Shtohen 14 ekzaminime të reja në listën e ekzaminimeve unikale terciare, të cilat përfshihen në sigurimin shëndetësor. Gjithashtu, përcaktohen edhe çmimet që duhet të paguajnë pacientët për secilën. Sipas vendimit të qeverisë, të botuar tashmë në fletoren zyrtare, të ardhurat e përfituara kalojnë në buxhetin e institucionit shëndetësor terciar si të ardhura jashtë limitit. Në grupin e ri janë shtuar ekzaminimet për tiroidet, veshkat, kockat dhe një sërë sëmundjesh të tjera kronike. Ekzaminimet unikale terciare përfitohen me rimbursim në masën 90% dhe bashkëpagesë nga personat e siguruar në masën 10%. Për t’i kryer, duhet që çdo pacient të jetë i pajisur me librezën e shëndetit, me te cilën pajiset çdo i siguruar pranë drejtorive rajonale të sigurimit shëndetësor. Ata duhet të paraqesin librezën e kontributeve të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor ose librezë të kontributeve vetëm të sigurimit shëndetësor (për sigurimin vullnetar)- për të punësuarit dhe personat mbi 16 vjeç, që punojnë me të vetëpunësuarit, dokumentin përkatës- për kategoritë joaktive: – Librezë pensioni për pensionistët – vërtetim nga Zyra e Punës dhe Përkrahjes Sociale të rrethit për t papunët. Po kështu, përfitojnë personat që janë në asistencë dhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike. Është i domosdoshëm vërtetimi i KMCAP për invalidët e plotë, jo të plotë, invalidët e luftës, te paaftët (mendorë dhe fizikë). Po kështu, duhet certifikatë e lindjes dhe vërtetim i shkollës për fëmijët, nxënësit e studentët me shkëputje nga puna. -Statusi përkatës për veteranët, jetimet dhe te verbrit. Sigurimi shëndetësor ju jep të drejtën të zgjidhni mjekun e përgjithshëm dhe të familjes që dëshironi. Ai do të jete mjeku juaj personal, te cilin ju mund ta ndryshoni 1 herë në vit.
Çmimet e ekzaminimeve
• Shintigrafi tiroide 4000 lekë
• Shintigrafia renale statike DMSA 10000 lekë
• Renale dinamike + kaptopril 15000 lekë
• Renale dinamike DTPA + lasix 13000 lekë
• Renale dinamike + Cistoshintigrafi
indirekte 15000 lekë
• Cistoshintigrafi direkte 12000 lekë
• Shintigrafi pulmonare perfusionale 5824 lekë
• Shintigrafi kocke parciale 9000 lekë
• Shintigrafi skeleti 12000 lekë
• Shintigrafi 3 Phase + WB (skeleti) 20000 lekë
• Trajtim hipertiroze me jod I-131 30000 lekë
• Eliminim i indit mbetës pas
operacionit të tiroides + shintigrafi
pas 3 ditësh me jodin e marrë 30<MCi 35000 lekë
• Kontrolli i W.B me jod l-131 20000 lekë
• Trajtimi me jod l-131 për
Ca tiroides 100 Mci 80000 lekë
Mjekët e familjes nuk njohin ilaçet
Mjekë që nuk njohin medikamentet apo mënyrën si duhet të ushqehen të sëmurët kronikë. Kjo ka rezultuar nga studimi mbi njohuritë e mjekëve të familjes në Tiranë, i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik. Janë anketuar mbi 80 mjekë të shërbimit parësor në poliklinikat kryesore të Tiranës. Një pjesë e mjekëve ka rezultuar se nuk njohin acidin folik dhe rolin e tij në ndalimin e sëmundjeve të lindura te fëmijët. “Kanë njohuri jo të mjaftueshme për nutrientët në tromboza, të cilat janë të shpeshta sot për sa i përket gjendjeve postkirurgjikale”, thonë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas specialistëve të tij, informacioni tek mjekët e shërbimit parësor nëpër rrethe është dhe më i mangët, pasi ata kanë më pak akses për t’u trajnuar dhe informuar. Nga anketimi në kryeqytet, rezulton gjithashtu se mjekët janë të pakënaqur me indiferencën që tregojnë pacientët për të zbatuar këshillat që lidhen me konsumimin e ushqimeve dietike. Ky anketim sipas specialistes së ISHP ka identifikuar nga ana tjetër dhe interesin e shumë mjekëve të tjerë, që kërkojnë të mësojnë rreth metodave më të reja të ushqyerjes së shëndetshme, si një mënyrë efikase kundër sëmundjeve kronike.











