Izraeli hakeroi pothuajse të gjitha kamerat e trafikut të Teheranit për të spiunuar Liderin Suprem të Iranit, Ali Khamenei përpara se të niste sulmin e përbashkët me SHBA, ku udhëheqësi iranian mbeti i vrarë.
Sipas Financial Times, shërbimi sekret izraelit Mossad kishte depërtuar për vite me radhë në rrjetin e kamerave të trafikut në Teheran për të mbikëqyrur lëvizjet e truprojave të Khameneit. Burime të inteligjencës pretendojnë se spiunët arritën të hakërojnë edhe kamera sigurie pranë kompleksit të tij, duke identifikuar modelet e lëvizjes, oraret dhe vendparkimet e rojeve.
Pamjet e marra thuhet se u enkriptuan dhe u transmetuan në Izrael, duke u lejuar zyrtarëve të inteligjencës të përcaktojnë adresat, orët e punës, rrugët dhe detyrat e personelit më të lartë të sigurisë së Iranit përpara sulmit në fundjavë.
“Ne e njihnim Teheranin siç e njohim Jerusalemin”, tha një zyrtar i inteligjencës izraelite për Financial Times. “Dhe kur e njeh [një vend] aq mirë sa e njeh rrugën ku je rritur, vëren një gjë të vetme që nuk shkon me vendin e vet.”
Në sulmin e fundit amerikano-izraelit, Izraeli thuhet se përdori një metodë të quajtur analiza e rrjeteve sociale për të studiuar modelet e sjelljes dhe për të kuptuar më mirë se si njerëzit bashkëveprojnë.
Me këtë informacion, Izraeli dhe CIA përcaktuan se do të ishte më e lehtë të vrisnin Khamenein direkt në fillim, sesa ta shënjestronin atë në mes të një lufte kur ai mund të arratisej në një bunker.
Sipas raportimeve, operacioni ishte planifikuar prej muajsh, por u përshpejtua pasi u konfirmua se Khamenei do të merrte pjesë në një takim në rezidencën e tij.
Presidenti i SHBA, Donald Trump deklaroi për Fox News se Khamenei u “eliminua së bashku me rrethin e tij të ngushtë”, ndërsa zyrtarë amerikanë dhe izraelitë thanë se operacioni përfshiu edhe sulme kibernetike për të çaktivizuar sistemet e komunikimit dhe mbrojtjes iraniane. Operacioni i përbashkët SHBA-Izrael, u realizua gjatë ditës për të arritur një “surprizë taktike”.
Duke folur me gazetarët, gjenerali Dan Caine, kryetari i shefave të përbashkët të shtabit të SHBA-së, tha se faza fillestare e operacionit ishte “e projektuar për të hutuar dhe ngatërruar” Iranin.
“Operacionet e koordinuara hapësinore dhe kibernetike ndërprenë në mënyrë efektive rrjetet e komunikimit dhe sensorëve në të gjithë zonën e përgjegjësisë, duke e lënë kundërshtarin pa aftësinë për të parë, koordinuar ose reaguar në mënyrë efektive”, shtoi ai.
© Panorama.al












