
Komunistët djegin në Elbasan librin “Enver Hoxha” të gazetarit Blendi Fevziu. Një grup qytetarësh të Elbasanit, mbështetur nga Partia Komuniste Shqiptare, janë tubuar paraditen e djeshme në sheshin “Gensher” të qytetit, shumë pranë portës së Kalasë. Edhe pse në temperatura të ulëta, simpatizantët e ish-diktatorit Enver Hoxha janë mbledhur në shesh, ku edhe kanë djegur në mënyrë demonstrative librin e shkruar nga Fevziu. Gjatë fjalës së tij, anëtari i Komitetit të PSSH-së, Gjon Gjergji, e ka cilësuar këtë libër si një nga poshtërsitë më të mëdha që i bëhet historisë sonë të Luftës, asaj të ndërtimit të socializmit, figurës së Enver Hoxhës e mbi të gjitha historisë sonë kombëtare. “I shpjegoj opinionit publik elbasanas të vërtetat publike të Blendi Fevziut. Ne kemi dalë në këtë tubim për të deponuar rreth historisë sonë kombëtare dhe jo të Enver Hoxhës”, tha në fjalën e tij Gjergji. Sipas tij “është deformuar historia me qëllim të caktuar, sepse Blendi Fevziu, si përfaqësues i të dështuarve në Luftën II Botërore, ka marrë përsipër që t’i denigrojë të gjithë figurat e PKSH–së dhe Enver Hoxhën; ta kthejë Luftën Nacionalçlirimtare në një luftë civile që nuk ka qenë e tillë, si edhe për të mohuar luftën. Ne japim vetëm sinjalin që ky nuk është një libër që nxin vetëm Blendi Fevziun, por përfaqëson elitën e
sotme borgjeze, e cila me qëllim të caktuar ka deformuar historinë. Këtë libër nuk mund ta lexojnë qytetarët elbasanas. Pra, edhe ky është qëllimi që kemi dalë sot në shesh dhe dogjëm librin e Fevziut, në shenjë mohimi për të gjithë atë çka shkruar rreth historisë sonë”, vijoi Gjergji. Duke e cilësuar historinë shkencë dhe se studiuesit mund të shkruajnë rreth historisë, Gjergji tha se “vetëm shkencëtarët dhe gjuhëtarët e shkruajnë historinë dhe jo këta që deformojnë historinë, kombin tonë dhe veteranët të cilët kanë luftuar për pavarësinë e vendit tonë”. Në mbështetje të fjalimit të Gjon Gjergjit kanë qenë edhe disa veteranë të Luftës së Dytë Botërore dhe nostalgjikë të diktatorit komunist, të cilët janë shprehur mjaft ashpër ndaj daljes në dritë të librit “Enver Hoxha” me autor gazetarin Blendi Fevziu. Në mbyllje të tubimit të tyre modest, komunistët elbasanas i vunë flakën librit. Ndonëse në tubim merrte pjesë një grup i vogël personash, një patrullë policie ka qëndruar në gatishmëri deri në fund të tij.
Precedenti në Kosovë
Pak ditë më parë, në Ferizaj të Kosovës, disa simpatizantë të figurës së Enver Hoxhës dogjën në mënyrë demonstrative kopje të librit të gazetarit Blendi Fevziu. Ata ishin kundër publikimit të të dhënave në libër, pasi sipas tyre denigrohej figura e Hoxhës. Autorët e këtij veprimi ishin përkrahës të “Frontit popullor për kultivimin e veprës revolucionare të Enver Hoxhës”.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU











