Një djalë 17-vjeçar shqiptar mësohet se ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në Korinth të Greqisë, pas një sherri me thikë me një 19-vjeçar.
Mediat greke bëjnë me dije se viktimë ka mbetur shqiptari Aleks Vangjeli, i cili sipas informacioneve, një nga plagët e kishte në gjoks, e cila i kishte dëmtuar edhe zemrën.
Sipas informacioneve, gjithçka duhet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në lagjen Lutraqi.
17-vjeçari u gjet në mes të rrugës me plagë të shumta thike dhe në të njëjtën kohë, një 19-vjeçar u gjet gjithashtu me një plagë thike në bark.
I riu u dërgua në një spital të Athinës për trajtim. Sipas informacioneve, deri më tani i plagosuri nuk ka dhënë detaje rreth asaj që ndodhi apo vendit ku ndodhi incidenti i përgjakshëm.
Për mediat greke ka folur nëna e 19-vjeçarit, e cila ka thënë: Nuk di asgjë ende, isha duke fjetur kur më morën. Sa i përket fëmijës tjetër, zbulova se kishte vdekur rrugës. Ai ishte një mik i ngushtë i djalit tim. Kush janë ata që vranë një fëmijë dhe shkuan të vrisnin një tjetër? Nuk e di…”
Autoritetet besojnë se këto dy incidente janë të lidhura dhe se ka pasur një sherr para vdekjes së 17-vjeçarit.
© Panorama.al












