Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë e ndodhur mesditën e kësaj të shtune në Kavajë, ku 47-vjeçari Alket Isufi humbi jetën pasi u godit me thikë nga shtetasi Landi Puja.

Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka nisur për motive të dobëta. Viktima kishte parkuar automjetin përpara banesës së Landi Pujës, por ky i fundit ka dalë nga shtëpia dhe i ka kërkuar 47-vjeçarit të largonte makinën nga hyrja.
Gjatë debatit, Alket Isufi, dyshohet se i është përgjigjur në mënyrë të ashpër autorit. Në atë moment, Land Puja ka nxjerrë një mjet prerës (thikë) dhe e ka goditur viktimën dy herë në pjesën e zemrës.
47-vjeçari u dërgua menjëherë në spital, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Ndërkohë, autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me informacionin e dhënë për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 3, Kavajë, ku dyshohet se për motive të dobëta një shtetas goditi me mjet prerës (thikë) një shtetas tjetër, i cili për pasojë ndërroi jetë në spital, sqarojmë se:
Pas verifikimeve të kryera rezultoi se autori i dyshuar është shtetasi L. D., alias L. P., 48 vjeç, banues në Kavajë. Ndërsa shtetasi që ka humbur jetën si pasojë e goditjes me thikë ka gjeneralitetet S. V., alias S. I., 48 vjeç.











