“Ishte një lloj shenje e koduar në formën e tre fuçive pluskuese, të lidhura në funddeti. E këqyra atë sinjal të heshtur nga bregu. E vëzhgova atë lloj demarkacioni, t’ardhur qysh nga vitet e mia më të hershme të fëmijërisë. Rreshti i parë i fuçive, të cilat ishin vetëm njëqind metra larg bregut, përbënte ‘vijën këshilluese’ (fuçitë këshilluese). Qoftë fëmijët, por edhe ata që nuk dinin të notonin mirë ia dilnin të arrinin deri tek ato fuçi. Rreshti i dytë i fuçive shtrihej në një det pak më të thellë dhe, arrinte gati dyqind metra larg bregut. Këto fuçi ishin paralajmërimi i fundit për të gjithë. Më domethënësi midis atyre fuçive ishte rreshti i tretë. Vija e kuqe. Nuk ekzistonin paralajmërime të tjera pas saj. Të gjithë e dinim: Pas ‘fuçive të treta’ ekzistonte një det i madh i paanë. Asgjë nuk e izoloi Shqipërinë më fort sesa ato fuçi të vetmuara dhe të ngulura në fund të detit”, – shkruan poeti shqiptar Arian Leka në esetë e tij të botuara së fundmi me titullin: ‘Ana e fshehur e Kopshtit Socialist shqiptar’ (Fraktura, Zagreb, 2025)”.
Verën e kaluar kalova një muaj në atë “kopsht”, ku fuçitë nuk përbëjnë më kufirin e Botës së Lirë. Të mjaftonte të vizitohej Bunkart – një bunker nëntokësor mu në zemër të Tiranës, i cili dikur ishte baza e ‘Sigurimit’, Policisë Sekrete Shqiptare dhe, të ravijëzohej ideja për shkallën e projektit monstruoz të izolimit total të një vendi. I ndërtuar gjatë regjimit komunist, ai shërbeu jo vetëm si strehë e sigurt, por edhe si një qendër mbikëqyrjeje, në të cilën ndodheshin dhoma ku realizoheshin pyetjet, pajisje spiunazhi dhe dosje të fshehura. Pas mureve të ftohta të betonit, njerëzit ndiqeshin, manipuloheshin, heshteshin. Sot, në atë vend, zbulohet historia e errët e persekutimit politik në Shqipëri.
Udhëheqësi i padiskutueshëm, Enver Hoxha, e sundoi Shqipërinë për katër dekada, duke e rrethuar vendin me tela me gjemba, ngriti mijëra bunkerë, fuçi lundruese dhe propagandë që nuk pushonte ditë e natë, duke nxitur frikë dhe paranojë tek popullsia. Vetëm në ato kushte izolimi të plotë ishte e mundur të ruhej regjimi. Ai univers i çuditshëm ekzistonte për dekada, sepse çdo shqiptar mbante nga pak Enver Hoxha brenda vetes. U duhej t’i shikonin programet e televizionit jugosllav me një ton të zbehtë, kështu që filmat e transmetuar i ngjanin filmave pa zë të Charlie Chaplin. Por pjesa më e vështirë nga të gjitha dukej përcjellja pa zë e ndeshjeve të futbollit të klubeve të huaja. “Sa britma të humbura lumturie ruaja në gjoksin tim! Sa zëra të dëshpëruar! Nuk arrihej të lëshohej as edhe një zë, kur shënohej gol. As edhe një psherëtimë e vetme për rastet e humbura. Kur shënohej gol, askush nuk arrinte të bërtiste. Të gjithë ngrinin duart, pastaj do hidhnin sytë pa fjalë përreth apartamentit, hapnin gojën, por pa lëshuar as edhe një zë të vetëm. Ne të gjithë bënim të njëjtën gjë, megjithëse nuk e kuptonim se nga kush kishim frikë në të vërtetë”, pyet Arian Leka. “Muret kishin veshë. Fqinjët kishin veshë. Vendi kishte radarë parabolikë dhe, shprehja e lumturisë kur të huajt shënonin një gol do të thoshte se ne gëzoheshim për suksesin e armikut! Për shkak të këtij represioni dhe frike, ne nuk arrinim të klithnim asnjëherë kur duhej”.
Ka kaluar shumë kohë që nuk kisha lexuar një libër poetik kaq magjepsës që analizon me kaq shumë hollësi realitetin e një vendi. Ndonjëherë më dukej sikur Serbia dhe maskota e saj e qeshur Aleksandar Vuçiq po këqyrnin nga poshtë kopertinës së Anës së fshehur të kopshtit socialist shqiptar. Represioni që po kryen Enveri serb ka përparuar aq shumë sa një zgjidhje paqësore e krizës tonë është gjithnjë e më e pasigurt. Korrupsioni e ka mbërthyer krejt Serbinë. Protestat e studentëve dhe qytetarëve nuk do të ndalen, sepse regjimi, i zhytur në grabitje dhe krim, po e pret gjithnjë e më shumë degën mbi të cilën është ulur.
Një nga eksponatet më të tmerrshme në Muzeun Bunkart në Tiranë është një shtrat në formë kafazi që ia kufizon lëvizjen të ndaluarit. A është vallë kjo rekuizitë, një objekt i dëshiruar për mjeshtrin Kriçak, kreu aktual i Drejtorisë së Policisë Kriminale, i cili abuzoi me studenten Nikola dhe e kërcënoi këtë verë me përdhunim në garazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë?
*Marrë nga “Radar”, përktheu Ben Andoni Autori është shkrimtar dhe ish-diplomat serb
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












