
Nuk duhet shume mundim për të kuptuar origjinën e tyre, qoftë edhe me një soditje të lirë nga koka te këmbët. Ruset simpatike Elena Ptichkinas dhe Anja Kuznetcova, përveçse punojnë në linjën e manikyrit e pedikyrit, ofrojnë risi specifike në teknikat e tyre. Manikyri me pjekje është shërbimi më i ri dhe tendenca më e fundit që ofrohet përmes aftësisë së vajzave të huaja, ndërthurur kjo me idetë e reja dhe trendet e momentit. Qëllimi parësor: kliente të kënaqura që rikthehen për të riprovuar stilet apo nuancat e reja. Përpos punës së përditshme, vajzat ruse kanë edhe një jetë të ndërtuar në vendin tonë, janë të martuara me shqiptarë, kanë krijuar një rreth të ri shoqëror, ndërsa më e madhja prej të dyjave, 27-vjeçarja Elena, ka edhe një vajzë dyvjeçare.
Elena Kita (Ptichkina)
E kam vështirë të jem nuse zakoni
Prej katër vitesh jetoni në Tiranë. Duhet të keni pasur motiv të fortë për të braktisur Rusinë. Është e vërtetë. Njohja me një djalë shqiptar, që prej katër vitesh është edhe bashkëshorti im, më detyroi që të lija Rusinë, për t’u vendosur në Tiranë. Fillimi ishte disi i vështirë. Përshtatja me një ambient të ri, shoqëri të panjohur dhe një mënyrë të re jetese… Por, ia dola mbanë dhe me bindje e them që ka nisur të më pëlqejë shumë Shqipëria. Si jeni njohur me bashkëshortin tuaj? Krejt rastësisht. Unë kisha shkuar me disa mikesha të miat për pushime në Turqi, kurse ai kishte ardhur me familjen. Ka qenë një tërheqje mbase e menjëhershme. Shkëmbyem numrat e telefonit dhe, pas disa komunikimeve, Geri më bën një surprizë të këndshme duke ardhur në shtëpinë time në Moskë. U njohëm edhe më shumë me njëri-tjetrin, dhe ndjenja për të ishte më e fortë se unë, e sakrifica këtë herë më takoi mua. Vendosa të lija vendlindjen dhe të jetoja në Shqipëri, një vend krejt i panjohur për mua. S’kishit dëgjuar ndonjëherë për martesat shqiptaro-ruse? Kisha dëgjuar diçka për regjimin e egër komunist. Madje, para disa viteve, shkoj në ambasadën shqiptare në Rusi për të kërkuar vizë që të vija tek bashkëshorti Geri, dhe krejt rastësisht takoj një grua ruse të moshuar, ish e burgosur, e cila lutej për një vizë disaditore, në mënyrë që të takohej me bashkëshortin e saj shqiptar, vizë të cilën ia refuzuan. Ishte një situatë tepër e vështirë, që për një moment më frikësoi dhe më mbushi me shumë pikëpyetje: Po unë që kisha vendosur të lidhja jetën me një mashkull shqiptar, a mund të rrezikohesha? Dija shumë pak për historinë dhe ndryshimin e regjimeve në Shqipëri. Por, mora gjithë informacionin e nevojshëm në internet, e kuptova që gjërat kishin ndryshuar. Pasi organizuam një dasmë tradicionale shqiptare në Tiranë, filluam jetën tonë bashkëshortore dhe sot kemi një vajzë dy vjeçe. Si të duket jeta me një mashkull shqiptar, ke arritur të mësohesh me zakonet tona? E kam mirëpritur jetesën me Gerin, për sa kohë që kemi dashurinë në mes. Është një jetë familjare më se e pranueshme, me gjithë vështirësitë e fillimit, për shkak edhe të gjuhës. Flasim anglisht, dhe shpesh në përpjekje të vazhdueshme të miat për të mësuar shqip, komunikojmë për shumëçka bashkë. Megjithëse vij nga një kulturë tjetër, nuk e kam të zorshme t’i bëj bashkëshortit kafenë, të pastroj shtëpinë, të gatuaj drekën apo darkën dhe të kryej të gjitha detyrimet e tjera bashkëshortore. Por ndërkohë ju punoni, jeni fokusuar në fushën e estetikës… Me rritjen e vajzës, kemi vendosur me tim shoq që të punësojmë një dado, ndërkohë që të dy do jemi të angazhuar me punë. Unë kam përfunduar studimet e larta për financë në Rusi, por estetika ka qenë gjithnjë një nga fushat e mia të preferuara. Në qendrën estetike “Vip Line” është futur një metodë e re e manikyrit dhe pedikyrit, e cila më pëlqen shumë dhe jam duke e përforcuar me kurse dhe specializime. Ç’është kjo metodë e re? Njihet si teknika e manikyrit me pjekje. Është lëvruar për herë të parë në Amerikë, dhe prej pak kohësh është duke u aplikuar në “Vip Line Center”. Konsiston në aplikimin e një manikyri të posaçëm, që në përmbajtje të tij ka materialin natyral organik të ashtuquajtur resin, i cili nuk lejon dëmtimin e thoit. Pas aplikimit të nuancës, bëhet vendosja e thonjve të duarve apo këmbëve në aparaturën e pajisur me një llambë të posaçme që mundëson pjekjen e manikyrit. Ndryshe nga metodat e tjera, kjo metodë e re lejon rritjen natyrale të thoit, dhe reziston minimumi deri në tri javë. Është i qëndrueshëm ndaj çdo faktori të jashtëm. Mua më pëlqen shumë puna ime e re. Përpos komoditetit, përfshihem me gjithë idetë e mia në kreativitetin e një modeli që aplikohet tek klientet tona.
