“Egërsi shtazore, të lirohen menjëherë”- Berisha dënon arrestimin e 6 protestuesve nga Policia: Kur një qeveri përdor forcën, tregon frikën! Regjimi ka humbur legjitimitetin

Jun 30, 2026 | 16:10

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot për arrestimin e 6 protestuesve paqësorë para Parlamentit nga Policia e Tiranës, duke e cilësuar si “egërsi shtazore” dhe kërkoi lirimin e tyre të menjëhershëm.

sali berisha

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, që e shoqëron edhe me pamjet e dhunës ndaj protestuesve, mes tyre aktivisti Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i UÇK, Berisha akuzon qeverinë si një regjim që ka humbur legjitimitetin dhe për shkak të frikës që ndjen ushtron dhunë dhe forcë.

“Egërsi shtazore! Dënoj me ashpërsinë më të madhe dhunën dhe arrogancën e Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve që protestojnë. Është e papranueshme që, ndërsa në Parlament shërbëtorët e Edi Ramës përpiqen të zhvlerësojnë protestën madhështore të shqiptarëve, në rrugë dërgojnë policinë për t’i dhunuar ata që kërkojnë të dëgjohen”, shprehet ai.

Më tej Berisha thekson se protestuesit ishin paqësorë, kurse regjimi kërkon që të heshtë zërin e tyre. Dhe kjo sipas tij, është shenja e një arrogance të pushtetit, ndërsa apelon për lirimin e tyre të menjëhershëm.

“Kur një qeveri nuk i përgjigjet qytetarëve me argumente, por me forcë, ajo tregon frikë, jo fuqi. Dhuna ndaj protestuesve paqësorë dhe përpjekjet për të heshtur zërin e tyre janë shenja të qarta të arrogancës së pushtetit dhe të një regjimi që ka humbur legjitimitetin në sytë e qytetarëve. Kërkoj lirimin e tyre të menjëhershëm!”, përfundon kreu i selisë blu reagimin e tij.

© Panorama.al

Te lidhura