë kanë bërë plane që lidhja mes tyre të vazhdojë. Ervini është shprehur vazhdimisht që ka rënë në dashuri me Ermelën. Megjithëse në jetë ka pasur shumë eksperienca me femra, tipi i saj e ka bërë shumë për vete. Po kaq entuziaste për këtë lidhje duket edhe familja e Ervinit, madje e motra dhe e ëma e tij i dërgojnë vazhdimisht dhurata Ermelës brenda në shtëpi. Nga ana tjetër Ervini, i cili ka disa shtëpi në Tiranë, ka pohuar se është duke bërë gati njërën prej tyre në mënyrë që kur të dalë nga shtëpia, t’i kërkojë Ermelës të bashkëjetojnë aty. Madje, Ervini, i cili deri dje ka jetuar në mes të katër shteteve, pikërisht për këtë
arsye ka vendosur të jetojë në Tiranë, ku ka ndërmend të ngrejë edhe një biznes të tijin. Ermela, e cila është nën tensionin e lojës, gjithsesi nuk harron të përmendë herë pas here Ervinin dhe preokupohet shpesh se si mund t’i duket atij loja e saj. Pra, deri këtu kemi një panoramë perfekte të të dy të rinjve, të cilët dëshirojnë me të njëjtën forcë këtë lidhje që u realizua falë pjesëmarrjes në “Big Brother”. Por, me sa duket, ka edhe diçka tjetër… Ervini, i cili njihet për pasionin e tij për femrat, me shumë gjasa nuk po e frenon dot këtë pasion, edhe pse ka një lidhje me një femër që tashmë ia di gjithë Shqipëria. Fundjavën e kaluar ai është kapur mat nga paparaci ynë tek pub “Baroque” ku ai shkon shpesh, me një vajzë bjonde. Megjithëse në atë darkë ishte në
shoqërinë e disa prej banorëve të eleminuar, duket se Ervini nuk ka humbur kohë, por ka gjetur një vajzë për t’u argëtuar. Nuk e dimë se çfarë marrdhëniesh mund të ketë me vajzën e panjohur të cilën e shikoni në foto, por një gjë e dimë me siguri, që Ervini atë natë ka patur vemendjen maksimale ndaj saj dhe ka kërcyer me të gjatë gjithë kohës. Si mendoni ju, çfarë reagimi mund të ketë Ermela po t’i shohë këto foto të Ervinit me një tjetër? Ajo as shakanë nuk arriti ta përtypë, lëre pastaj një diçka që ka ndodhur me të vërtetë. Natyrshëm lind pyetja: Ky Ervin qejfliu, a do të arrijë ta frenojë paksa instinktin e tij prej femërdashësi derisa të dalë Ermela apo javën tjetër do të kemi mundësi ta shohim me një tjetër femër në krah?











