Prokurorët që kanë marrë çështjen e ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, kanë kërkuar dënimin e tij me vdekje. Mubarak po gjykohet në Kajro mbi akuzat e urdhërimit të vrasjes së protestuesve gjatë trazirave që e rrëzuan atë nga pushteti. E njëjta kërkesë pritet të bëhet edhe për ministrin e Brendshëm, Habib el-Adly dhe gjashtë ish-krerët e Sigurimit. Gjatë protestave masive që zgjatën 18 ditë kundër rrëzimit të Hosni Mubarakut, u vranë rreth 800 protestues. Ish-presidenti dha dorëheqjen më 11 shkurt. “Çdo gjykim i drejtë duhet të vendoste vdekjen e këtyre të akuzuarve”, tha prokurori Mustafa Khater, sipas AFP. “Ai nuk mund të thotë se si kreu i shtetit nuk dinte asgjë për atë që po ndodhte. Ai është përgjegjës dhe tani duhet të vuajë pasojat ligjore dhe politike për atë që ka ndodhur”, shtoi prokurori. Por ekzekutimi i Mubarakut nuk është i sigurt. Prokurorët ankohen se nuk kanë bashkëpunimin e Ministrisë së Brendshme dhe se një dëshmitar kyç ka ndryshuar dëshminë e tij. Prokurorët thonë se kanë dëshminë e rreth 2 mijë personave për këtë gjyq, përfshirë oficerë policie, të cilët i kishin vënë në diskutim rregullat nga lart për të përdorur armët automatike kundër protestuesve. Në gjyqin që ka nisur në gusht kanë dëshmuar figurat më të larta politike të Egjiptit.











