ERMELA & ERVINI: Me Ermelën u grindëm për punë parash, jo për xhelozi

May 21, 2011 | 13:40

Historia i ngjan një telenovele, që pas një sherri ka një ndarje dhe, pas një ndarjeje të zhurmshme s’është çudi që dy njerëz mund t’i shohësh prapë bashkë. Ermela Mezuraj, fituesja e «Big Brother 4», edhe për shkak të natyrës së saj impulsive, ishte ajo që e pohoi e para lajmin e ndarjes së saj me Ervin Sinjarin, pas plot dy muaj lidhje dhe bashkëjetesë. Nga ana e tij, Ervini, vendosi të mos jepte asnjë koment, ndërsa vendosi të largohej nga Shqipëria drejt Italisë, për t’i dhënë kohë vetes dhe asaj. Tashmë ndodhet në Londër, ku bashkë me vëllain ka një biznes veshjesh. Ai tregon për herë të parë në këtë intervistë arsyen e sherrit me Ermelën, me çfarë syri e sheh shoqërinë e Torosit me Ermelën dhe plani me Ermelën, pas paqes që kanë bërë.
Ervin, është folur për një ndarje përfundimtare mes teje dhe Ermelës, si është e vërteta?
E vërteta është që unë dhe Ermela kemi pasur dy keqkuptime, por tashmë flasim dhe komunikojmë në telefon. Unë u largova fillimisht në Itali, për disa pajisje për palestrën që kam hapur në Tiranë, ndërkohë për ca ditë ndodhem në Londër, ku bashkë me vëllain menaxjojmë një dyqan veshjesh.
Ndërkohë që Ermela jetonte në shtëpinë tënde, bashkë me mamin dhe motrën. Pas largimit të saj nga shtëpia, vazhdon të ruajë kontakte me to?
Po, me sa di, flasin në telefon, sidomos motra është ajo që e telefonon, pasi mund ta them që kur Ermela ishte në lojën e “Big Brother”, motra ishte një fanse e saj.
Ndërkohë që Ermela në emisionin “Live from Tirana” në “Top Albania” pohoi publikisht që ju jeni ndarë…
Po e di këtë fakt, pasi ka qenë një pohim në inat e sipër. Po ashtu, di që kanë folur dhe persona të tjerë për ndarjen tonë. Por unë nuk ua vë veshin fjalëve të tyre. E vërteta është që ne patëm një konflikt të ashpër, por tashmë kemi bërë paqe. Madje Ermela sapo më ka dërguar një mesazh të bukur në telefon ku më thotë “Më mungon shpirt”.
Çfarë plani keni bërë pas kthimit tënd në Tiranë?
Unë i kam qejf suprizat, kështu që po e lë suprizë.
Ndërkohë që Ermela po shoqërohet me Torosin, je në dijeni dhe a është problem ky për ty?
Le të shoqërohet,  për mua s’është problem, pasi ajo ka ndenjur me Torosin edhe më parë, kur kam qenë unë në Tiranë. Ai ka një makinë dhe ajo ka nevojë të lëvizë, si në Dibër të Madhe që ishin këtë fundjavë, ashtu dhe brenda Tiranës. Unë jam pak larg dhe s’mund t’i vij në ndihmë. Gjithsesi, Toros është djalë i mirë dhe shok pa merak, nëse do të flisnim për shoqërimin e tij me Ermelën.
Po pse ndodhi sherri; U komentua se ti u ndjeve xheloz për Toros…
(qesh) Jo, jo aspak xheloz. Pastaj më falni pak, po kush është Torosi…?!  Po u bëra xheloz në Shqipëri, më mirë të pi helmin.
Pse s’sheh meshkuj konkurrentë në Shqipëri, këtë do të thuash?
Jo, meshkuj ka gjithande, dhe unë jam me femra këtej. Por nuk ka qenë xhelozia shkaku i konfliktit.
Atëherë çfarë ndodhi atë natë në Vlorë mes ju të dyve, mund të na thuash arsyen e vërtetë?
Atë natë jam grindur me Ermelën dhe jo me persona të tjerë. Sherri ndodhi për gjëra shumë private, ku nuk hyjnë aspak as Toros, as njeri tjetër. Po e përsëris, Torosin e kemi shok. Dhe Melën e kam yll fare, por u konfliktuam për punë parash që do merrnim në Vlorë dhe që s’na paguan. Na e bënë me hile dhe unë ndaj u acarova. Por dua të theksoj që dhe pastaj, pas sherrit u kthyem në festë dhe bëmë qejf.
Sa ditë pas sherrit u pajtuat dhe kush prej jush u ul i pari?
Kjo është shumë private për ta thënë në media.
Pra nuk jeni ndarë dhe i keni lënë bisedat të hapura?
Sigurisht që po. Ermela është ende imja, është “tigri” im. Çdo keqkuptim e sqaruam me njëri-tjetrin, edhe pse janë disa persona që rrinë rreth e rrotull dhe që duan e mezi presim që ne të ndahemi. Janë xhelozë për lidhjen time dhe nuk e di pse. Por, po jua them që nuk do t’ua plotësojmë dëshirën atyre. Ne jemi të dy tipa të paparashikushëm dhe do të na shihni përsëri bashkë.
Cilët janë këta persona që duan t’ju ndajnë, për kë e keni fjalën?
Unë s‘kam lidhje me ata njerëz që rrinë gjithë ditën kot në Tiranë e që merren dhe duan të influencojnë për keq në marrëdhënien tonë. Janë pikërisht ata që thonë se unë jam xheloz. Duhet të gjejnë punë që ta shtyjnë ditën më mirë dhe jo të merren me fjalë gjthë ditën.
Mendon se pas këtij konflikti, ju nuk do mund të jeni më si më parë, si vazhdon komunikimi juaj?
Nuk besoj. Ne flasim në telefon dhe shkëmbejmë mesazhe.
Çfarë të thotë ajo?
Më thotë që i mungoj. Pastaj, ka dhe ajo problemet e veta, ka shumë stres, ndaj edhe një acarim nga ana e saj duhet të mirëkuptohet.
Vazhdon ende të kesh të njëjtin mendim për të, pra të martohesh me Ermelën?
Pse duhet të martohem kaq herët…? Ky është vendim serioz dhe ka kohë për ta menduar.

 

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura