E majta, fitore e thellë në dy komunat

Sep 3, 2013 | 12:48

KQZ publikon shifrat zyrtare të zgjedhjeve. LSI merr 726 vota më shumë në Dardhas të Korçës.

Kandidati i PS Rrethina, 3 mijë vota diferencë me rivalin e PD.

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë shënuar fitoren e radhës ndaj PD-së, në zgjedhjet e pjesshme të zhvilluara ditën e diel.
Në zgjedhjet e zhvilluara në komunën Dardhas dhe komunën Rrethina, ka rezultuar fitues kandidati i PS-së dhe ai i LSI-së. Në qarkun e Shkodrës, ka fituar kandidati i Partisë Socialiste, Luan Harusha, i cili ka siguruar mbështetjen e rreth 3 mijë votuesve më shumë se rivali i tij, demokrati Ridvan Guri. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidati i PS-së, Luan Harusha, ka fituar 4411 vota, ndërsa kandidati i PD-së për kreun e komunës Rrethina ka marrë vetëm 1402 vota. Kurse në qarkun e Korçës në komunën Dardhas ka fituar kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili u mbështet nga Partia Socialiste. KQZ ka publikuar dhe shifrat përfundimtare të votimit të ditës së diel, ku rezulton se Genci Hamollari ka fituar me një diferencë prej 726 votash, më shumë se rivali i tij, demokrati Gentian Pere. Sipas të dhënave zyrtare, kandidati i LSI-së për kreun e komunës Dardhas ka fituar 1138 vota, kurse kandidati i Partisë Demokratike, Gentian Pere, ka fituar vetëm 412 vota. Sipas rezultatit të KQZ-së, kandidati i PS-së, Luan Harusha, është zgjedhur si kreu i ri i komunës Rrethina, në vend të Kleves Mujës, i cili u shkarkua nga Kryeministri Berisha. Ndërsa Genci Hamollari i LSI-së është kryetari i ri i komunës Dardhas, në vend të Aleksandër Çelës, edhe ky i shkarkuar nga kreu në detyrë i qeverisë.
Procesi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar dje shifrat zyrtare, me anë të zëdhënëses Drilona Hoxhaj, e cila theksoi se administrata zgjedhore është në pritje të kutive dhe dokumentacionit nga dy KZAZ-të, për të bërë shpalljen zyrtare të fituesve. “Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, KZAZ-të përkatëse kanë miratuar me vendim tabelën përmbledhëse të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të pjesshme, duke shpallur dhe kandidatin fitues për secilën komunë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të ardhjes së dokumentacionit zyrtar dhe kutive të votimit e materialeve zgjedhore nga dy KZAZ-të. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përmbyllje të procesit zgjedhor, vlerëson se aktet nënligjore të nxjerra nga KQZ, si dhe masat organizative në ngritjen e infrastrukturës zgjedhore, së bashku me punën në terren të inspektorëve të KQZ-së, dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, korrektësia në zbatimin e detyrimeve ligjore e komisionerëve të niveleve të dyta dhe të treta (KZAZ, KQV, GNV) ndikuan në realizimin me sukses të zgjedhjeve të pjesshme të datës 1 shtator”, u shpreh zëdhënësja e KQZ.

Pjesëmarrja
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije dje se pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme të 1 shtatorit, në komunën Rrethina të Shkodrës, ka qenë 34% dhe në total morën pjesë 5722 votues, nga të cilat 2149 ishin femra. Kurse në Dardhë të Korçës, pjesëmarrja ka qenë në nivelin 59.67% ose 1539 zgjedhës, nga të cilët 786 kanë qenë femra.

Shkarkimet
Zgjedhjet e pjesshme në dy komunat e vendit u realizuan për shkak se dy ish-kryetarët u shkarkuan nga kreu i qeverisë. Aleksandër Çela, ish-kreu i komunës Dardhë, u shkarkua pasi kishte fshehur pasurinë, ndërsa Kleves Muja ka rezultuar të jetë në kërkim nga policia italiane për trafik lëndësh narkotike dhe është burgosur nga autoritetet shqiptare.

Rezultatet sipas KQZ
Në komunën Dardhas të Korçës

Kandidati i LSI-së, Genci Hamollari     – 1138 vota
Kandidati i PD-së, Gentian Pere     – 412 vota
Kryetari i ri i komunës, Genci Hamollari

Në komunën Rrethina të Shkodrës

Kandidati i PS-së, Luan Harusha     – 4411 vota
Kandidati i PD-së, Ridvan Guri     – 1402 vota
Kryetari i ri i komunës, Luan Harusha

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura