Deputetët e PD te Ligjet kërkojnë nga kreu i shtetit të zbatojë vendimin e Kushtetueses
Presidenti: S’ka konsultime, cenohet ndarja e pushteteve
Pas rrëzimit në Parlament të dekretit të kreut të shtetit për kreun e KLSH-së, maxhoranca i kërkon Topit të konsultohet përpara se të dërgojë emrat e tjerë në Kuvend. Në një deklaratë për mediat, deputetët demokratë në Komisionin e Ligjeve i kanë kërkuar zyrtarisht Presidentit që çdo propozim që kërkon miratimin e Parlamentit të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e vitit 2011 të Gjykatës Kushtetuese. “Deputetët demokratë të Komisionit të Ligjeve, duke respektuar Presidentin e Republikës, i kërkojnë atij që çdo propozim që kërkon miratimin e Kuvendit, duhet ta bëjë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të respektohet funksionimi i institucioneve kushtetuese të vendit”, thuhet në deklaratën e deputetëve të PD-së në Komisionin e Ligjeve. Sipas tyre, dekreti i Topit për kreun e KLSH-së mori vetëm një votë për shkak se ai erdhi në kundërshtim me ligjin themeltar të vendit. “Dje, për herë të parë në historinë e Parlamentit shqiptar që nga viti ’91, një dekret në Kuvendin e Shqipërisë mori vetëm një votë. Ky ishte votimi për kandidatin për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të dekretuar nga Presidenti i Republikës. Ky ishte propozimi i Presidentit të Republikës, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”, vijon më tej deklarata e demokratëve.
Reagimi i Presidentit
I menjëhershëm ishte reagimi i Presidencës për këtë kërkesë të demokratëve. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat në mesditë, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese të qershorit të vitit të kaluar, sipas Presidencës, të dyja institucionet kanë përgjegjësi dhe rol të barabartë në emërime. “Asnjë nga institucionet nuk mund të ketë epërsi në vendimmarrjet e veta, pasi të tilla emërime kërkojnë bashkëpunim midis institucioneve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk bën fjalë për konsultime paraprake midis institucioneve, por për bashkëpunim institucional. Në vlerësimin tonë, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ka parasysh faktin se emërime të tilla nuk mund të bëhen vetëm nga njëri institucion dhe asnjëri prej të dy institucioneve nuk ka peshë apo rol më të madh në miratimin e tyre”, thuhet në reagimin e Presidencës. Sipas zyrës së kreut të shtetit, të dyja institucionet, jo vetëm që kanë pozicionin e tyre kushtetues në ushtrimin e kompetencave të tyre, por çdo vendimmarrje e tyre duhet të jetë e pavarur nga ndërhyrjet paraprake të njëri–tjetrit. “Ne gjykojmë se emërime të tilla nuk mund të kërkojnë konsultime paraprake, jo vetëm sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e kërkon diçka të tillë, por edhe sepse parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve presupozon respektim të kompetencave të secilit institucion, dhe jo konsultim paraprak”, theksohet më tej në deklaratën e Presidencës. Kreu i shtetit i referohet gjithashtu një vendimi të vitit 2004 të Komisionit të Venecias, sipas të cilit, “kërkesa për dhënien e pëlqimit nga Kuvendi nuk do të thotë një ndërhyrje paraprake të Kuvendit në zgjedhjet e Presidentit, por do të thotë se Kuvendi ka kompetencën për dhënien ose jo të pëlqimit. Një debat i hapur i Kuvendit mbi dekretet e Presidentit të Republikës është i rëndësishëm për t’i dhënë Presidentit informacionin e nevojshëm për arsyet e refuzimit të dhënies së pëlqimit, arsye të cilat do ta lejonin Presidentin që në të ardhmen të dërgojë në Kuvend kandidatura të pranueshme nga Kuvendi”.
Dekretet e rrëzuara të Topit
Në katër vjet të qëndrimit në postin e Presidentit, PD-ja i ka rrëzuar dhjetë dekrete emërimesh Presidentit Bamir Topi. Votimi kundër për Sali Shehun në postin e kreut të KLSH-së ishte i fundi i këtij lloji. Gjatë vitit të fundit PD-ja rrëzoi edhe Edlira Jorgaqin, Artan Hoxhën dhe Ardian Lekën për në Kushtetuese, dhe Manjola Bejlerin për në Gjykatën e Lartë. Ndërsa 5 dekrete të tjera për në Gjykatën e Lartë (Altina Xhoxhaj, Artan Zeneli, Kristaq Traja, Medi Bici dhe Zamir Poda) u rrëzuan në vitin 2008.
Vendimi i Kushtetueses
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese më 9 qershor 2011, thuhet se “Gjykata vlerëson se Presidenti dhe Kuvendi, gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre kushtetuese, janë interpretuesit e parë të normës kushtetuese dhe përcaktimi, nga ana e Gjykatës, i kritereve që duhet të plotësojë një kandidaturë, çon në marrjen, nga kjo e fundit, të kompetencës kushtetuese të secilit prej këtyre organeve. Në këtë kuptim, Presidenti dhe Kuvendi, bazuar në parimin e luajalitetit kushtetues, duhet të bashkëpunojnë për përcaktimin e kritereve ligjore, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë, në funksion të sigurimit të një përbërjeje cilësore të Gjykatës Kushtetuese”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











