“Edhe ‘Lali shportfiku’ erdhi nga shoqëria civile!”- Tryeza e PD, aktori-demokratëve: Bëhuni e djathtë konservatore! Shqipëria në anarki moderne, Parlamenti është qesharak!

Jan 9, 2026 | 13:14

Aktori Neritan Liçaj ka folur sot në tryezën e Partisë Demokratike me partitë e opozitës, shoqërinë civile dhe intelektualët, duke sugjeruar për opozitën që të kthehet në një të djathtë konservatore.

“Historia e opozitës për mua është një histori suksesi. Mbijetoi, ia dali sulmit të dytë më të egër mbas 45-ës. Tani e keni në dorë ju zotërinj, në doni një këshillë ose një ide nga unë si Neritan, djali i këtij populli, ne jemi popull konservator, gjëja e parë që bën shqiptari është shtëpia, bëhuni e djathtë konservatore“, tha ai.

Liçaj ka kritikuar konceptin e “shoqërisë civile” duke u shprehur se “nga kjo shoqëri civile ka ardhur edhe e ëma e Zeqos që blegërin nga maja e thanës së Surrelit tre orë dhe për Vit të Ri. Edhe Lali Shportfiku”, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ai kritikoi qeverinë dhe parlamentin aktual, ndërsa u shpreh se Shqipëria është në anarki moderne, parlamenti është qesharak dhe qeveria merret me interesa personale.

“Shqipëria është në anarki moderne. Asnjë nuk funksionon. Parlamenti është qesharak, qeveria është e gjithë në hallin e vet kush do vjedh më shumë se tjetri, kush do rrijë në pushtet, kush do korruptoj më shumë dhe ne merremi me paranë”, tha ai.

Aktori Neritan Liçaj: Do u kërkoja përulësisht që të patën mua të mos më thërrisnit shoqëri civile, se nga kjo shoqëri civile ka ardhur edhe e ëma e Zeqos që blegërin nga maja e thanës së Surrelit tre orë dhe për Vit të Ri. Edhe Lali shportfiku nga shoqëria civile ka ardhur. Ca domethënë shoqëri civile? Domethënë ai që nuk është këtu të shoqëria imë civile, është kulak, çfarë është? Armik populli? Nga kjo shoqëri civile na kanë ardhur të gjitha patickat, u lodhëm me shoqërinë civile.

Nëse ka njerëz që luftojnë janë çështje vullneti. Nisma, qëndisma, OP-ja, bojaxhiu, libri, fletorja, të gjitha këto dhe çfarë? Shoqëri civile? Ka politikë të mirë dhe të keqe, nuk ka politikë të re dhe të vjetër, të gjitha këto energji të reja, fytyra të reja. Politika nuk është “Mister Albania”. Nuk ka Republikë të re apo të vjetër, ka të mirë ose të keqe. Nuk ka asnjë sistem  kështu e ashtu, sistemi e bëjnë njerëzit dhe e zbatojnë njerëzit, është çështje vullneti, kaq! Nëse do rrimë me këto stërhollimet e tyre, ‘shpihapisto’, si i quajnë këto, nuk kemi për të zgjidhur asgjë.

Historia e opozitës për mua është një histori suksesi. Mbijetoi, ia dali sulmit të dytë më të egër mbas 45-ës. Tani e keni në dorë ju zotërinj, në doni një këshillë ose një ide nga unë si Neritan, djali i këtij populli, ne jemi popull konservator, gjëja e parë që bën shqiptari është shtëpia, bëhuni e djathtë konservatore. Për mendimin tim, ky është sugjerimi im, ju e dini vet, jeni burra të mençur, keni kaq vite në politikë. Këtë mendoj.

E dyta, si fitohet? Fitohet shumë kollaj! Shumë kush mund të thotë se “o çfarë ma the”.  John Fitzgerald Kennedy ka thënë “mos mendo çfarë do bëj Atdheu për tu, por çfarë do bësh ti për Atdheun.” Dhe nuk ka asnjë që e mposhte zemrën e një vullnetari. Jam krenarë që jam pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, një lloj mënyrë në vumë një standard, betejë përditë, përditë dhe kishim një mal shumë të madh përballë, e dini ju shumë mirë. Kishim gangsterë, oligarkë, parlament kundër, qeveri kundër, bashki kundër, ja dolëm vetëm duke ndejtur aty përditë. Sepse zemra jonë ishte vullnetare  dhe nuk e mposht dot.

Nga ajo mori shembull Unaza e Madhe, rrugica e Lirisë, rënia e Lali fikut, përditë aty. Nuk të mposhtin dot. Sigurisht edhe alternativat duhen. Shqipëria nuk është e vjedhur, është e bastisur, hajdutët të vjedh paratë dhe mjetet me ato gjëra me vlerë në shtëpi, kurse këta e kanë vjedhur, kanë thyer edhe ato që s’u duhen, i kanë zhvatur edhe suvanë dhe kanë djegur Shqipërinë. Shqipëria është në anarki moderne. Asnjë nuk funksionon.

Parlamenti është qesharak, qeveria është e gjithë në hallin e vet kush do vjedh më shumë se tjetri, kush do rrijë në pushtet, kush do korruptoj më shumë dhe ne merremi me paranë. Paraja është elementi i fundit i korrupsionit, ai fillon këtu (vë dorën në zemër). Nëse zgjedhim njerëz me shpirt të fortë, me mendje të kthjellët, nëse i shkohet qytetarit dhe  shikon në sy, atëherë fiton. Sepse këto produktet e rrjeteve sociale dhe këtyre stërkalave të pështymës historike në objektiv të studiove, kamerave, nuk çojnë asgjëkund. Përditë aty edhe fiton.

Unë këto sugjeroj, një riformatim ideologjik sepse në fund partitë janë bashkimi i njerëzve që kanë të njëjtat ide dhe krijojnë një ideologji për të fituar. Edhe, të mos ndalohet kurrë, në fund farë, çdo gjë është çështje vullneti, edhe Rilindja është një fenomen njerëzor, ka një fillim dhe një fund. Problemi është se çfarë do bëjmë ne më mirë, për vendin tonë.

© Panorama.al

Te lidhura