Kryeministri i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka emëruar të enjten Edita Tahirin, zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës, si udhëheqëse të delegacionit të Kosovës për dialogun për çështje praktike me Serbisë. Njoftimi u dha nga Zyra për Informim e Kryeministrisë. “Dialogu si shtete të pavarura dhe sovrane me të gjitha shtetet fqinje, përfshirë Republikën e Serbisë, dhe zgjidhja e problemeve praktike në të mirë të të gjithë qytetarëve të rajonit, është vlerë dhe standard evropian”, thuhet në këtë njoftim. Përzgjedhja e delegacionit që në ditën e dytë të Hashim Thaçit si kryeministër i vendit tregon përparësinë që ka çështja e dialogut me Serbinë në programin e ri qeveritar, nxitur nga faktori ndërkombëtar, të cilët kërkojnë “një qëndrim konstruktiv nga të dyja palët”. Pak pas emërimit të zonjës Tahiri ka mbërritur përshëndetja e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Feith. “Edita Tahiri do të jetë një përfaqësuese e përkushtuar dhe efektive e Kosovës, që do ta shfrytëzojë këtë mundësi të rëndësishme për të zgjidhur çështje me interes reciprok dhe për të përmirësuar jetën e përditshme të të gjithë njerëzve në Kosovë”, deklaroi Feith. Qeveria e Kosovës këmbëngul se do të ulet në tryezë me Serbinë vetëm për të diskutuar si dy shtete të pavarura. Por Beogradi zyrtar ka siguruar se çështja e statusit nuk mund të mos preket. Edhe BE-ja ka pasur rezerva për të siguruar Kosovën se statusi nuk do të jetë pjesë e diskutimeve.











