E para herë në 6 dekada, socialistët marrin Senatin

Sep 27, 2011 | 12:01

Për herë të parë në historinë moderne të Francës, shumicën në Senat e zotëron e majta, pas votimit të së dielës. Tashmë socialistët kërkojnë edhe presidencën, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Presidenti aktual, Nikolas Sarkozi, ka organizuar menjëherë pas rezultateve një takim urgjent me aleatët kryesorë politikë. Sarkozi thirri dje kryeministrin Fransua Fillon dhe Zhan–Fransua Kope, kreu i partisë konservatore, UMP. Partia Socialiste tani kontrollon 177 ulëse në Senat, dy më tepër nga sa i nevojiten një shumice absolute. Fitorja e partisë mbi konservatorët vjen vetëm shtatë muaj para zgjedhjeve presidenciale, duke e lënë Sarkozinë pa një shumicë në Dhomën e Lartë të Parlamentit, ndërsa ai përgatitet për të njoftuar rikandidimin. Konservatorët ruajnë ende shumicën në Asamblenë Nacionale. Edhe pse votimi në Senat nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me zgjedhjet e prillit të ardhshëm, mundja sinjalizon pakënaqësi të gjerë me politikat e Sarkozisë dhe partisë së tij, UMP. Parashikohet që Sarkozi të përballet me socialistin Fransua Hollande në zgjedhjet presidenciale. Për herë të parë pas vitit 1958, socialistët opozitarë arritën të sigurojnë shumicën në Senat, Dhoma e Lartë e Parlamentit francez, kompetencat e së cilës janë të kufizuara. Nga kampi socialist, kjo fitore u komentua si një kthesë historike. Senati francez nuk zgjidhet nga populli, por nga përfaqësuesit komunalë. 72 mijë përfaqësues të komunave votuan të dielën për të përcaktuar gjysmën e 348 senatorëve të rinj.

© Panorama.al

Te lidhura