Shkrimtarja shqiptare Elvira Dones ishte mbrëmë një nga të ftuarit e Fabio Fazios në emisionin e tij “Che tempo che fa”. Ajo prezantoi librin e saj më të fundit, “Piccola guerra perfetta”, botim i shtëpisë botuese “Einaudi”, që është hedhur në treg në muajin prill. Romani parapribhet nga një parathënie e Roberto Savianos, në të cilën ai thotë se “Romani, nuk është roman mbi luftën, as roman lufte, por është drejtpërdrejt lufta. Është reflektimi i saj në sytë e dhembshur të viktimës që nuk gjykon, nuk dënon, por u komunikon të gjithëve vizionin e saj”. Tanimë Elvira Dones jeton në Amerikë, por këto ditë ndodhet në Itali për të promovuar librin e saj. Ajo do të jetë e pranishme edhe në Sallonin ndërkombëtar të Librit në Torino dhe në veprimtari të ndryshme si tre ditët e takimeve me titull “L’Albania al feminile” (“Shqipëria alla femërore”) në Gjenovë.











