Pas Angela Martinit, një tjetër bukuroshe shqiptare po pushton mediat amerikane dhe të mbarë botës. Është fjala për modelen e njohur Emina Çunmulaj. Këtu nuk flitet për zhveshje, pasi këtë përvojë Emina e ka kaluar qëkur, por lidhja e saj e dashurisë me biznesmenin amerikan me prejardhje iraniane po merr një hov të madh, saqë tashmë është vënë në shënjestër të paparacëve dhe mediave amerikane. Emina ka lënë për pak kohë pasarelat, për t’i kushtuar më shumë vëmendje të dashurit të saj, Sam Nazarian, duke e shoqëruar atë në dreka e darka në qytetet amerikane ku ai është i ftuar. Gjatë kësaj jave, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ata janë parë në shoqërinë e çiftit të famshëm David dhe Victoria Beckham, dhe Emina ka pasur rastin të shoqërohet me ta dhe të drekojë në Los Angeles në hapjen e restorantit të ri të të dashurit të saj. Çiftet kanë pasur komoditetin e plotë deri në momentin kur janë shfaqur paparacët në restorant, ku edhe i kanë zënë ata duke biseduar e duke drekuar. Ashtu siç raportojnë mediat amerikane, David dhe Victoria kanë qëndruar edhe në Nju Jork për të qenë pjesë e javës së modës atje, përveç drekës me Sam Nazarian dhe Emina Çunmulaj në Los Angeles. Kjo dalje e Eminës përkrah çiftit të njohur Beckham do të jetë një tjetër publicitet që do ta ndihmojë në karrierën e saj, dhe kjo, falë të dashurit të saj të pasur.











