‘’Unë bashkë me familjen time jam larguar nga qyteti i lindjes, Çorovoda, në moshën 7-vjeçare dhe jetojmë në Volos të Greqisë. Futbollin e kisha hobi të madh dhe të jesh një futbollist i talentuar duhet të kesh talent të lindur, që mua nuk më mungonte që nga ajo moshë. Jam regjistruar në akademinë e moshës 15-vjeçare dhe pas një viti u bëra pjesë e ekipit të të rinjve në Athinë ku shkak u bë legjenda e portës shqiptare, Foto Strakosha. Ai më ka parë në një stërvitje dhe më ka vlerësuar shumë duke kontaktuar me drejtuesit e klubit tim. Në modeling unë u bëra pjesë rastësisht, kam qenë në një studio të një fotografi grek, bashkë me shokët e mi, kemi bërë disa fotografi dhe më kërkoi që të mbante fotot e t’i përdorte për një reklamë. Më këshilloi të kontaktoj agjenci modelësh. Këtu filloi dhe ambicia për të qenë pjesë e pasarelave dhe kështu unë kontaktova agjencinë ‘’Top class international’’ me seli në Selanik’’, tregon për eksperiencat e tij në Greqi futbollisti dhe modeli shqiptar Eraldo Musabelliu i cili thotë se me të dy profesionet është i lidhur shumë ngushtë. ‘’Mendoj se të dyja këto fusha janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe në brendësi të tyre qëndron e bukura, të dyja të sjellin para dhe famë. Por gjithmonë po arrite në majat e suksesit, do të kesh oferta nga të dy fushat. Mua më shumë famë më ka dhënë modelingu, pasi kam qenë imazh i veshjeve të ndryshme. Futbollin e kam pasur pasion, hobin tim më të preferuar që në fëmijëri e deri më sot që jam futbollist profesionist, nuk jam ndarë nga ky sport dhe shpresoj që këtë vit të jem në ekipe të njohura të Superligës. Kam dy oferta, por nuk është momenti që t’i bëj publike ndërsa me modeling kam 3 vite që punoj me reklama e imazhe televizive’’. Ka vite që jeton jashtë vendit, por dëshiron me çdo kusht të plotësojë ëndrrën e tij. “Në Greqi jetoj që nga viti 1997 dhe jam me familjen time, por vetë kam 7 muaj që jam në Shqipëri dhe luaj për ekipin e Gramozit. Greqia po përjeton krizën e rëndë ekonomike dhe për këtë më vjen keq, shpresoj të kalojë sa më shpejt, sepse këtë pasojë e vuajnë emigrantët shqiptarë më shumë. Përveç modelingut dhe futbollit, do vazhdoj paralel edhe studimet që i kam lënë përgjysmë’’, përfundon ai.











