Nga bregu tjetër i Adriatikut vinin lajme shqetësuese, Shqipëria ishte në flakë, popullsia po rebelohej kundër regjimit të
Ramiz Alisë dhe në Brindizi ishim veçanërisht të kujdesshëm ndaj ngjarjeve në “vendin e shqiponjave”. Vetëm në korrikun e një viti më parë, 1990, në port erdhën katër anije me flamurin e Kombeve të Bashkuara, me 4 mijë veta në bord, të cilët ishin futur në ambasadat perëndimore. Për herë të pare, perdja kishte rënë dhe Shqipëria u bë diçka konkrete, reale, jo vetëm fjalë e propaganda të shpërndara përmes radios. Kishim parë në fytyrë dhe në sy ata kushërinj dhe gjetëm të njëjtën dritë shprese që kishin prindërit tanë në fund të luftës.
Një kthim pas në kohë, gati 40 vjet. Ajo që shumë ngadalë, si një baticë, si një tsunami do të kthehej në një emergjencë. Në orën 10 të mëngjesit, anijet e para shqiptare (Lirya, Kallmi, Tirana, Apollonia) kaluan bllokimin e motovedetave të kapitenerisë së portit dhe derdhën mbi molin e stacionit detar ngarkesën e parë të burrave, grave, fëmijëve: numëroheshin 4 mijë, pastaj mijëra, pastaj 3 mijë, pastaj dhe 3 mijë të tjerë. Mbasdite vala vazhdonte me grupe më të vogla nga 100-150 vetë, të ngjeshur nëpër peshkarexha me emra të çuditshëm si “Zagri”, “Mitat Dauti”, “Mors”, “Iuxillia Rasa”, “Sezani”, “Eutrisky”. Numëroheshin edhe ca mijëra të tjerë të ikurish. Në mbrëmje, në 20:30, në bankinën e Sant’Apollinare u ankorua “Legend”, që transportonte 5 mijë të ikur. Të parët që u ngjitën në bord për ndihmë, tregojnë skena apokaliptike. Në orën 20:00, pasi kishim mbaruar punën në redaksi dhe pasi kishim dhënë edicionin e fundit të lajmeve të ditës, disa gazetarë dhe operatorë i hipëm makinës. Ishte ora për t’u kthyer në Brindizi, në Francavilla Fontana, për të parë me sytë tanë çka kishim treguar deri në atë moment. Superstrada, tangencialja, hyrja nga Porta Leçe, rruga Del Mare… këtu të mbahet fryma. Në një qytet që duket si i braktisur, endeshin të humbur mijëra shqiptarë. Kërkonin kabina telefonike, donin të njoftonin familjet në Shqipëri që ëndrra e tyre e lirisë sapo kishte filluar. Mbi bankinat e portit, vullnetarët shpërndanin panine, ujë, tenda plastike për t’u mbrojtur nga i ftohti. Të ikurit ndeznin zjarre të vegjël, për t’u ngrohur. Flinin përtokë. Nuk ishin rehat, por të lumtur.
