TIRANE- Kreu socialist, Edi Rama, tha dje se tubimi i homazhit që do të zhvillohet sot në mesditë do të jetë i qetë, ndërsa mohoi në mënyrë kategorike mundësinë e provokimit të qytetarëve nga ana e policisë.
Këtë deklaratë kreu socialist e bëri në emisionin “Tonight Ilva Tare” në Ora News. Kreu i opozitës, duke iu rikthyer ngjarjeve të 21 janarit 2011, tregoi se ku ishte ndodhur në momentin që policia u përplas me protestuesit dhe kur u vranë katër protestues. Rama tha se nuk i ka bërë asnjë presion Prokurorisë për këtë ngjarje, madje tha se nuk ka komunikuar asnjëherë me prokuroren e Përgjithshme. Duke folur për çështjen e zgjedhjes së Presidentit, kreu socialist kërkoi një proces me maxhorancën, ku të binin dakord për një figurë të pranuar nga palët dhe që do të jetë si simbol i unitetit të popullit. Rama nuk e përjashtoi Fatos Nanon si një figurë të mundshme, por gjithashtu u shpreh se PS-ja ende po diskuton për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese interpretimin e nenit që zgjedh kreun e shtetit.
E përjashtoni në mënyrë kategorike një bashkëpunim me Metën?
Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike dhe qytetarët shqiptarë që duan një qeverisje krejt tjetër dhe rezultate krejt ndryshe nga këto të sotmet. Për t’i bërë të gjitha këto, ne s’mund të bashkohemi me ata që janë pjesë e problemeve.
Në momentin kur mësuat se po qëllohej dhe kishte viktima, ku ndodheshit dhe çfarë keni bërë, me kë keni komunikuar?
Këtë e kam thënë dhe herë tjetër. Ne kemi qenë të gjithë së bashku me krerët e koalicionit, me Pandeli Majkon dhe disa të tjerë duke ecur drejt Kryeministrisë dhe aty unë kam parë se si është provokuar turma, pasi me të kaluar urën e Lanës kemi parë blindat që dolën nga pas Kryeministrisë dhe u lëshuan mbi turmën me ujin me presion dhe gazin helmues lotsjellës që të gjithë e morëm në fytyrë. Aty ne bëmë një zmbrapsje, duke qëndruar për një kohë të gjatë tek ana tjetër e urës në dalje të parkut “Rinia”.
Keni komunikuar me ndonjë në ato momente?
Të vrarët, fatkeqësisht, gjë që e ngarkon me një përgjegjësi absolute qeverinë, kanë marrë plumbat kur protesta ishte në fund. Unë kam komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me deputetët e Partisë Socialiste, duke u munduar të bëja sa mundja në atë zhurmë e rrëmujë të madhe, të cilët ishin në pjesën e përparme të protestës. Ka filmime që deputetë të PSsë kanë bërë çmos për ta tërhequr turmën dhe për ta larguar nga vendi ku kërciti fillimisht një masakër e vërtetë me Forca Speciale. Pra, është absolutisht barbare që sot e gjithë ditën ata që duhet të përgjigjen para Drejtësisë për urdhrat që dhanë dhe ata që hapën zjarr me plumba të vërtetë në lartësinë e trupit të njeriut mbi protestuesit, të jenë ende me uniformën e shtetit dhe madje në krye të qeverisë. Ndërkohë që mos harrojmë se ka pasur me dhjetëra të plagosur, që dora e Zotit i ka shpëtuar nga një fat i keq dhe me qindra njerëz të rrahur nëpër komisariate, dhe s’ka asgjë për ata që duhet të përgjigjen para Drejtësisë për vrasjet e katër protestuesve të paarmatosur.
Dje, në një intervistë, zoti Berisha ka thënë se ndoshta të vrarët janë shkaktuar nga plumbat rikoshetë të armëve të përdorura nga Garda. Si reagoni pas këtij qëndrimi?
Mendoj se i pari i qeverisë ka ndryshuar pozicion, i vetëdijshëm se rruga për t’i shpëtuar së vërtetës ka nisur të ngushtohet dhe broçkullat me stilolapsa pistoletë e me çadra pushkë, apo me puç të organizuar për të përmbysur pushtetin e tij të korruptuar nuk i ha askush dhe s’gjejnë asnjë përputhje në provat që disponon sot i gjithë publiku falë mediave. Pas protestës, nuk ka pasur asnjë gëzhojë në bulevard, por ka qenë e mbushur me gëzhoja e gjithë hapësira brenda gardhit të Kryeministrisë, që do të thotë se qeveria zgjodhi të Kreu socialist, Edi Rama, tha dje se tubimi i homazhit që do të zhvillohet sot në mesditë do të jetë i qetë, ndërsa mohoi në mënyrë kategorike mundësinë e provokimit të qytetarëve nga ana e policisë. konfrontohet me armë me protestuesit, që nuk kanë prekur territorin brenda gardhit të Kryeministrisë, por dhe nëse do ta kishin prekur s’mund të merrnin përgjigje me zjarr. Kjo është barbari e patolerueshme.
