“Edi Rama përdor Ergysët e administratës për të vjedhur shqiptarët” – Berisha: As ai dhe as Lubia nuk do të gjejnë vrimë miu! Do t’i ndëshkojmë me forcën e ligjit

Feb 20, 2026 | 19:33

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se Edi Rama dhe Belinda Balluku nuk do të gjejnë “vrimë miu” dhe do t’i ndëshkojnë me forcën e ligjit.

Berisha protesta e 20 shkurtit-PD-opozita (3)

Në fjalën e tij, para protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë, Berisha theksoi se kryeministri Rama përdor krimin për të qëndruar në pushtet. Kreu i PD përmendi edhe  skandalin e AKSHI-t, dhe abuzimet e Belinda Ballukut, e akuzuar nga SPAK.

“E vërteta është se kurrë ky komb nuk është vjedhur siç vidhet sot nga Edi Rama dhe qeveritarët e tij. Miliarda euro Porti i Durrësit, në të cilin ai ndërton Dubain e 1001 netëve të tij. Qindra milionë euro me AKSHI-n e Lindave. Qindra milionë euro me Erion Veliajn dhe inceneratorët.”, tha Berisha.

Më tej, Berisha theksoi se do t’i ndëshkojnë qeveritarët me forcën e ligjit dhe se “as Rama dhe as Balluku nuk do të gjejnë vrimë miu”.

“Shqipëria e lirë, Shqipëria e qytetarëve të lirë do të shpallë vjedhjen e qytetarëve krim të rëndë. Do ndëshkojë dy herë më shumë qeveritarët që arratisen. Miq, drejtorë dhe të tjerë braktisin Shqipërinë me shpresën se do mund të shpëtojnë. As ju, as Lubia, as Edi Rama, vrimë miu nuk do gjeni.”, shtoi ai.

Pjesë nga fjala e Berishës:

E vërteta është se kurrë ky komb nuk është vjedhur siç vidhet sot nga Edi Rama dhe qeveritarët e tij. Miliarda euro Porti i Durrësit, në të cilin ai ndërton Dubain e 1001 netëve të tij. Qindra milionë euro me AKSHI-n e Lindave. Qindra milionë euro me Erion Veliajn dhe inceneratorët.

Miliarda me Lubinë e tij në rrugë dhe punë që nuk janë kryer kurrë. Dhe këto para, përveçse në parajsat e tyre, shndërrohen në një krim të tmerrshëm elektoral. Shndërrohen në vota të blera. Dhe votat e blera shndërrohen në vjedhje edhe më të mëdha. Ndaj dhe shqiptarët marrin rrugët e dheut tashmë jo si një popull fantazmë, por si një popull që braktis dheun e tij të bekuar sepse pasuritë e këtij vendi janë shndërruar në pasuri të mallkuara për qytetarët e tij.

Edi Rama, ky armik i egër i qenies së shqiptarëve, njëlloj si babai i tij shpirtëror, ka vendosur mbi shqiptarët censurën, mashtrimin, mashtrimin dhe censurën.

Me mediat e tij të ushqyera si shushunjëza nga paratë e qytetarëve që vjedh në prokurime publike dhe pasuri publike, qytetarët dëgjojnë nga mënëgjhesi gjer në darkë mashtrime dhe vetëm mashtrime. Glorifikimin e të keqes, të krimit, të vjedhjes. Demonizimin e opozitës, censurimin e opozitës.Dhe përsëri në një rreth vicioz, mashtrimi kthehet në votë dhe vota në mashtrim.

Por ja ku jemi sot këtu më shumë se kurrë për t’u zotuar se ne do rikthejmë mediat e lira në Shqipëri, do rikthejmë zgjedhjet e lira në Shqipëri dhe se Shqipëria do të jetë një vend normal, një vend i bekuar siç e ka bërë Zoti, vendi i njerëzve të lirë.

Miq, në qoftë se Enver Hoxha përdori kundër shqiptarëve policinë xhelate të Sigurimit të Shtetit, policinë politike, Edi Rama përdor falangat e krimit, përdor organizatat kriminale, përdor kartelet e drogës, përdor Ergysët e administratës.

Për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve, për t’i vjedhur, plaçkitur ata, për t’i poshtëruar ata, për t’i vrarë, për t’i grabitur, përdor krimin për të qeverisur Shqipërinë. Por ne jemi sot këtu për t’u zotuar se zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.

Dhe në qofte se në vitin 2005 ne rendëm pas Aldo Bareve dhe të tjerëve, Aldo Baret sot janë Edi Rama, Lubi Balluku, ministrat e tij, kurse kartelet e drogës, Elvis Doçi, Suel Çela janë thjesht ushtarët e tyre. Ta dinë mirë se edhe prapa diellit po të shkojnë, ne do t’i gjejmë ata, ne do t’i ndëshkojmë ata me forcën e ligjit.

Miqtë e mi, Shqipëria e lirë, Shqipëria e qytetarëve të lirë do të shpallë vjedhjen e qytetarëve krim të rëndë. Do ndëshkojë dy herë më shumë qeveritarët që arratisen. Miq, drejtorë dhe të tjerë braktisin Shqipërinë me shpresën se do mund të shpëtojnë. As ju, as Lubia, as Edi Rama, vrimë miu nuk do gjeni.

© Panorama.al

Te lidhura