“Tani kam përshtypjen se edhe në festivalin “Kënga Magjike” po manipulohen këngëtarët. Për herë të dytë desha të marr pjesë në këtë festival, për të cilin kam pasur përshtypje të mira deri më tani, mirëpo tani jam e zhgënjyer. Këtë vit konkurrova me këngën “Future love”, një këngë mjaft e mirë për nga kritikët e këngës dhe në momentin e fundit më lajmëruan nga stafi i “Këngës Magjike” se kënga për të kaluar më tej në finale fillimisht duhet t’i plotësojë disa kritere që për mua kjo është absurde. Sipas tyre, kënga duhet të testohet mirë dhe të vazhdojë më tutje. Me të kuptuar qëllimin e organizatorëve, jam tërhequr nga gara dhe tani nuk do të jem pjesë e “Këngës Magjike”. Kështu ka theksuar gjatë një interviste për mediat në Kosovë, këngëtarja Drenusha Latifi, duke dhënë arsyet pse organizatorët nuk e kanë pranuar këngën e saj duke e larguar nga konkurrimi që në start. Siç ka treguar më tej, ajo ka vendosur që kësaj kënge të punuar nga Florent Boshnjaku, t’i bëjë një videoklip, të cilin e ka marrë përsipër ta realizojë një produksion brenda Top Channel. “Ata kanë vlerësuar se kënga ka nevojë edhe për një videoklip, të cilin do ta përgatitim në Shqipëri ose diku jashtë vendit”, shton ajo. Drenusha shpreson që videoklipi i këngës “Future love” do të pëlqehet me siguri nga publiku, paçka se iu pre rruga për në konkurrim”.











