Ekonomisti i njohur amerikan, Steve H. Hanke, profesor i Ekonomisë së Aplikuar në Johns Hopkins University ka reaguar për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke shprehur mbështetje për lëvizjen qytetare dhe duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Në një postim në rrjetin social X, Hanke shkruan: “Për ditën e 37-të, mijëra shqiptarë protestojnë në rrugët e Tiranës. Ata protestojnë kundër projektit të dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, i cili mbështetet nga kryeministri Rama. Më tej ai shton: “Ka ardhur koha që kryeministri Rama të largohet”
Në fund të reagimit të tij, ekonomisti amerikan i referohet simbolit të protestave me një mesazh domethënës:
“Revolucioni i Flamingove po merr vrull”. Steve Hanke është një nga ekonomistët më të njohur amerikanë në fushën e ekonomisë monetare dhe financave. Ai është profesor i Ekonomisë së Aplikuar në Johns Hopkins University, bashkëpunëtor i revistës Fortune, si dhe ka shërbyer në administratën e presidentit Ronald Reagan në Shtëpinë e Bardhë.
Reagimi i tij i shtohet komenteve të figurave ndërkombëtare që kanë ndjekur zhvillimet e fundit në Shqipëri, ndërsa protestat kundër qeverisë dhe projektit turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit kanë hyrë në ditën e 38-të.
© Panorama.al