Ditën tjetër, nënprefekti i sapozgjedhur, Antonio Barrel, me kërkesën e arqipeshkvit, monsinjor Settimio Todisco, që “kërcënonte” me hapjen e kishave, hapi 30 ndërtesa shkollore dhe të arratisurit më në fund u sitemuan në ambiente të mbyllura dhe në të ngrohtë. Vetëm të premten, në 8 mars, kur emergjenca u shfaq me gjithë ashpërsinë e saj, mësuam se kishin mbërritur më shumë se 23 mijë shqiptarë në pak orë dhe qyteti mund të shpërthente nga njëri çast në tjetrin. Kujtimi i atyre që atëherë ishin në radhët e para, është akoma i gjallë. Mes tyre është bashkiaku i asaj kohe, Giuseppe Marchionna, presidenti i Caritas-it të asaj kohe, Bruno Mitrugno, ish-këshilltari rajonal i Pds, Carmine Dipietrangelo. Me ta bëra një shëtitje imagjinare nga Palazzo di Città në port, gjatë rrugës “Garibaldi”, zonën me trafik pedonal prej dhjetëra vitesh, por ato ditë i mbyllur nga trafiku i makinave private, si të gjitha rrugët e tjera që të çonin nga porti në spital, për t’u dhënë maksimumin e hapësirës ambulancave që bënin ik e hajde për të çuar të plagosurit më rëndë. “Ishin dy gjëra prej të cilave trembesha më shumë,- kujton Marchionna,- grabitja e dyqaneve ushqimore dhe ndonjë emergjencë e mundshme sanitare. Por nuk ndodhi asgjë nga këto, sepse në vend të ushtarëve që qe
veria nuk dërgoi, u vendosën në shesh të rinjtë, gratë dhe burrat e Brindizit; në vend të kuzhinave të kampit dhe banjave kimike u hapën shtëpitë e brindizinëve. U hapën edhe dyert e ish-kolegjit naval “Tommaseo”, aso kohe një geto e vërtetë, ku edhe forcat e rendit e kishin të vështirë të hynin”, vazhdon ai. “Për të dhënë një dorë menduan edhe të regjistruarit në Pds,- shton Dipietrangelo. -Në sallonin tonë në rrugën “Osanna” shërbenim ushqim të ngrohtë çdo ditë, duke përdorur kuzhinat, karriket dhe tavolinat e festave tona. Ishim e vetmja parti që e bëmë këtë, sepse ishim të vetmit që kishim këtë strukturë dhe atë aftësi organizative”. Solidariteti i përfshiu të gjithë, madje edhe kontrabandistët. “Në ato ditë u ndalën edhe zbarkimet e cigareve sepse “skuadrat” ishin të impenjuara të ndihmonin miqtë shqiptarë”, tregon Mitrugno. “Na arriti një telefonatë edhe nga don Tonino Bello. Më tha: Bruno, më dërgo të gjithë refugjatët e mundshëm, që të mund t’i mbaj këtu në Molfetta. I dërgova 25”.
Bën ftohtë edhe sot. I njëjti i ftohtë i hidhur si i atij marsi të 20 viteve më parë. Shëtitja jonë gati mbaroi. Tani duket deti. “Kujtoj që isha mbi mol me tim bir, Paolon. Shikonim të habitur dhe i thashë: “Po jetojmë një ngjarje të madhe të historisë së njerëzimit”, më thotë Mitrugno.
Brindizi, tre ditë aktivitete përkujtimore
Pas 20 vitesh, qyteti e kujton atë moment me një seri aktivitetesh. Komuna, në bashkëpunim me Teatrin Publik Puliez dhe të rajonit të Puglias ka organizuar aktivitetet me titull “Qyteti pritës Shqipëri-Brindizi, 20 vjet më vonë”. Janë tre ditë aktivitetesh që nisin sot e përfundojnë në 13 mars. Në program parashikohen konferenca, koncerte, tregime, filma, parade muzikore, të cilat lidhen me një faqe të dhimbshme, por që historia e ka ndryshuar. Tanimë ajo lexohet si një histori solidariteti dhe integrimi. Do të jetë një kohë kujtese dhe refleksioni kolektiv. Nuk do të mungojnë edhe ekspozitat fotografike, të cilat, të kthejnë pas në kohë, në atë mars të ftohtë të vitit 1991, kur Brindizi u gdhi përpara një mali njerëzish, që kërkonin ndihmën e tyre. Gjatë këtyre ditëve do të prezantohet edhe libri i Giuseppe Marchionna “Diario dall’inferno di Brindisi” (“Ditari nga ferri i Brindizit”), një ndërtim kronologjik i gjithë historisë, bazuar në eksperiencën dhe përjetimet e kryebashkiakut të asaj kohe.
Francesca Mandese
* Corriere del Mezzogiorno
© Panorama.al











