Edhe pas Kurtit, Kurti!

Jan 6, 2026 | 7:38

ALBINOT MALOKUALBINOT MALOKU

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura në fund të dhjetorit 2025, Kosova mori një rezultat politik që i befasoi jo vetëm të tjerët, por edhe vetë Lëvizjen Vetëvendosje. Edhe pse fitorja e Albin Kurtit ishte e pritshme, pothuajse gjysma e votave të fituara (49,34 për qind) përfaqëson një sinjal të qartë të proceseve të thella politike, shoqërore dhe psikologjike që janë akumuluar gjatë viteve të fundit.

Një rezultat i tillë nuk mund të shpjegohet me suksesin e qeverisë, por para së gjithash me dobësitë dhe dështimet e alternativave politike. Një nga faktorët kyç të dominimit zgjedhor të Kurtit është mungesa e plotë e një oferte bindëse opozitare. Partitë e tjera, para së gjithash PDK dhe LDK, nuk arritën të paraqiten si një alternativë serioze dhe koherente, as të demonstrojnë gatishmëri për bashkëpunim institucional.

Vetëvendosje e shfrytëzoi këtë me mjeshtëri përmes propagandës së fuqishme politike, duke u paraqitur si e vetmja alternativë stabile, ndërsa konkurrentët si të papërgjegjshëm dhe të paaftë për të marrë pushtetin. Një rol të veçantë luajti edhe diaspora, e cila në masë të madhe votoi mbi bazën e perceptimeve dhe narrativave të krijuara nga Kurti, e jo mbi përvojën e përditshme të jetesës në Kosovë. Zhgënjimi shumëvjeçar nga qeveritë e mëparshme, si dhe ndjenja e humbjes së perspektivës, i motivuan më tej votuesit jashtë vendit që të ndëshkojnë elitat e vjetra politike. Konteksti gjeopolitik pati gjithashtu ndikim të rëndësishëm.

Zhvillimet në veri të Kosovës, veprimet e Listës Serbe me mbështetjen e Beogradit zyrtar, si dhe përgjigjja e Qeverisë së Kosovës, e forcuan imazhin e Kurtit si lider që nuk tërhiqet nën presion. Në një kontekst më të gjerë rajonal, ky rezultat zgjedhor përshtatet me modelin e Ballkanit Perëndimor, ku qytetarët shpesh, me vetëdije ose pa të, u japin mbështetje liderëve të fortë dhe autoritarë, duke besuar se vetëm ata mund të sigurojnë stabilitet. Megjithatë, fitorja zgjedhore nuk do të thotë edhe zgjidhje e problemeve të grumbulluara. Qytetarët e Kosovës tani po hyjnë në mandatin e tretë të qeverisë Kurti me pritje relativisht të qarta, por edhe me një dozë skepticizmi.

Sfidat e brendshme mbeten të mëdha: paqëndrueshmëria ekonomike, rritja e çmimeve, shëndetësia dhe arsimi i dobët, si dhe veçanërisht çështja e ndjeshme e energjetikës. Edhe pse lufta kundër nepotizmit, forcimi i meritokracisë dhe parandalimi i keqpërdorimeve financiare shpesh theksohen si prioritete, pak kush pret një kthesë thelbësore krahasuar me mandatin e mëparshëm, veçanërisht nëse në qeverinë e re mbesin të njëjtat kuadro dhe sidomos nëse vetë Kurti përfshihet në vendosjen e standardeve se kush duhet e kush nuk duhet të drejtojë bordet e agjencitë e pavarura e nuk ua lë këtë çështje rregullativave ligjorë. Në planin e politikës së jashtme, situata është edhe më e ndërlikuar.

Periudha e bllokadës institucionale, që kulmoi me ngrirjen e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, la pasoja të thella. Edhe pse Kurti këmbëngul në forcimin e sovranitetit dhe të ligjshmërisë, Kosova në marrëdhëniet ndërkombëtare ka qenë më e izoluar se më parë. Ambicie të tilla si anëtarësimi në Këshillin e Evropës, NATO dhe Bashkimin Evropian mbeten objektiva strategjikë, por realizimi i tyre varet nga rivendosja e besimit me partnerët kryesorë perëndimorë, para së gjithash me SHBA-në. Pasojat ekonomike të bllokadës politike ende do të shfaqën plotësisht. Mosmiratimi i buxhetit, ndihmat njëherëshe për qytetarët në prag të zgjedhjeve dhe paralajmërimet për paga shtesë në sektorin publik sollën pikë politike afatshkurtra, por në plan afatgjatë hapin çështje serioze të qëndrueshmërisë fiskale. Njëqind eurot e shpërndara gjatë fushatës tashmë janë shpenzuar, ndërsa problemet strukturore kanë mbetur të paprekura.

Në përgjithësi, triumfi zgjedhor i Vetëvendosjes flet më shumë për dobësinë e sistemit dhe të alternativave politike sesa për forcën reale të kapacitetit reformues të pushtetit. Qeveria e tretë e Kurtit ka marrë një mandat të fuqishëm, por edhe një përgjegjësi të madhe. Nëse ky mandat do të shfrytëzohet për ndryshime reale apo do të shndërrohet në një mundësi tjetër të humbur, do të varet nga gatishmëria e pushtetit për të dalë nga logjika e konfrontimit politik dhe për të ofruar më në fund rezultate që do të ndihen në jetën e përditshme të qytetarëve. Por, pavarësisht gjithçkaje, edhe pas Kurtit, e kemi Kurtin!

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura