Kryeministri Edi Rama vendosi sot ta shkarkoje Belinda Ballukun, nga postet e rëndësishme që mbante në kabinetin qeveritar Rama 4.
Edhe pse kjo e fundit sipas tij kishte dhënë tre herë dorëheqjen dhe s’ia kishte pranuar ato, gjatë mbledhjes së Grupit të PS-së, Rama ka vendosur ta largojë përfundimisht nga qeveria, duke e lënë në duart e SPAK dhe Drejtësisë.
Krahas shkarkimit të Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama ka bërë edhe disa ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar. Lëvizjet prekin ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, atë të Brendshme, të Drejtësisë, Mbrojtjen e deri te ajo e Jashtme.
Belinda Balluku, e vënë nën akuzë nga SPAK, do të zëvendësohet në postin e numrit dy të qeverisë nga Albana Koçiu, e cila mbante postin e ministres së Brendshme.
Ndërsa postin e Ballukut si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, do ta marrë Enea Karakaçi, i cili është administrator i OSHEE-së.
Besfort Lamallari ikën nga ministria e Drejtësisë dhe shkon në krye të Ministrisë së Brendshme, duke zëvendësuar Albana Koçiun.
Besort Lamallari zëvendësohet nga Toni Gogu, ky i fundit do të jetë ministri i ri i Drejtësisë. Në postin e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, që mbante deri më Toni Gogu, do të emërohet deputetja e Vlorës, Erjona Ismaili.
Kreu i Qeverisë ka shkarkuar edhe Pirro Vëngun nga posti i Ministrit të Mbrojtjes. Në vendin e tij në krye të Mbrojtjes është emëruar Ermal Nufi.
Po ashtu nga kabineti qeveritar ka larguar edhe Elisa Spiropalin si ministre e Punëve të Jashtme, duke e zëvendësuar këtë të fundit me Ferit Hoxhën, ambasadorin e Shqipërisë në OKB.
NDRYSHIMET NE QEVERI
Zv.kryeministre, Albana Koçiu – Shkarkohet Belinda Balluku
Ministër i Brendshëm, Besfort Lamallari– Zëvendëson Albana Koçiun
Ministër Drejtësie, Toni Gogu– Zëvendëson Besfort Lamallarin
Ministër Energjitike, Enea Karakaçi– Shkarkohet Belinda Balluku
Ministër i Mbrojtjes, Ermal Nufi– Shkarkohet Pirro Vengu
Ministër për Marrëdhënien me Parlamentin, Erjona Ismaili– zëvendëson Toni Gogun
Ministër i Jashtëm, Ferit Hoxha – Shkarkohet Elisa Spiropali
© Panorama.al