Anja Kuznetcova
Të nisësh nga fillimi
Buzëqeshja është mirëseardhja e saj. Ndërsa, pas çdo fjale të shprehur mundimshëm në gjuhën shqipe, i “shpëton” herëherë edhe miratimi “Da, da”… Nuk është e vështirë për ta kuptuar: një ruse në zemër të kryeqytetit. Jo vetëm për diksionin e veçantë gjatë komunikimit, por edhe për pamjen e saj. Sytë e mëdhenj bojëqielli, flokët e gjatë në nuancë gruri të derdhur supeve e shpërqendrojnë vëmendjen, po aq sa edhe centimetrat e gjatësisë, plot 185 cm. Nuk duhet shumë mundim për të kuptuar origjinën e tyre, qoftë edhe me një soditje të lirë nga koka te këmbët. Ruset simpatike Elena Ptichkinas dhe Anja Kuznetcova, përveçse punojnë në linjën e manikyrit e pedikyrit, ofrojnë risi specifike në teknikat e tyre. Manikyri me pjekje është shërbimi më i ri dhe tendenca më e fundit që ofrohet përmes aftësisë së vajzave të huaja, ndërthurur kjo me idetë e reja dhe trendet e momentit. Qëllimi parësor: kliente të kënaqura që rikthehen për të riprovuar stilet apo nuancat e reja. Përpos punës së përditshme, vajzat ruse kanë edhe një jetë të ndërtuar në vendin tonë, janë të martuara me shqiptarë, kanë krijuar një rreth të ri shoqëror, ndërsa më e madhja prej të dyjave, 27-vjeçarja Elena, ka edhe një vajzë dyvjeçare. Anja Kuznetcova prej disa kohësh ka lidhur jetën dhe fatin e saj me Viktorin, një djalosh nga qyteti i Durrësit. Asnjëherë nuk i kishte shkuar ndër mend se e ardhmja e saj do të ishte e lidhur pashmangshmërisht me shtetin fqinj ballkanas, për të cilin kish dëgjuar fare pak. Ishte dashuri me shikim të parë, një marrëdhënie që u ngjiz gjatë një udhëtimi mes miqsh në shtetin helen dhe sot, Anja dhe Viktori janë burrë e grua. Thotë se i pëlqen jeta në Shqipëri, me gjithë peripecitë e fillimit të përshtatjes. “Asgjë nuk ishte e lehtë. Në Moskë lashë familjen, shumë njerëz të mi të dashur, për të nisur një jetë të re në Shqipëri. Fillimisht vendosa të mësoj gjuhën shqipe, për të komunikuar më lehtë me tim shoq, me të afërmit e tij dhe personat me të cilët më lidh puna. Më pëlqen shumë jeta e re që kam nisur”, thotë Kuznetcova. Prej disa javësh, e gjithë vëmendja e saj është përqendruar tek realizimi profesional. Ëndrra tashmë ka marrë formë… Estetika me gjithë zhanret e saj, por kryesisht ajo e manikyrit dhe pedikyrit, kanë ngërthyer dëshirën e Anjës për të qenë e plotësuar në aspektin profesional. Në dukje, nuk ngjan një sipërmarrje e lehtë… Është një vajzë e huaj, vështirësitë në komunikim nuk i mungojnë, e mbi të gjitha njeh shumë pak nga terreni përreth… Por, këto nuk i cilëson si “kërcënime” për të ardhmen e saj profesionale, për sa kohë që në themel të përditshmërisë së 23-vjeçares qëndron dëshira për të punuar. “Jam angazhuar në qendrën estetike “Vip Line”, në sektorin e manikyrit dhe pedikyrit. Si unë, ashtu edhe kolegia me të cilën më lidh jo vetëm origjina e përbashkët, por edhe natyra e punës, punojmë me metodën e re të pjekjes së manikyrit. Është një teknikë e gjetur, tepër origjinale, dhe mbi të gjitha që nuk dëmton thoin e klientit. Më pëlqen puna me klientet femra që vijnë në qendër. Përpiqem t’i ndihmoj me cilësinë e shërbimit, por edhe me idetë e mia. Është një punë që e bëj me shumë kënaqësi”, përfundon Anja Kuznetcova.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











