VIDEO- “Elira Kokona, Lubia numër tre”- Parku teknologjik në Xhafzotaj, Berisha: Është një skandal, prej vitesh ka vetëm livadhe! Janë vjedhur miliona euro

Jan 12, 2026 | 13:05

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka quajtur parkun teknologjik “Durana” në Xhafzotaj si “Troplana”.

Në konferencë me gazetarët, Berisha denoncoi abuzimet, duke thënë se janë vjedhur qindra e miliona euro, ndërsa vendi ku ishte parashikuar prej vitesh është vetëm një livadh.

Kreu i demokrateve theksoi se: “ky skandal dëshmon dhe njëherë shkallën më të lartë të inkriminimit të kreut të organizatës kriminale Edi Rama”.

“Skemë si Troplana, e menaxhuar nga famozja Lubia numër 3, Elira Kokona, në emër të patronit të saj, Edi Rama, gjen vetëm djegësin e Tiranës.

Por dallimi është se në rastin e djegësit të Tiranës, territori është pa asnjë ndërtim dhe janë vjedhur 130 milionë, në rastin e Troplanës, përsëri nuk ka asnjë ndërtim, asnjë ndërtesë, asnjë kompani të vendosur në arat dhe livadhet e Xhafzotajt, por janë vjedhur nga taksat e qytetarëve shqiptarë qindra milionë euro. Dhe janë vjedhur po nga familja Rama.

Dhe njësoj si në rastin e inceneratorit të Tiranës, për të cilin dy përgjegjësit absolutë kryesorë, Edi Rama dhe Erion Veliaj, nuk u hetuan për asgjë dhe nuk u pyetën asnjëherë, duke qenë autorët më kryesorë të tij, në Troplana gjer sot nuk është pyetur njeri dhe se dihet se Elira Kokana, të cilës vetëm për të mos prishur gojën para jush dhe qytetarëve, mund t’i vihet çdo lloj epiteti për aktin e saj ndaj qytetarëve.

Ka qëndruar në krye të një skeme të quajtur park teknologjik ku ka prej vitesh vetëm livadhe, kurse vidhen qindra milionë euro taksa të qytetarëve shqiptarë.

Ky skandal dëshmon dhe njëherë shkallën më të lartë të inkriminimit të kreut të organizatës kriminale Edi Rama. Dëshmon se krimet ekonomike të rënda, vjedhjet e tij janë të pakufishme’, tha Sali Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura