Ermela kthehet tek ish i dashuri që la para BB

Sep 17, 2011 | 14:50

Në fakt, mjaftoi një ritakim surprizë televiziv i Ermelës dhe Ervinit, në studion e emisionit “Pasdite në Top Channel”, që pyetjeve të shumta se si po vazhdonte jeta private e saj pas ndarjes gjithë zhurmë nga Ervini, t’u përgjigjej ky i fundit, duke treguar në një farë mënyre se ende nuk e kishte humbur interesin ndaj saj. Dhe pikërisht pyetjes së prezantueses së re, Lira Burgia, për të zbuluar më tej nëse në jetën e Ermelës kishte hyrë ndonjë mashkull tjetër, u duk se i hodhi pak benzinë zjarrit vetë Ervini. Ai, ashtu si kalimthi por jo pa qëllim, tha se Ermela tashmë kishte jetën e saj, dhe se ajo po bashkëjetonte me një djalë tjetër, madje apartamentin me qira, sipas tij, Ermela e kishte marrë shumë afër apartamentit të Ervinit, në zonën e Medresesë në Tiranë. Vetë Ermela nuk e mohoi, por iu përgjigj me ironi, se në fakt po bashkëjetonte me maçokun e saj. Por u duk ama se nuk e gjeti forcën e duhur për ta kundërshtuar plotësisht, atë që Ervini e tha hapur në publik, ashtu siç ajo e ka zakon të mos kursejë askënd. Gjithsesi, si një stratege e mirë e planeve të saj, ajo i dha një mesazh Ervinit që ta mbyllte gojën tani e tutje, ndërsa i bëri një ftesë publike për të konsumuar një kafe së bashku, direkt pas emisionit. E, pavarësisht flirteve të Ervinit me disa vajza të ndryshme, duket se ai asgjë serioze nuk ka nisur në jetën e tij private pas ndarjes nga Ermela, e cila nga ana e saj po përjeton një histori të vërtetë dashurie. Ashtu siç e tha dhe Ervini, ajo vërtet ka nisur bashkëjetësën e saj me një djalë 27 vjeç, i cili nuk është një njohje e re, por në plot e kuptimin e fjalës mund të quhet “fiksimi i vjetër i Ermelës”. Djali që shihni në foto quhet Joti dhe është pikërisht ai djalë që Ermela e ka përmendur brenda lojës së “Big Brother 4”, ndërsa u tregoi banorëve të tjerëve se ajo histori dashurie e para shtatë viteve i kishte mbetur brengë në zemër, pasi nuk ishte konsumuar si lidhje, për shkak të ndërhyrjeve të familjarëve të tij, që nuk e kishin dashur Ermelën në atë kohë. Ata ishin bërë shkak për ndarjen, dhe pas asaj që ndodhi Joti u largua drejt Milanos (Itali), qyteti ku ka jetuar deri para një muaji, kur me kërkesën e Ermelës vendosi të rikthehet në Shqipëri dhe ta riprovojnë edhe një herë lidhjen. Ermela e ka bindur të rikthehet, pasi e ka përjetuar si një histori të vërtetë dashurie, që ndoshta ndodh vetëm një herë në jetë. Ndaj, jo pa qëllim nuk e kurseu as për publikun që të shprehej për brengën e saj, djalin me emrin Jotti, me të cilin që 7 vite më parë ruante një kujtim sa të bukur, po aq edhe të hidhur. Djali me sytë blu nga Lezha, i cili ka ndjekur studimet e larta në Universitetin e Florencës si dhe në Institutin SAE për kinema, i është rikthyer me shumë qejf lidhjes. Ka qenë ndoshta profili i shkollës së tij, që e ka vënë Ermelën në lëvizje, që ta mbajë në Tiranë atë, duke menduar si opsion punësimi televizionin. Kështu që para plotësimit të ëndrrës së saj për të punuar në televizion, ajo fillimisht ka punësuar në stafin e TCh të dashurin e saj, në pozicionin e operatorit në spektaklin “Vokali”, që ka nisur përgatitjet për t’u transmetuar në sezonin e ri televiziv.
Ermela, 1 muaj bashkëjetesë me Jottin
Po fakti që Ermela po përpiqet ta ruajë sekret bashkëjetesën me ish të dashurin e saj, ndoshta nënkuptohet si një mungesë sigurie, pasi pas shumë vitesh shpesh ndodh që dy të dashuruar nuk e njohin më njëri-tjetrin. Megjithatë, ajo ka vendosur ta shijojë në qetësi privatësinë e saj, kësaj here derisa të bindet se është zgjedhja e duhur për të apo jo. Ajo jeton me Jottin që nga data 20 gusht, afërsisht kur vendosi të shkëputet përfundimisht nga miqtë e saj të «Big Brother», dhe po ashtu nga Ervini përfundimisht. Duket se interesi kësaj here i kishte ikur për Ervinin, dhe se e kishte ndarë mendjen, që nuk do të kishte tjetër rikthim. Po ashtu, vendosi të krijojë një mur komunikimi me shtypin, duke e menduar më qetësisht këtë punën e lidhjeve tani e tutje. Tashmë, Ermela ka menduar të largohet nga familja e t’ia nisë nga e para, ndërsa ka marrë një shtëpi dhe jeton bashkë me Jottin në Tiranë. Madje, dëshmitar i kësaj bashkëjetese është dhe vetë Ervini, i cili pohoi në program se e shihte çdo mëngjes me të dashurin e ri, pasi i kanë apartamentet afër.

Ermela dhe Ervini; Pas puthjes te “Pasdite në TCH”, pinë kafen e fundit
U duk se fillimi i sezonit të ri të «Pasdite në  Top Channel», me autore këtë vit Dalina Buzin, ka nisur me një “reality show” të veçantë në një studio televizive. Autorja kishte ftuar Ermelën në panelin ku disktohej për lidhjet dhe ndarjet më të bujshme VIP, ndërsa i kishte përgatitur një kurth Ermelës, duke i sjellë papritur Ervinin në studio. Reagimi i tyre ishte me të qeshura, ngacmime, batuta e provokime, ndërsa dukej qartë se i kishin harruar inatet. Publiku pa përqafimin dhe puthjen e fundit të çiftit para kamerave, duke rikujtuar kohët e vjetra në lojën e tyre në “BB4”, ku ata të dy shkëmbenin përqafime pa fund. Pas programit “Pasdite në TCH”, dy ish të dashurit u ulën në një kafe afër studiove të “Top Channel”, ndërsa kanë biseduar për marrëdhënien e tyre tani e tutje. Ata i kanë premtuar njëri-tjetrit se do i harrojnë mëritë, dhe pse jo, të mbeten shokë.

BESARTA KADIU

© Panorama.al

Te lidhura