
ELBASAN – Dy të vdekur është bilanci i një aksidenti të ndodhur mesditën e së shtunës rreth orës 15:30, në aksin rrugor Elbasan – Peqin. Një automjet përfundoi në lumin Shkumbin, në afërsi të vendit të quajtur Paulesh. Burime zyrtare të Policisë pohojnë se “mjeti me targë italiane AC 254 TC, drejtuar nga shtetasi Gëzim Sejko, 56 vjeç, ka rënë nga një lartësi prej rreth 50 metrash duke përfunduar kështu në bregun e lumit në këtë aks rrugor i cili përshkohet nga Shkumbini. Mësohet se brenda në mjet me 56-vjeçarin ndodhej edhe shtetasi Fiqiri Kupe, 46 vjeç. Të dy kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka bërë të mundur identifikimin e dy shtetasve, të cilët banojnë në qytetin e Durrësit dhe ndodheshin në Elbasan te disa miqtë e tyre. Mësohet se në ndihmë të policisë për të nxjerrë trupat nga mjeti, i cili është dëmtuar plotësisht në pjesën e tij të përparme, kanë shkuar edhe efektivat zjarrfikës, të cilët, me mjetet e tyre si shkallë dhe litarë kanë bërë të mundur që të nxjerrin trupat. Mësohet se drejtuesi i mjetit, në momentin që ka ndodhur aksidenti, ka qenë me shpejtësi. Pikërisht një kthesë e fortë ka bërë që të humbasë kontrolli i mjetit, më pas të kalojë murin mbrojtës dhe të përfundojë rreth 50 metra poshtë, drejt lumit Shkumbin. Mësohet se dy trupat e nxjerrë nga zjarrfikësit janë dërguar në morgun e spitalit të Elbasanit, ndërsa efektivat e policisë, me ndihmën edhe të zjarrfikësve po punojnë për nxjerrjen e mjetit nga lumi Shkumbin. Paraprakisht grupi hetimor konstaton se drejtuesi i mjetit ka tejkaluar shpejtësinë e, për pasojë, ka humbur edhe kontrollin, duke shkaktuar kështu vdekjen e dy shtetasve. m.s











