EMRI/ Akuzohej nga SPAK për korrupsion pasiv, GJKKO jep dënimin për të pandehurin! (VENDIMI)

Feb 23, 2026 | 14:00

Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor duke dënuar një person për veprën penale të korrupsionit pasiv.

spak gjkko

Pas pretencës së SPAK që kishte urdhëruar arrestimin e Gentjan Hoxhallit rreth dy vite më parë dhe pas nisjes së procesit vitin e kaluar, sot (23 shkurt), u shpall edhe verdikti për dënimin e tij me 3 vite burgim.

Por duke llogaritur gjykimin e shkurtuar dhe uljen me një të tretën, u vendos për 2 vite izolim.

Dhe për shkak të kohës së paraburgimit dhe përllogaritjeve të tjera, u vendos që dënimi të kthehet në shërbim prove me 4 vite., Gjithashtu edhe përjashtimi i tij nga çdo funksion publik për 5 vite.

GJKKO vendosi edhe shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg”. Vendimi u dha nga gjyqtarja relatorë, Irena Gjoka.

Vendimi i GJKKO-së:

  1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Gentjan Hoxhalli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë i Kodit Penal ”.
  2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Irena Gjoka, Engjëllushe Tahiri dhe Besmir Stroka, me vendimin nr. 18, datë 23.02.2026 vendosi:
  3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Gentjan Hoxhalli për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
  4. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen 1/3 e dënimit dhe dënimin e tij përfundimtar me 2 (dy) vite burgim.
  5. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin Gentjan Hoxhalli dhe vënia në provë për një afat prej 4 (katër) vitesh, me kusht që gjatë kohës së provës të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
  6. Në aplikim të nenit 35, paragrafi 2, të K.Penal, heqjen e së drejtës të të pandehurit Gentjan Hoxhalli për të ushtruar funksione publike, për një periudhë prej 5 (pesë) vitesh.
  7. Bazuar në nenin 261/1 gërma “b” në lidhje me nenin 389 të K.Pr.Penale, shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktuar ndaj të pandehurit Gentjan Hoxhalli me vendimin Nr. 116 datë 08.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  8. Urdhërohet lirimi i tij i menjëhershëm në rast se nuk mbahet i ndaluar, i arrestuar apo i dënuar për një vepër tjetër penale.
  9. Në lidhje me provat materiale gjykata bazuar në nenin 190 të K.Pr.Penale disponon si më poshtë: Aparat celular i Ilojit “IPHONE”, modeli “13 Pro Max” me ngjyrë gri, me nr. IMEI: **** dhe IMEI 2: ****, me kartë telefonike të kompanise “Vodafone” me nr. tel. ****.

– 1 (një) aparat celular i markës “IPHONE”, modeli “Xs Max”, me nr. IMEI: **** dhe IMEI 2: ****, me kartë telefonike të kompanisë “Vodafone”, me nr. tel. ****.

– Automjet i markës “Audi”, modeli “A6”, me targë **** (targë e huaj), me numër shasie ****, me ngjyrë gri të errët, së bashku me çelësin, t’i kthehen të pandehurit Gentjan Hoxhalli.

  1. Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimeve (sipas formularit përkatës), si dhe shpenzimet gjyqësore sipas formularit përkatës, i ngarkohen të pandehurit Gentjan Hoxhalli.
  2. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.gjkko vendimi
  3. gjkko vendimi2

© Panorama.al

Te lidhura