Ermela plan për martesë në gusht, Ervini: Ajo do vijë një ditë tek unë

Jan 28, 2012 | 15:03

Toros: Ermela e dashuron marrëzisht Jotin, tani s’ka më vend për Ervinin, por ai ende e do

Ai dinte gjithçka për lidhjen e Ermelës me Ervinin, pasi siç e pohon edhe vetë, ishte krijuesi i atij çifti me histori dashurie telenovelash. Tashmë është dëshmitari i vetëm i një historie dashurie filmash me “happy end”, siç e quan ai atë mes Ermelës dhe Jotit. Pas një ritakimi miqësor me Ermelën, zbulon planin e saj të martesës më 18 gusht me dashurinë e saj të mbetur peng prej tetë vitesh. Në ceremoninë kishtare zbulon se dëshmitarë të çiftit do të jetë ai bashkë me Ervinin.
Toros, ritakohesh me Ermelën pas një ftohjeje mes jush. Si shkoi ritakimi?
Në fakt, mund të them se me Ermelën ne thjesht kishin larguar ambasadat, pra nuk ishim grindur. Ishte një periudhë që, pasi u shoqëruan non stop, kishin nevojë për hapësirat e veta. U ritakuam para pak ditësh në Tiranë, dhe ka qenë një takim shumë i mallëngjyeshëm në kuptimin më të bukur të fjalës, pasi dashuria mes nesh ishte thjesht miqësore. Takimi ynë kishte një ndryshim. Isha mësuar që në drekat e darkat tona të kisha Ervinin në krah, por në këtë rast pashë një dashuri tjetër të Ermelës, për të cilën ajo më kishte folur dhe që ishte Joti. Për Jotin s’mund të flas shumë, por di të them që është artist dhe djalë shumë i mirë. Me pak fjalë, pashë që nuk kishte vend për Ervinin atje, dhe këtë jua konfirmoj, ndonëse Ervini vazhdon të jetë i dashuruar.
Ta ka pohuar vetë Ervini që është ende i dashuruar me Ermelën, apo kjo është një hamndësi jotja?
Ervini vazhdon më flet për Ermelën, pasi e ka fiksim. E do  ende dhe këtu nuk ka asgjë të keqe.
Ke kuptuar dhimbje në bisedat e Ervinit për Ermelën?
Pak dhimbje, po. Ervini më flet gjithmonë, ia ndien mungesën dhe mendoj se ka një dashuri speciale për Ermelën.
Po Ermela?
Ajo jo. Unë pashë që Ermela do vetëm Jotin.
Çfarë ke parë ndryshe te Joti, nëse do bëje krahasimin me Ervinin?
Te Joti jo se pashë ndonjë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, por pashë atë dashurinë e vjetër për Ermelën. Unë u besoj fiksimeve të vjetra, pasi kam një eksperincë personale, jam takuar një Romë pas 23 vitesh me dashurinë time të parë. Ndërsa Ervini është djalë po ashtu i mirë, që vjen nga një familje shumë e mirë, dhe që krijoi një lidhje të bukur me Ermelën për aq kohë sa ishin bashkë. Jemi ngacmuar me njëri-tjetrin në faqet e gazetave, por di të them që dhe kur ka dashur të largohet nga “ombrella nukleare” e Torosit, prapë është rikthyer tek unë, si shok e vëlla.
Çfarë të ka shprehur në lidhje me Ermelën, si shprehet Ervini tani që ajo i përket dikujt tjetër?
Unë kam qenë i pari në BB që kam krijuar dhe besuar në çiftin Ervin- Ermela e kam vazhduar t’i mbështes edhe jashtë lojës. Nga këndvështrimi im mund të them se Ermela është e dashuruar me Jotin, dhe nuk besoj se ka vend më për Ervinin. Por ai natyrisht që ma përmend dhe sot më tha shprehimisht se: “ Ermela mund të jetë e dashuruar, ajo mund të krijojë një familje me Jotin, ia uroj se i dua të mirën, por ama dije se në pension do të jetë me mua, krah për krah duke shijuar një kafe buzë detit, duke kujtuar kohët tona të dashurisë në BB”.
Sipas teje, çfarë lloj dashurie ishte ajo e Ervinit e Ermelës, po kjo e Ermelës me Jotin?
Dashuria Ervin-Ermela ka qenë një dashuri që të gjitha çiftet shqiptare duan ta kopjojnë, pra dashuri telenovelash, e cilësuar si më e bujshmja në vitin që shkoi. Unë e vlerësoj si histori, pasi kam qenë krijuesi dhe uroj që ajo dashuri të mos harrohet. Për sa i përket historisë së Ermelës me Jotin, është dashuri shpirtërore që ka Ermela për atë person dhe ai për Ermelën.
Beson te vazhdimësia e kësaj historie, pra finalizimin me martesë?
Po, besoj tek vazhdimësia e kësaj lidhjeje. Madje, flitet për martesë më 18 gusht, në datën e ditëlindjes së Ermelës. Ata kanë programuar një fëmijë dhe duan të krijojnë një familje të bukur. Do kontribuojmë të gjithë për ceremoninë e saj, madje edhe Ervini, pasi tashmë ka kaluar në atë dashurinë pa kufi ndaj Ermelës. Kur ia komunikova si lajm, ai kërkoi të jetë në rresht të parë të ceremonisë dhe i premtova që në ceremoninë e kishës ai do të jetë shoqëruesi i dhëndrit, ndërsa unë i Ermelës.

