Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme brenda një servisi makinash në lagjen 10 në Korçë, ku katër persona mbetën të plagosur gjatë një konflikti.
Mësohet se njëri prej të përfshirëve, Renaldo Xhixho, pronar i servisit për shërbim tapicerie, është plagosur me gërshërë dhe ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.
Burime nga spitali bëjnë me dije se edhe tre personat e tjerë kanë pësuar dëmtime, njëri në shpatull dhe krah, tjetri me plagë në fytyrë dhe një tjetër me lëndime më të lehta.
Të plagosurit e tjerë janë identifikuar si Ergys Themelko, Erion Demolli dhe Lidi Meno.
Mësohet se konflikti ka nisur pasi tre personat që u konfliktuan me pronarin e servisit kanë çuar te ai një mjet për t’i ndryshuar ngjyrën, ndërsa ditën e sotme kanë shkuar pranë servisit duke pretenduar se nuk u ka pëlqyer rezultati i punës dhe për këtë shkak janë konfliktuar.
Nga ana tjetër, mësohet se ata nuk kanë bërë as pagesën për shërbimin dhe kjo ka agravuar më tej situatën, duke çuar në konflikt dypalësh dhe në përdorim të mjetit të mprehtë (gërshërë).
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të konfliktit dhe vënien përpara përgjegjësisë autorët.
Njoftimi i policisë:
Mëngjesin e sotëm, në lagjen nr. 10, Korçë, ka ndodhur një konflikt fizik midis disa shtetasve. Si pasojë e konfliktit, janë dëmtuar 3 prej tyre (njëri prej të cilëve me mjet prerës gërshërë) të cilët u dërguan për mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në ambientet e Komisariatit ndodhet i shoqëruar një shtetas, për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.
© Panorama.al











