Elisa Spiropali uron shqiptarët për Kurban Bajramin: Të ndajmë të mirën dhe të ndërtojmë një shoqëri më solidare

Jun 6, 2025 | 11:28

Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, ka uruar të gjithë qytetarët shqiptarë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke theksuar vlerat e kësaj dite si një mesazh për të gjithë shoqërinë, përtej kufijve të besimit.

“Kjo është një ditë që na kujton rëndësinë e sakrificës. Pa sakrificë nuk mund të korrësh frytet e punës tënde. Ky është një mesazh që shkon përtej fesë, është një thirrje për vlera që e begatojnë njeriun dhe familjen,” u shpreh Spiropali.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e ndarjes së të mirës me të tjerët, sidomos me ata që janë në nevojë, duke e cilësuar këtë simbolikë si udhërrëfyese për politikat sociale që synojnë mbështetjen e të vobektëve, grave, fëmijëve dhe të sëmurëve.

Në komunikimin e saj, kryeparlamentarja përmendi edhe bisedën me kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku është diskutuar mesazhi universal i Kurban Bajramit për paqe në zonat e konfliktit dhe për mbrojtjen e civilëve.

“Ne si shqiptarë duhet çdo ditë të japim më shumë dashuri, solidaritet, të rrezatojmë harmoni dhe vëllazëri me njëri-tjetrin,” përfundoi Spiropali.

© Panorama.al

Te lidhura