Pas parave, Ermela  plotëson ëndrrën e saj për familje
Ndoshta keni menduar se natyra prej një vajze çapkëne e Ermelës do ta bënte të rendte pas aventurave me daljen nga BB?! Në fakt, po ndodh krejt e kundërta. Ajo mezi e ka pritur këtë moment, që t’i japë fund beqarisë dhe të krijojë familjen e saj të lumtur, me të dashurin e saj të zemrës. Duket se fati ka qenë me të, ndërsa planifikon të martohet me djalin nga Lezha, Jotin, pas tetë vitesh ritakim. Edhe pse Ermela është vetëm 25 vjeç, e ka menduar si moshën e duhur për t’u martuar. Madje, paralelisht me ceremoninë e dasmës më 18 gusht dhe blerjen e një apartamenti, ata kanë programuar sjelljen në jetë të fëmijës së tyre të parë. Martesa e Ermelës me Jotin do të ndodhë pas një viti bashkëjetesë në Tiranë, që prej kthimit të Jotit nga Italia.

Ervini: Dashuria për Ermelën ka qenë  e fortë, por unë s’jam për martesë
Jeta plot aventura me Londrës dhe Tiranës është dhe arsyeja që Ervini justifikon faktin se pse nuk është gati për martesë, qoftë edhe me Ermelën, për të cilën pohon se e ka dashur shumë. Ndërkohë që nuk ngurron tashmë, në poziat e një ish-it, të japë opinionin e tij për rikthimin e Ermelës tek ish i dashuri pas tetë vitesh.
Pasi Ermela bëri publike lidhjen me Jotin, pati komente se ti vazhdon ta kesh mendjen tek ajo…
Jo, unë kam jetën time dhe mund të them vetëm që e respektoj zgjedhjen e Ermelës, e më vjen mirë që ajo ndihet mirë me Jotin, pasi me sa kam dëgjuar, ai është një djalë vërtet i mirë.
Ajo ka pohuar që Joti është fiksimi i saj prej tetë vitesh. Të kishte folur ty për të kur ishit bashkë?
Po patjetër që më kishte folur gjatë kohës që ishim bashkë, dhe unë e kam mirëkuptuar.
Duke e njohur tipin e Ermelës, beson te jetëgjatësia e lidhjes së saj me Jotin?
Po besoj, sepse me sa di, Joti është djalë i mirë dhe ata përshtaten bashkë. Mendoj se ata do mund të krijojnë një familje të lumtur dhe do kuptohen me njëri-tjetrin.
Tashmë je penduar që nuk u tregove më i duruar për të vazhduar lidhjen me Ermelën?
Në fakt, unë e pranoj që jam tipi i mashkullit aventurier dhe nuk jam ende gati për martesë e për të krijuar familje. Ermela dëshironte të kundërtën. Por mund të theksoj që asnjëherë s’e kam tradhtuar gjatë kohës që ishim bashkë.
Pas ndarjes, a keni komunikim me njëri-tjetrin, ndodh të takoheni?
Po, unë mund të them që kemi mbetur miq, madje kemi pirë edhe kafe. Patëm disa keqkuptime e kontradikta që u pasqyruan edhe në faqet e gazetave, por më pas bisedat u sheshuan dhe ne s’jemi armiq ashtu siç mund të mendohet. Gjithsesi, unë i uroj Ermelës “Jetë të lumtur!”

Diana, zbulohet dashuria e re e Ervinit me modelen 19-vjeçare
Por ndërkohë që Ermela po mendon seriozisht për jetën e saj, Ervini vazhdon jetën plot aventura. Pas kthimit të tij nga Londra, ai është fotografuar në një lokal në Tiranë, tek shkëmben puthje e rri në intimitet me një vajzë shtatlartë nga Tirana, që quhet Diana. Ajo është modele dhe me të Ervini është takuar në një audiocion për reklamën e re të Vodafone. Thuhet se është nga ato dashuritë me shikim të parë dhe, pavarësisht faktit që Ervini e pranon se është tip aventurier, nuk i dihet se si do të shkojë më tej. Me vajzën që shkurt i thërrasin Ana, ata janë parë të shoqërohen shumë shpesh bashkë. Duket se pas biondes si Ermela, Ervini i ka hedhur më shumë sytë nga brunet shtatlarta, të cilat kanë qenë të shumta që pas ndarjes së tij. Madje, edhe arsyeja pse ata i dhanë fund lidhjes së tyre, ishte një 20-vjeçare, për të cilën Ermela pohoi se e kishte kapur mat. Nuk vonoi shumë dhe, pas acarimit të situatës, Ervini e pranoi që po shoqërohej me dikë tjetër, duke nxjerrë dhe batutën “Iku koha e tigrit si Ermela, tani është koha e panterave”.

© Panorama.al

Te lidhura