Ju duk e vonuar ardhja e ekspertizës nga ekspertët e FBI-së për 21 janarin?
Si mund të më duket e vonuar kur bëhet fjalë për ekspertizën më të lartë botërore dhe jam shumë i kënaqur që këtij procesi iu dha mbështetja e asaj ekspertize falë angazhimit të SHBA-ve për të mbështetur një hetim të thellë, të paanshëm dhe deri në fund të asaj që ndodhi më 21 janar. Besoj se rezultatet e ekspertizës së FBI-së do të jetë e vështirë që t’u dalin paloburrat e Shqipërisë dhe t’u thonë se do të marrim ekspertë vendës se ju nuk e njihni realitetin.
Cili është qëndrimi juaj ndaj punës së Prokurorisë për të hetuar 21 janarin?
Dua të shtjelloj pak, se ka pasur shumë padi të ngritura për protestues, siç ka pasur dhe gjyqe apo protestues të dënuar për përdorim dhune, sepse kanë qëlluar me gurë, me shkopinj, sepse mund të kenë qëlluar me molotov, por s’kemi sot e gjithë ditën njerëz të ndëshkuar për vrasje. Mirëpo, nga ana tjetër, jam i vetëdijshëm se ky mund të ketë qenë hetimi më i vështirë i prokurorisë, sepse ka pasur që sekondën e parë një përpjekje mafioze për të fshirë gjurmët dhe provat.
Nga kush?
Nga ata që duan t’i shmangen Drejtësisë dhe kanë në dorë që të fshijnë prova dhe gjurmë dhe jo nga opozita, nga ata që kanë fshirë serverin e Kryeministrisë, sepse nëse aty do të gjendej prova e dhunës ndaj institucioneve nga njerëz të armatosur me stilolapsa pistoletë me çadra pushkë, apo të futur në oborrin e Këshillit të Ministrave për të marrë Kryeministrinë, të jeni të sigurt se serveri nuk do të ishte fshirë. Provat janë fshirë, sepse aty ka pasur diçka tjetër. E dinë ata që i kanë fshirë, ashtu sikundër edhe një sërë përpjekjesh për të fshirë prova që janë çështje teknike. Padyshim, pa mbështetjen e FBI-së ky hetim s’do të mund të arrinte në konkluzione shkencore, bindëse për gjithçka që mund të zbardhet, bazuar mbi ato prova që mund të mblidhen.
Keni komunikuar me prokuroren e Përgjithshme, zonjën Ina Raman ditët e hetimit të 21 janarit? Ka dekonspiruar ajo hetimet, siç është shprehur dhe Kryeministri?
Unë me prokuroren e Përgjithshme, për të cilën kam një respekt, sepse është një grua në një pozicion jashtëzakonisht të vështirë, kam komunikuar vetëm njëherë qysh se ajo është në këtë detyrë dhe nuk e kam njohur kurrë më parë. Ky komunikim ka qenë publik, në zyrën e saj, kur kam shkuar dhe kam shprehur të gjitha shqetësimet si lider i opozitës lidhur me punën e Prokurorisë. Të gjitha rastet e tjera kanë qenë thjesht takime kortezhe, shtrëngime duarsh, përshëndetje normale në mjedise publike.
Më 21 janar dhe në ditët pasuese nuk keni komunikuar me të?
Asnjëherë.
Si ka qenë pozicioni i Presidentit Topi për 21 janarin, a ishte i mjaftueshëm?
Në rast se më pyesni si lider i opozitës, i opozitës së vrarë në 21 janar, ka qenë i dobët, sepse ka ekuilibruar pozicionin mes reagimit të dhunshëm të protestuesve dhe vrasjeve me pushkët e shtetit. Por, në rast se u referohemi akuzave monstruoze që i janë bërë, që turpërojnë familjen shqiptare, atëherë pa dyshim, qëndrimet e tij kanë qenë tërësisht të baraslarguara nga palët. Te ky baraslargim në rastin e 21 janarit unë shoh një dobësi, por është absurde dhe e turpshme që Presidenti i Republikës të akuzohet ashtu siç u akuzua, duke u pështyrë, më falni, publikisht nga foltoret e qeverisë.
Çfarë do të jetë nesër zoti Rama, homazh për këto viktima, apo revoltë ndaj këtij regjimi që ju përshkruani?
