Eksploziv lokalit buzë liqenit, dyshohet si shkak konkurrenca

May 18, 2011 | 10:27
Lokali ku ndodhi shpërthimi në Shirokë

SHKODER – Eksploziv lokalit në Shirokë për konkurrencë. Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur banorët e lagjes buzë liqenit të Shkodrës mbrëmjen e së hënës. Menjëherë pas ngjarjes, policia ka nisur hetimet, duke konstatuar se pista e parë mbi ngjarjen ka si motiv konkurrencën. Burime nga Drejtorisë së Policisë së Shkodrës pohojnë se sasia e lëndës plasëse është hedhur në lokal nga pjesa e prapme e tij, nga dritarja e banjës. Nga hetimet paraprake mësohet se pronari i lokalit, Halit Beqiri, (ky i fundit e kishte marrë me qira) ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë konflikt me ndonjë person si në punën e tij ashtu edhe për ndonjë motiv tjetër. “Për momentin nuk mund të pohojmë më shumë, pasi vazhdon hetimi. Nga ana e saj, policia ka shoqëruar një numër të konsiderueshëm personash, kryesisht banorë të lagjes “Shirokë”, të cilët mendohet se kanë dijeni për ngjarjen”, pohuan burimet e Policisë. Shpërthimi është dëgjuar rreth orës 23:00. Në ato momente, në lokal nuk ndodhej asnjë person, pasi dhe punonjësit kishin kohë që ishin larguar prej andej. Fillimisht është dyshuar për shpërthimin e ndonjë bombole gazi, por më pas, ekspertët konstatuan një fitil zjarrëpërcjellës, i cili ndodhej në pjesën e prapme të lokalit. Ndonëse ende nuk është konstatuar sasia e lëndës plasëse, Policia e Shkodrës nxori si shkak për këtë ngjarje konkurrencën. Lokali ku ndodhi shpërthimi njihej për çmime më të lira, çka sipas Policisë, mund të jetë arsyeja pse autorët kanë kryer atentatin me lëndë plasëse.   r.d

© Panorama.al

Te lidhura