Nesër do të jetë homazh në traditën më të mirë shqiptare, respekt, nderim, përulje përpara dëshmorëve të 21 janarit dhe përpara familjeve të tyre, si në çdo përvjetor të një humbjeje, aq më tepër tragjike, kur shqiptarët duhet të jenë pranë njëri-tjetrit. Unë do të ftoja që revoltën e brendshme ta kyçnin brenda nesër për të ardhur në këtë homazh me një lule dhe për të dëshmuar me praninë e tyre se pavarësisht se shumëçka në një mënyrë ose një tjetër po vonon, po trysnohet, është aty dhe shumë shpejt do ta gjejë rrugën e vet, siç e gjen veten një popull që nuk tërhiqet nga rruga, dhe që nuk bie pre e tundimit që shpeshherë është shumë i fortë për ta lënë fushën e betejës ose për t’iu dorëzuar dhunës.
Janë marrë masa të forta nga punonjësit e rendit. A mendoni se do të ketë skena të forta si 21 janarin e shkuar?
Ne kemi detyrimin që të bëjmë një homazh dhe nuk shoh se si mund të ketë skena dhune në një homazh.
A mund të provokoheni, siç u provokuat vjet?
Nuk e besoj kurrë këtë!
A kushtëzohet dhënia e statusit të vendit kandidat në BE nga Presidenti konsensual?
Unë mendoj se Shqipëria është shumë e kërcënuar për të tretën herë, për shkak të këtyre ndodhive shumë të shëmtuara dhe mendoj se vendimi i Gjykatës së Lartë ka vendosur një gur të rëndë në qafën e Shqipërisë, që e bën të vështirë ecjen përpara drejt statusit këtë vit. Megjithatë, ne do bëjmë të gjitha përpjekjet dhe jemi fokusuar që Shqipëria ta marrë këtë status në 100-vjetorin e pavarësisë shqiptare.
Dhe nëse nuk zgjidhet President konsensual, do ta marrë statusin?
Unë mendoj se në rast se presidenti do të zgjidhet forcërisht nga një shumicë që s’ka asnjë legjitimitet moral dhe politik për të zgjedhur Presidentin e të gjithë shqiptarëve, pas vjedhjes së zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe pas gjithë këtyre që kanë ndodhur, ky do të ishte një kapak shumë i rëndë që të mund të hapej dhe të shihnim qiellin e integrimit europian në këtë fundvit.
Presidenti konsensual duhet të vijë nga politika, nga akademia, nga duhet të vijë kandidati?
Ne nuk kemi asnjë paragjykim në këtë aspekt, ne duam të ndërtojmë një proces që të mbërrijmë në një dakortdsi për një figurë që duhet të ketë pëlqimin e palëve, ose në rastin më të keq, të pranohet nga të dyja palët. Kjo duhet të ishte rruga e arsyes që do të garantonte një ekuilibër, sado të brishtë, në një rrugëtim, ku të gjitha ekuilibrat janë tronditur dhe rrezikojmë t’i humbasim, nëse shumica do të kuturiset ta imponojë presidentin pa dëgjuar zërin e arsyes, pa dëgjuar opozitën dhe pa dëgjuar miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë.
A do të çojë PS në Gjykatën Kushtetuese për interpretim pjesët e nenit të Kushtetutës lidhur me kuorumin në raundet e zgjedhjes së Presidentit?
e adresimit në Gjykatën Kushtetuese e kemi në një diskutim të brendshëm.
A do të ishte Fatos Nano kandidati konsensual për Partinë Socialiste?
Nuk mund të më tërhiqni në këtë debat, e kam thënë që ne nuk paragjykojmë askënd.
Mendoni se merr vota nga Partia Socialiste zoti Nano?
Nuk do të më tërhiqni në këtë debat, ne nuk paragjykojmë askënd, sepse nuk ka asnjë kuptim që ndërkohë që palës tjetër i kërkojmë të mos niset në këtë proces as nga kartonët dhe as nga emrat, por të niset nga nevoja që ka sot vendi, nga një ekuilibër, nga nevoja që kanë sot shqiptarët nga një figurë që përfaqëson unitetin e popullit, nga nevoja që kanë edhe partnerët tanë për të bashkëpunuar me një vend që ka një gravitet institucional, nuk mund të bëjmë tani të kundërtën e asaj që i kërkojmë palës tjetër. Ne i kërkojmë një proces ku duhen dy palë dhe nëse procesi shkon përpara është dakordësia mes palëve që prodhon një pikëtakim, ku jo domosdoshmërisht secila palë gjen atë që i pëlqen në mënyrë absolute, por ku janë mjaftueshmërisht dakord të pranojnë produktin e këtij pikëtakimi. Secili këtu bën detyrën.
© Panorama.al











